Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial e qartazi të nxitur nga interesa personale lidhur me përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” për realizimin e koncertit të Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.
Me stafin e bashkisë kemi bashkëpunuar me shumë dëshirë për të krijuar mundësinë e një koncerti të veçantë për një nga artistët më të rëndësishëm të këngës popullore shkodrane, dhuratë për të gjithë artdashësit. Sigurisht duke pasur parasysh funksionin kryesor sportiv të stadiumit, organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cënojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndërkombëtare të Vllaznisë.
Njëkohësisht kuptoj se një valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë.
Njerëzit shpesh e kanë të thjeshtë të përfshihen nga tymnaja që kërkon ta çojë vëmendjen në frikëra të panevojshme, kur s’ka mundësinë të përballet me ato reale.
Koha është gjithmonë e duhura për të treguar çfarë është realisht problem e cilat janë qëllimet që nxisin palët në këto qëndrime kundërshtuese.
Por si drejtues i Bashkisë Shkodër nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale.
Me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime tek askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë para Bashkisë Shkodër. Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën evropiane ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili në mbrëmjen e 21 qershorit.
Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, simbol i qytetit tonë.
Jam i sigurt që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme!
Burimi/Facebook
Leave a Reply