Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult ka kënaqësinë të njoftojë se Shkëlqesia e Tij, Imzot Giovanni Peragine, në përmbushje të shërbimit baritor dhe në frymën e përgjegjësisë për udhëheqjen kishtare, ka emëruar sot Dom Dritan Ndoci si Vikar i Përgjithshëm dhe Moderator i Kurisë së ArqidioqezësMetropolitane Shkodër-Pult.
Ky emërim është shpallur sot zyrtarisht gjatë një takimi të mbajtur sot në ambientet e Seminarit Ndërdioqezan, në praninë e meshtarëve dhe bashkëpunëtorëve të afërt.
Dom Dritan Ndoci, i lindur më 14 nëntor 1980 në Barbullush- Shkodër. Ka kryer formimin filozofik e teologjik në Seminarin e Shkodres dhe më pas pranë Papal Gregorian University në Romë. U shugurua meshtar më 29 qershor 2007, në Katedralen e Shkodrës, duke nisur shërbimin e tij zyrtar në Arqidioqezen e Shkodër Pult.
Gjatë viteve të shërbimit të tij meshtarak ka mbajtur detyra të ndryshme baritore dhe formuese, ndër to: famullitar në disa famulli të dioqezës, përgjegjës i formimit dhe Atë Shpirtëror pranë Seminarit Ndërdioqezan në Shkodër.
Arqidioqeza e uron Dom Dritanin për këtë shërbim të ri dhe përgjegjësinë që merr mbi supe, duke i siguruar mbështetjen dhe lutjet e besimtarëve.
Fjala e Shkëlqesisë së Tij Imzot Giovanni Peragine me rastin e shpalljes së Vikarit të ri të Përgjithshëm:
Sot po përjetojmë një moment domethënës për udhëtimin e Kishës sonë dioqezane. Emërimi i Vikarit të ri të Përgjithshëm nuk është thjesht një akt administrativ, por një shenjë besimi dhe bashkimi, një thirrje që i drejtohet secilit prej nesh për të marrë së bashku barrën e misionit, si një presbiter i bashkuar përreth ipeshkvit dhe projektit baritor të dioqezës.
Kjo Kishë dioqezane nuk i përket Ipeshkvit, as atij që ushtron një detyrë. Ajo është e jona, është e besuar në duart tona, barinj të thirrur nga Zoti për t’u kujdesur për të me një zemër të pandarë. Bashkëpërgjegjësia nuk është një ide, por një thirrje konkrete: një thirrje për të bashkëpunuar, për të mbështetur njëri-tjetrin, për të korrigjuar me dashuri, për të ecur së bashku edhe kur është e vështirë.
Bashkimi mes nesh meshtarëve nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë: duhet që ta ndërtojmë çdo ditë, duhet që ta kultivojmë dhe ta ruajmë me durim, përvujtëri dhe lutje.
Na kërkohet të mos mendojmë individualisht por në menyrë sinodale: të ndajmë shoshitjen, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të vlerësojmë karizmat dhe shërbesat, gjithmonë duke vënë të mirën e Kishës dioqezane mbi çdo interes personal ose vizion të kufizuar.
Të lutemi së bashku që ky hap i ri të jetë rast për njësi të ripërtërirë, për bashkëpërgjegjësi të vërtetë dhe për një entuziazëm të ri misionar.
Burimi/Facebook/Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult


Leave a Reply