(Në koncertin e grupit “Albanian Folk”, Modena)
Ata janë një grup i vogël. Dhe jetojnë e punojnë në Modena, në qytetin e tenorit të shquar të lirikës italiane e botërore, Luciano Pavarotti. E në këtë qytet ku arti njeh majat e tij, ata menduan për folklorin shqiptar, për traditën shqiptare dhe grupit ia vunë emrin “Albanian Folk Modena”. E krijuan grupin vitin e kaluar. Grup i vogël, prej 5-6 vetash, por që mendon alla grande e synon gjithnjë lart, në artin e vërtetë. Kishin disa muaj që mendonin për koncertin e tyre të parë, atë që do të ishte koncerti i pagëzimit të tyre si grup përpara spektatorëve. Dhe, me kujdesjen e anëtarit të grupit, këngëtarit Adrian Kodra, zgjodhën skenën e teatrit “Cittadella”. Po si t’ia bënin për të ndërtuar një koncert të tërë, kur ishin 5-6 vetë? Atëherë, njëri nga anëtarët e grupit, Patriot Demaj, duke cituar një këngë patriotike, tha të lëshonin thirrjen “Eja, mblidhuni këtu-këtu!”,që u vu në titull të koncertit. Një thirrje që jehoi deri larg e iu përgjigjën artistë që e kanë të ndieshme kërkesën për artin e vërtetë. Larg mediokritetit e tallavasë.
Data e pagëzimit të grupit: 1 Qershor, Festa Ndërkombëtare e Fëmijëve. Dhe të zotët e shtëpisë, ua lanë pikërisht fëmijëve nderin që ta hapnin këtë koncert. I kemi parë që kur ishin fare të vegjël fëmijët e shkollës “Scanderbeg” në Parma të këndonin shqip e të kërcenin vallet shqiptare. Aq të vegjël sa dukeshin sikur kërcenin kukullat në skenë. Kurse tani, Deana Paja e Anabela Prenga të kësaj shkolle dhe Stela Qoka e grupit të valleve “Shqiponjat” në Lecco janë më të rritur dhe janë bërë virtuoze në artin e bukur. Dhe e ndezin koncertin me performancën dhe kostumet e tyre.
Idea e Monikës dhe e grupit organizator ka qenë e tillë që të bashkojnë artistë të moshave të ndryshme. E jo vetëm kaq, por të bashkojnë edhe kostume, këngë, valle e instrumente të krahinave të ndryshme të vendit, për të sjellë pikat më përfaqësuese të folkut shqiptar.
Këndon grupi organizator i koncertit, këngën e bukur labe “Ku e ka folenë bilbili”. Një lirikë e ëmbël dashurie, e konceptuar në një dialog midis thëllënzës e bilbilit. Prezantuesja e shkathët Elvira Zykaj afrohet bashkë me grupin, me veshjet karakteristike të labërisë. Në fillim menduam se do të prezantonte këngën. Por kur ia mori vetë këngës, me një zë prej këngëtareje të vërtetë të polifonisë labe, salla në fillim mbeti e heshtur, pastaj shpërtheu në duartrokitje. I gjithë grupi këndonte në një harmoni perfekte e dukej sikur thëllëza e bilbili dialogonin në zërat e këngëtarëve, që e bënin aq të ngrohtë atë lirikë dashurie. Pastaj duket sikur një çast krahu delikat i bilbilit ia përcjell lëvizjen krahut të fortë të shqiponjës dhe nga lirika e polifonisë së jugut fluturohet në epikën e veriut tek kënga heroike për Jakup Ferrin e kënduar nga Anton Mirditori e grupi, apo tek kënga tragjike e Rexhës, kënduar nga Mariana Daçi.
E kështu, gjatë tërë programit i shikojmë këto gërshetime të bukura, ku bashkohen këngët folklorike të kënduara nga grupi tashmë i mirënjohur “Zani i Arbnit”, i drejtuar nga Gegë Tuci dhe i përbërë me këngëtarë të ardhur nga Alessandria, Piemonte e Bergamo, me këngët qytetare e serenatën korçare të kënduara nga Kosta Bonshi. Grupi i valltarëve të rinj të qendrës kulturore “Margarita Xhepa” në Asti e vesh skenën në ar me vezullimet e kostumeve të bukura e origjinale popullore dhe e bën atë të tundet në interpretimin e valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ky grup që mban emrin e yllit të valles shqiptare, Lili Cingi, tashmë është një ekselencë në diasporën shqiptare dhe sjell për publikun interpretime të një niveli të lartë artistik. Jemi mësuar ta shikojmë këtë valle, që ka më shumë se 50 vjet jetë, të interpretuar nga mjeshtrat më të mëdhenj të valles sonë. Por ky grup e ka marrë atë me kurajo dhe e sjell me një freski, që premton se kjo valle do të jetojë edhe për shumë e shumë breza.
Pas një programi artistik që kishim vitin e kaluar në konsullatën shqiptare në Milano, në pauzën e drekës, u befasova kur pashë flautisten Monika Bekolli të eksperimentonte të luante melodi e shoqëruar me çifteli nga Anton Mirditori dhe grupi i çiftelive. Isha mësuar të shikoja fyellin apo zumaren në orkestër çiftelishë, por ky improvizim i çastit më befasoi, për harmoninë që u krijua. Ai improvizim i asaj dite, në këtë koncert kishte marrë forcë të vërtetë artistike e virtuozitet, ku Monika në flaut ekzekuton melodinë mjaft impenjative të këngës “Margjelo” e bashkë me Antonin, që e shoqëron me çifteli, ekzekutojnë mjeshtërisht melodinë e këngës “Oj zog-o jelek me vija”. Monika dhe flauti. Tashmë ato janë bërë një binom i pandarë në çdo aktivitet që organizojmë. Madje flauti është bjerë pjesë e pandarë e trupit të saj, si të ishte një varëse e bukur argjendi. Monika është aq delikate e elegante sa nuk kupton nëse ajo e mban flautin, apo nëse mbahet tek flauti. Por kur luajnë bashkërisht, melodia del nga shpirti e mer jetë në instrumentin frymor.
Janë të pranishëm në koncert edhe instrumente të tjerë si fyelli e zumarja, tupani dhe lahuta e lashtë, në të cilën Gjon Mëlyshi këndon një këngë të vjetër trimërie. Edhe këtu zëri i këngëtarit dhe historia shtrihen mbi harkun që bën të dridhet telin e lahutës.
Ka ardhur nga larg, direkt nga Shqipëria për këtë koncert, këngëtarja e njohur e këngës labe, Bejushe Barjamaj. Qoftë kur këndon vetëm, apo kur harmonizohet aq bukur me grupin “Albanian Folk”, të duket sikur ka zbritur në skenë zemra e Labërisë për të çmallur emigrantët. Edhe vallja dyshe myzeqare e motrave Esma e Laureta Hoxha, apo kërcimi hip-hop i së resë Giulia Vuksani i dhanë bukuri e larmi programit.
Për ta bërë sa më dinamik koncertin, kishte menduar e punuar me pasion regjisori e muzikanti Aleksandër Kolshi, i cili jeton në Rovereto, ku edhe drejton shoqatën e studion “Artisti”. Ai është i palodhur dhe gjendet gjithnjë në ndihmë të shoqatave shqiptare, kur kanë nevojë, përveçse organizon vetë evenimente të rëndësishme kulturore e artistike.
Këtë pagëzim të denjë të grupit “Albanian Folk Modena” e përshëndetën edhe drejtues e përfaqësues të shoqatave të tjera, që kishin ardhur nga Reggio Emilia, Parma e Asti.
Koncerti zgjati thuajse dy orë, por artistët e spektatorët nuk po ndaheshin e ndenjën deri vonë bashkë, duke festuar këtë moment. Bashkë me Mozën u ndalëm të bisedonim pak me Monikën, por edhe me drejtuesin e qendrës kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, Hasan Bulçari. Shkëmbyem mendime për projekte e programe të ardhshme. Gjithnjë me vështrimin lart, drejt artit të vërtetë.
Ndue Lazri
(Fotot: Patriot Demaj)
Burimi/Facebook
Leave a Reply