Në rrezatimin e përjetshëm të filozofisë, emri i Sokratit ngrihet si një dritë që nuk shuhet kurrë. I lindur në shekullin V para Krishtit, ai nuk ishte thjesht një mendimtar i kohës së vet, por u bë vetë ndërgjegjja e filozofisë perëndimore, themelues i metodës së pyetjes që shqyen iluzionet e njohurisë dhe ngre peshë vetëdijen mbi padijen. Nuk la pas shkrime, por gjurmët e tij janë skalitur në fjalët e nxënësve të tij, veçanërisht Platonit, që e paraqitën si simbol të një jete të jetuar në kërkim të së vërtetës dhe virtytit.
Por nuk është vetëm nëpër akademi filozofike që Sokrati shkëlqen; ndonjëherë ai zbret mes nesh me një thjeshtësi gjeniale që flet për përditshmërinë, për çka themi dhe çka dëgjojmë, për gojët që flasin më shpejt se mendja, dhe për fjalët që bëhen helm i marrëdhënieve njerëzore. Një prej tregimeve më të famshme që na sjell këtë urti është ai i “Testit të tre sitave”, një dorë e butë që ndal hovin e thashethemeve dhe i kthen fjalët drejt mendimit.
Thuhet se një ditë, një i njohur iu afrua Sokratit me nxitim dhe kureshtje, “Sokrat, a e di çfarë dëgjova për mikun tënd?”
Sokrati, i qetë si gjithmonë, e ndali me një buzëqeshje të lehtë dhe tha:
– “Një çast. Para se të ma thuash, le të bëjmë një provë: le ta kalojmë përmes tri sitave.”
– “Tri sita?”
– “Po,” tha filozofi. “Para se të flasim për të tjerët, duhet të filtrojmë atë që do të themi.
E para është sita e së Vërtetës.
A je i sigurt se ajo që dëgjove është e vërtetë?”
– “Jo, thjesht e dëgjova… nuk jam i sigurt.”
– “Mirë,” tha Sokrati. “Pra, nuk e dimë nëse është e vërtetë.
Tani le të kalojmë te sita e dytë: ajo e Mirësisë.
A është diçka e mirë ajo që do të më thuash për mikun tim?”
– “Përkundrazi, është diçka shqetësuese…”
– “Pra,” tha Sokrati, “do të më thuash diçka negative, për të cilën nuk je i sigurt nëse është e vërtetë.
Le të provojmë edhe sitën e tretë: atë të Dobisë.
A do të më ndihmojë mua në ndonjë mënyrë ajo që do të më thuash? A është e dobishme për mua ta di?”
– “Jo… nuk besoj.”
Sokrati buzëqeshi me mençurinë që ndriçonte çdo fjalë të tij dhe përfundoi:
– “Nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë, as e dobishme… përse duhet të ma thuash?”
Ky tregim i thjeshtë, por thellësisht domethënës, nuk është thjesht një anekdotë për një filozof të lashtë. Është një pasqyrë që na sfidon çdo ditë. Para se të flasim për të tjerët, a i kalojmë fjalët tona në sitat e së vërtetës, mirësisë dhe dobisë? Apo jemi vegla të një zëri që do të dëgjohet, qoftë edhe në dëm të tjetrit?
Sokrati nuk na këshillon të heshtim, por na ofrohet përmes një mençurie në të folur.
Ai na mëson se fjala është një përgjegjësi, jo vetëm një e drejtë. Dhe në këtë botë ku thashethemi është bërë monedhë e lehtë e komunikimit, ndoshta më shumë se kurrë kemi nevojë për sitat e tij.
Përgatiti: Albert Vataj
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply