Në Shqipëri blegërimën e qingjit do ta dëgjojmë vetëm në videoklipe:
Blegtoria shqiptare po vdes dhe askush nuk lëshon as një zë…
Me këtë ritëm, bagëtinë e bujqësinë do ta hasim vetëm në vargjet e Naimit. Dhe blegërimën e qingjit – atë zhurmë të bardhë që mbushte livadhet shqiptare – do ta dëgjojmë vetëm në videoklipe tallava, ku fshati është dekor, e jo realitet.
Të dhënat janë tronditëse:
Nga 342 mijë lopë në vitin 2018, Shqipëria ka zbritur në 224 mijë në vitin 2024. Rreth 118 mijë krerë më pak.
Një rënie drastike, që s’ka ndodhur as në kohë lufte.
Në të njëjtën kohë, po rritet në mënyrë agresive importi i qumështit pluhur, një produkt që nuk ka as erë, as shije, as vlerë, por që po shitet si alternativë ndaj mungesës së prodhimit vendas.
Në këtë vend, gjithçka që ka erë toke, djersë dhe realitet zhduket.
Fshati është në agoni. Blegtoria është në koma. Dhe qeveria është në selfie.
Rënia e lopëve është rënia e kombit që s’prodhon më as jetesë:
Çdo lopë më pak nuk është thjesht një statistikë. Është një shtëpi që nuk ka të ardhura.
Është një nënë që nuk i bën më djathin vetë fëmijës. Është një fermer që është dorëzuar. Është një fshat më pak që jeton.
Kushdo që ka lindur apo jetuar në fshat, e di se lopa është qendra e ekonomisë familjare.
Është thesi i miellit që nuk blihet, është qumështi i mëngjesit, është djathi për dimër, është thesari që nuk ruhet në bankë, por në stallë.
Dhe sot, ky thesar është duke u shpërdoruar, sepse shteti nuk ka asnjë interes të mbajë gjallë ekonominë e fshatit shqiptar.
Politikat e subvencioneve janë farsë.
Fermerët marrin 0 lekë ose ndonjë mbetje lëmoshë që nuk mjafton as për një thes koncentrat.
Ndërkohë, importet trajtohen si perandori – hyjnë në treg pa kontroll, pa standard, pa përparësi për prodhimin vendas.
Qumështi pluhur:
Simboli i një kombi që ushqehet me zëvendësues:
Në një vend që ka pasur dikur lopë në çdo shtëpi, tani qumështi vjen nga portet, jo nga fshati.
Fëmijët nuk pijnë më qumësht të freskët, por përzierje industriale.
Edhe ajrimi i kasolles është zëvendësuar me reklama me lopë të lumtura në kuti tetëkëndëshe.
Qumështi pluhur është metafora më e hidhur e këtij tranzicioni të zgjatur shqiptar:
Një komb që nuk prodhon më as bazën e mbijetesës, por jeton me zëvendësues – zëvendësues në politikë, në moral, në ekonomi, në identitet.
Kujt i shërben rrënimi i blegtorisë shqiptare?
Kujt i intereson ky shuarje?
Përgjigjja është e thjeshtë:
Atyre që kontrollojnë tregtinë e importit.
Atyre që fitojnë miliona nga qumështi pluhur, djathi i zbutur me niseshte, gjalpi që nuk është gjalpë, kosi që vjen i fermentuar me kimikate.
Një zinxhir oligarkësh që kanë ndërtuar perandori mbi rrënojat e fshatit shqiptar, me mbështetjen dhe nën bekimin e qeverive që kanë ndërruar vetëm logon, por jo politikën.
Ndërkohë, fermeri shqiptar largohet.
Fillimisht nga toka, pastaj nga fshati, pastaj nga Shqipëria.
Nga stalla, shkon në Londër të lajë pjata.
Nga qingji që e rriti vetë, shkon të shpërndajë “delivery” për burgerë pa mish.
Institucionet? Heshtin.
Si gjithmonë.
Asnjë reagim zyrtar për rënien e bagëtisë.
Asnjë strategji për ringjallje.
Ministria e Bujqësisë është kthyer në një zyrë statistikash të vdekura dhe shpërndarjeje fondesh fiktive.
Të vetmit që flasin për këtë katastrofë janë vetë fermerët – por ata s’i dëgjon askush, sepse nuk kanë mikrofon, nuk kanë portal, nuk kanë oligark pas vetes.
Nëse nuk ndryshon asgjë, do të kemi lopë vetëm në ekspozita folklorike:
Në këtë vend, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, shumë shpejt lopa, delja, dhi, qengji do të jenë vetëm pjesë e muzeumeve ose videoklipeve. Do t’i shohim në ndonjë ansambël folklorik, duke ecur për dekor.
Fëmijët nuk do ta dinë më si duket një lopë reale, sepse do ta kenë parë vetëm në reklama qumështi importi.
Do të flasim për djathin si për byrekun me lakra të gjyshes – me mall, me gojë të thatë, por jo me shije reale.
Tani ose kurrë:
Ndihmojeni fshatin, shpëtoni Shqipërinë:
Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa fshat.
Nuk ka ekonomi reale pa blegtori.
Nuk ka sovranitet ushqimor pa qumësht, mish, djathë të prodhuar nga toka e këtij vendi.
Qeveria duhet të subvencionojë me urgjencë çdo krerë bagëtie.
Të ndalë importet pa standard.
Të kthejë fytyrën nga fshati.
Të bëjë minimumin që kërkohet:
Të dëgjojë fermerët, jo importuesit. Sepse po shkoi kështu siç po shkon, Shqipëria do ketë qendra tregtare me qumësht pa lopa, dhe fshatra pa asnjë qenie të gjallë.
Ky është një alarm.
Dhe nëse nuk e dëgjojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë.
Përgatiti: Koja Leonard:


Burimi/Facebook/Window.al


Leave a Reply