E njoha rastësisht Stefin. Dje, ndërsa pija kafe te “Taivani”, më kaloi anash një burrë i thinjur që çalonte. Sa herë syri më ndesh te këta tipa më vjen në mend Stefi, shoku im i fëmijërisë që banonte te bodrumi i vilës përballë pallatit ku u linda dhe u rrita. Në të vërtetë krejt vila ishte pronë e Stefit, e prindërve të tij duhet thënë. Por pas çlirimit pushteti i partizanëve strehoi atje 6 familje. Babain e Stefit, nënën e tij dhe tre motrat i groposën në dy bodrumet me igrasi. Atje Stefi kaloi vite e vite. Te bodrumet shpesh herë shkonim dhe ne shokët e tij, por pa iu thënë prindërve. Nga që familja e Stefit qe armike e pushtetit të partizanëve, kështu i quanin, ndaj askush nuk duhej t’u fliste. Sa mbaroi 8-vjeçaren Stefi hyri në punë. E quante fat që e caktuan në ndërmarrjen e mobilieve si pastrues të repartit të montimit. Ndërsa ne shokët e tij shkuam në gjimnaz. E normal që shiheshim rrallë me të. Pas dy vitesh na erdhi lajmi; Stefi qe rrëzuar nga çatia e magazinës kur kishte hypur për të ndërruar ca tjegulla të thyera. Qe rrëzim aq i keq se dhe pas qëndrimit dyjavor në spital nuk pati përmirësim. Ecte me dhimbje të mëdha e më pas çalonte. Çalonte shumë, ngjante si varkë që do mbytej mes stuhisë. Kur e shihnim rrinim me dorë në zemër. Hë do të rrëzohej në këtë hapin që hodhi, thoshim, apo hë do të rrëzohej në hapin tjetër. Qysh atë mot iu harrua emri. Çalamani e thërrisnim. U mësua kaq shumë me këtë llagap sa e pranoi buzagaz. S’kishte ç’bënte.
E ja, tani pas dhjetra vitesh më shfaqet para një burrë që çalon. Mendoj vetiu, është Stefi ky dhe i flas, por jo fort:
-O çalaman! O çalaman!
U kthye me inat. Pandehu se dikush e bulloi. Por sa e pashë dhe sa më pa u përqafuam dhe nuk e lëshonim nga krahët njëri-tjetrin. Malli është si magneti, të mban mbërthyer. Nuk ndaheshim e mallëngjimi na i njomi fjalët. Sa u shkëputëm u pamë sy më sy. Sikur lexuam cv-në e njëri-tjetrit. Më erdhi mirë që në vështrim e buzagaz nuk qe plakur fare. Veç në flokë zbardhte. Trupi elegant si atëhere, e qeshura po ajo. Një artist i vërtetë, thosh mamaja ime për të. Alen Delon e quanim jo veç ne shokët, por dhe vajzat. Që e shihnin sikur qenë para një çokollate me ambalazhin gjysëm grisur. Midis shumë pyetjeve, për të mësuar si ishin vitet që nuk qemë takuar, e pyeta edhe për rrëzimin, për aksidentin te çatia që e bëri përjetësisht të çalë.
-Nuk qe aksident, jo,-më tha.
-Të hodhi dikush , se ishin kohë që ti quheshe armik?
-Jo, jo. U hodha vetë! Me shumë dëshirë bile.
Normal që ngela pa folur. Por s’më la gjatë në habinë time.
-Kur ju shkuat në gjimnaz unë nisa punë. Lodhesha dhe përbuzesha sa më s’ka. Ngado dëgjoja, ej armik bëj këtë, o armik pastro këtu! Por gjeja shumë qetësi e xhani më ledhatohej kur disa vajza të punës a në rrugë më shihnin si shokun e vëllain e tyre. Isha në adoleshencë e nuk e kuptoja këtë admirim. Pyeta babain, më tha, je i pashëm o çun e femrat kanë guxim kur shohin diçka të bukur. Nuk i tremben asgjëje ato. Prapë nuk e mësova aq thellë. Pas dy vitesh përballë dritares së bodrumit ku flija te pallati juaj shihja në ballkon Xhinën, vajzën e doktor Nestit. E mban mend atë bukuroshen që e donin të gjithë djemtë? Ajo rrinte me orë të tëra me sytë te bodrumi, unë me sytë te ballkoni. Qe një lidhje pa prekje, pa fjalë, por magjike. Hera-herës ajo më dërgonte ndonjë puthje me dorë. Njësoj dhe unë që nga bodrumi. Sikur lëshonim pëllumba të bardhë bre. Ma bëri jetën ta shihja me diell, ta doja punën raskapitëse e ta falja agresivitetin e turmës. Kaluan ca muaj mes kësaj lumturie deri sa një ditë në atë ballkon nuk doli më Xhina, por një djalë që nuk e njihja. Bashkë me të ndonjëherë ulej në stol dhe një e moshuar. Xhina askund. Pyeta ca nga të familjeve që banonin te ne, më thanë që e kishin internuar Xhinën bashkë me familjen. Se ajo paskej rënë në dashuri me mua, me armikun, ka shfaqur moral të ulët e tërci vërci, më tha babai. I kishte spiunuar Bajrami, polici rrugor që banonte një kat më sipër. Vrojtonte nga brenda perdes edhe mua, edhe Xhinën. U lebetita nga dhimbja. Qe fiks dashuria e parë dhe e merr me mend ç’ndodh! Sikur më hodhën në pus e sikur sipër ma taposën kapakun. Zi shihja ngado. Ulja sytë kur shkoja në punë. Njësoj dhe kur kthehesha. Deri sa një ditë në rrugë më doli para Mira, basketbollistja e bukur që e mban mend se qe missi i qytetit. Sa i pashëm je, artist pe vërteti, më tha e vrik më puthi te faqja. Mbase nuk e dinte kush isha. Si familje e kam fjalën. U tremba, jo për vete, por për të. Mos e pëson dhe kjo si Xhina më erdhi pyetja kobzezë në tru. Atë çast vendosa t’i bëja diçka vetes. Të prisja gjuhën psh e të bëhesha memec. Ose ta sharroja një dorë. M’u dukën makabre, të tmerrshme. Atëhere thashë, po hidhem nga çatia e mbase më ndihmon perëndia mos vuaj shumë. Bëhem çalaman e s’kam se si marr më qafë dhe veten apo vajzat e qytetit. Nuk do m’i hedhin më sytë se njeriu me cen nuk është objekt i tyre. Ashtu bëra. Në vend të ndërroja tjegullat u krodha mbi beton, sikur fluturova nga trampolina bëlldum në pishinë. Dhimbje kam dhe tani që e kujtoj. Por m’u duk sikur bëra diçka njerëzore. Nuk do e pësonte më askush prej ndjenjave. Që atëhere vura re që vështrimet dashurore u kthyen në vështrime mëshirore. Shkarazi më hidhnin sytë, i shihja që u vinte keq të gjithëve për gjymtimin tim, por kaq. Më tej lodronin shikimet në objekte të tjera. Në djelmuaria e qytetit.
Ka ca vite që jam më ndryshe, çaloj më pak se bëra një operacion në Itali. Po ti e mban mend si ecja. Nga një cep trotuari te cepi tjetër, sikur isha mes tornados..
E dëgjoja me keqardhje, me habi, me revoltë. Histori që sot nuk i beson brezi pas nesh sado fakte e prova të nxjerrësh. Ishte epokë e egërsisë, e kafshërisë, e brutalitetit pa kufi.
-Kam tre fëmijë. U martova dhe unë paçka se me cen në të ecur. E gjeta kapakun tim. Një vajzë të bukur yll, por që çalonte dhe që çalon.
Sa tha këto fjalë i pashë gaz në sy. Shumë dritë. E dashka vërtet bashkëshorten, mendova. Dhe i përfytyrova të dy duke ecur në rrugë raka zhdraka. Një dashuri që vallzon, u shkon.
Nga Agim Xhafka, Tregimi i së Dielës.
Burimi/Facebook/KJO ËSHTË KORÇA


Leave a Reply