5,6 e 7 qershor 2025 Panairi i librit në Shkodër
DY FJALË ME RASTIN E BOTIMIT
Për At Martin Gjokën (1890-1940), kompozitorin e shquem françeskan, brezi ynë që si vegim mban mend kohën e Luftës, pak kishte ndigjue të flitej. Mbas mbylljes së shkollave të drejtueme nga institucionet fetare, për atë, si për shumë figura të tjera , mbretnoi heshtja e plotë. “Era e re” po muroste me heshtje e me baltë, bashkë me shumë figura të njohuna edhe ate.
Asht paradoksale, por mjerisht e vertetë, – e kjo ka ndodhë vetëm në Shqipëri, – që opera e Sinfonia e parë shqiptare e At M. Gjokës, që duhej të ishin objekt krenarie , – si ka ndodhë në çdo komb të kulturuem që autorëve të tillë u kanë ngritë edhe munumente, – të fshihesh edhe nga librat e historisë së muzikës. Në këte drejtim komunizmi në Shqipëri ia kaloi edhe Stalinit i cili pranoi Glinken si themelues të operas ruse, edhe pse opera e tij “Ivan Suzanin”, kishte në origjinal titullin “Nji jetë për Carin”,
Megjithë këte krijimtaria e Gjokës herë pas herë ‘nxirte kokë’, anonime, si në ilegalitet. Kur në ekranet shqiptare u shfaq filmi “Skenderbeu”, e ‘takuem’ përsëri At Martinin në laitmotivin kryesor “Kenkan mbushun malet me borë”, që kompozitori Çesk Zadeja e kishte përdorë mjeshtrisht. E pra Gjoka këte motiv e kishte punue për koro që në vitet ’30-të të shekullit të kaluem. U tha atëherë se kanga ishte popullore. Por edhe pse në ‘ilegalitet’, për kompozitorët e studjuesit e fushës, vepra e kompozitorit At Martin Gjoka ishte pikë referimi e domosdoshme, pikrisht për pasuninë e madhe të motiveve popullore të Veriut që ai kishte studjue, përpunue e shfrytëzue në veprat e tija madhore, vokale e instrumentale. Në fakt krijimtaria e kompozitorëve P, Jakova, Ç. Zadeja , T. Daija, P. Dungu, S. Gjoni, T. Harapi, A. Grimci, R. Sokoli, Z. Gruda, Gj. Kapidani etj. (të gjithë ish nxanës të tij) u ndikuen ndjeshëm nga krijimtaria e tij.
At Gjoka punoi në kohë e kushte shumë të vështira. Ai u kthye në Atdhe mbas studimeve teologjike e muzikore në Austri, vetëm pak ditë para Shpalljes së Pavarësisë me 28 Nandor 1912. Rilindasi, patriotët e luftëtarët kishin ‘ba’ Shqipërinë. Tashti duheshin ‘ba’ shqiptarët, tue përdorë edhe ndihmën e madhe që mund të jepte muzika për formimin e unitetit shpirtnor të popullit. Por muzika e puna e kompozitorit ka specifiken e vet. Shkrimtarit o piktorit, letër e lapsë, bojna e nji tavolocë i duhen. Kurse kompozitorit nuk i mjafton nji lapse e nji fletore me pentagrame. Mandej Gjokën nuk e solli kush në kuvend me ba punën e muzikantit, por të meshtarit. Ai ishte profesor në Gjimnaz, ishte kapelan ndër burgje e mandej do të bante ate që e kishte për zemër. Çfarë ngarkese!
Ai duhet të pregatiste intrumentistët, koristët e mandej të jepte shfaqje. Por ai e ndjente se edhe duhet të kompozonte. Kërkesat e mëdha që kishte vetë populli për të pasë ma në fund shfaqje e koncerte shqiptare, binte ndesh me aftësitë shumë modeste të intrumentistëve që do të egzekutonin edhe veprat e tija. Kjo spjegon edhe thjeshtësinë e qellimshme që vihej re ne veprat e tij orkestrale. Nuk asht e rastit që vetë Gjoka (dhe në këte libër ju do ta shihni) në vitet 30-të fillon ta orkestorojë Sinfoninë “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” me nji formacionm ma të zgjanuem. Punë që mbeti e papërfundueme sepse ai gjatë viteve 1936-1940 ishte i sëmurë.
Në këte veshtrim, nji redaktim dashamirës , si në rastin e orkestrimeve të tetë numrave të operas “Juda Makabe” (me libret të At Gj. Fishtës), që ju ba nga kompozitorët Gjon Kapidani e Zef Çoba (që nuk patën nevojë të prekin partin vokal), do të ishte nji punë me vlerë. Këte gja e sugjeron edhe dirigjenti e studjuesi Eno Koço – i pari që egzekutoi e rregjistroi Sinfoninë e Gjokës në kohën e lëkundjes së diktaturës, në vitin 1989, – thotë: “Çdo muzikant dashamirës, kur merr në dorë një vepër të At Martinit, duhet të çojë deri në fund këte dëshirë të papërfunduar të tij”. Në lidhje me këte, kompozitori Zef Çoba, tue gjykue objektivisht mbi vlerat e krijimtarisë së Gjokës, shpreh mendimin se asht plotësisht e mundëshme që opera ‘Juda Makabe’, krejt mirë mund të egzekutohet edhe në formën e nji Orataori. Pra dashamirësia, për të cilën flitet, asht ma shumë nji borxh se sa nji nder që mund t’i bajmë ne muzikës së At Martin Gjokës. Ma ndryshe qendron puna me vepren “24 Pjesë për harmonium”(1920), që po botojmë. Kjo asht vepër e plotë, profesionale dhe bashkëkohore, mbasi vetëm ai, në atë kohë, mund t’i egzekutonte ato pjesë. Kompozitori Gjon Shllaku, ashtu si dhe autori i këti botimi, ‘ndjejnë’ në disa numura të Albumit, edhe ‘korale’ të verteta si frymë e shprehje. Kohët e fundit dy muzikologë flasin për përpjekje që shihen në këte vepër për përdorimin e bitonalitetit.Thotë studjuesi Prof. V. S, Tole në nji vepër: ‘Është ajo e cila faktikisht shenon akordin e parë politonal të muzkës sonë, ky i gjendur në pjesën nr. 4 “Pastorale” MGK, të ‘Alnumit për Harmonium’. Jem ende në mesin e viteve 1910…’
Sot, tue pasë në dorëshkrim krijimtarinë thuejse të plotë të At Martin Gjokës dhe disa rregjistrime. (mjerisht të pakta), tue rrokë pra veprën e tij në tanësi, forcohet edhe ma shumë bindja se ai ka nji stil të dallueshëm që ‘njihet’ në çdo vepër vokale a orkestrale. Si kompozitor, muzikalisht ai e shou ‘etjen’ në burimet e asaj kunorë malesh që i rrijnë kaq bukur Shkodrës e rrethinave të saj; që fillon me përvujtni me Taraboshin, për të hedhë shtat mandej në Krajë me Ruminë e për t’u madhështue ma shumë rreth e përqark me male të tjerë Malësisë. Tek muzika e tij ndjejmë se ajo trevë fliste me nji gjuhë muzikore, me varjante interesante: kangë ‘a cappella’ për gra e burra, Valle të këndueme, kangë ‘maje krahu’ (kangë e naltë, kangë e gjatë) e shumë kangë lahute.
Gjithë ajo rrëke melodish mandej zbriste në fushë, tue u zbutë e tue marrë dritë, ashtu si marrin ngjyra ma të ndritëshme edhe kostumet popullore të Nënshkodrës, të cilat edhe pse në nji unitet të dallueshëm, ngjajnë me meloditë e rrethinave, si ngjajnë njerëtzit e nji gjaku.
Mjerisht At Martin Gjoka jetoi vetëm 50 vite, pra në kulmin e krijimtarisë për nji kompozitor. Megjithë që ai ju kushtue muzikës si nji ‘thirrje e dytë’-pas thirrjes së parë si françeskan-, na la nji seri veprash që e ngriten muzikën tonë kombëtare në nji shkallë të re cilësore, në nivele profesionale. Ai mbetet padyshim figura ma e shqueme e muzkës sonë kombëtare në gjysmën e parë të shekullit XX. Dirigjenti e studjuesi i mirënjohun Prof E. Koço, shkruen: “At Martin Gjoka, mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i nji gjuhe specifike shqiptare e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë që, të gjithë e dijmë, kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar”.
Shpresojmë që ky botim të jetë nji ndihmesë për njohjen e kësaj figure e nxitje për botime të reja. Shpresojmë që kontributi i tij pararendës e me vlerë, të gjejë edhe vlerësim nga autoritet Lokale dhe Qendrore, pasi kompozitori, pedagogu, patrioti e veprimtari i shquem At Martin Gjoka ende nuk ka nji titull o ndonji vlerësim.
Libri shoqnohet me nji CD egzekutue nga pjanisti e organisti i njohun italian, Luigi Angelini. Formatimi nga ing. Paç Alimhilli, që asht dhe autori i kopertinës së librit. Shtypshkroja “Shkodra”.
Ancona, 2010
Rishikue 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply