Në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë u organizua sot ceremonia e dorëzimit të një fondi librash të dhuruar nga ish Kryetari i Kuvendit, Prof. Dr. Servet Pëllumbi, një ndër figurat më të njohura të jetës parlamentare, akademike dhe intelektuale shqiptare.
Në emër të Prof. Dr. Pëllumbit, veprat u dorëzuan nga deputeti Arben Pëllumbi, duke përmbushur dëshirën dhe vullnetin e të atit për të kontribuar me disa tituj në fondin e Bibliotekës së Kuvendit. Në fjalën e tij, z. Arben Pëllumbi theksoi natyrën e larmishme të botimeve, që përfshijnë vepra filozofike, historike, letrare, si dhe kujtime e dëshmi nga jeta parlamentare pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Ai veçoi si një vepër unike “Fjalorin filozofik”, i cili mbetet një botim i rëndësishëm për botën akademike dhe studiuesit e rinj.
I pranishëm në ceremoni, këshilltari i Kryetares së Kuvendit, Akademik Kosta Barjaba , vlerësoi figurën e Prof. Dr. Servet Pëllumbit në të gjitha dimensionet e tij, duke e cilësuar atë si një shembull të spikatur për kontributin politik, parlamentar dhe intelektual në vend.
Biblioteka e Kuvendit, si një strukturë në shërbim të dijes dhe debatit demokratik, ka nevojë të ruajë, të dokumentojë dhe të ofrojë akses në mendimin politik, historik dhe shkencor të atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve dhe të shtetit shqiptar.
Drejtoresha e Shërbimit të Botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare, znj. Lidra Bushati, nënvizoi se sot nuk pranojmë thjesht disa libra, por mirëpresim një pjesë të trashëgimisë intelektuale të një ish-Kryetari të Kuvendit, një pedagogu të shquar dhe një zëri të rëndësishëm në historinë politike të vendit. Autor, pedagog, filozof dhe politikan me një karrierë të gjatë, Prof. Dr. Servet Pëllumbi ka lënë një trashëgimi të çmuar në mendimin politik shqiptar, duke ndërthurur përvojën personale dhe institucionale me analiza të thella teorike mbi demokracinë, shtetin, etikën dhe shoqërinë në tranzicion. Vepra e tij nuk është vetëm një reflektim mbi kohën që jetuam, por edhe një përpjekje për të ndriçuar rrugën drejt ndërtimit të një shoqërie demokratike, të drejtë dhe me institucione funksionale.




Burimi/Facebook/Kuvendi i Shqipërisë


Leave a Reply