Në fëmijërinë time aktorët, këngëtarët, shkrimtarët etj. ishin si një lloj miti, të pa arritshëm. Më dukeshin të mbinatyrshëm, si qenie që nuk i takonin të përditshmes.
-E kemi nga Lushnja – më tha im at, kur isha e vogël, tek e shihnim të recitointe në televizor.
– Margarita Xhepa? – e pyeta e çuditur.
– Po! – u përgjigj buzagaz. – Edhe Margarita!
Për Vaçen e dija e shpesh thoja që dua ti rris flokët, ti kem të gjata si Vaçe Zela. Gjithë jetën nuk ja dola dot, kurse kushërira ime Monda, vajza e xhaxhait, ja doli. I kish flokët të bukur si ujvarë.
Nuk mund të ishte nga Lushnja se ata që ishin prej andej unë i njihja si të afërmit tanë, si njerëz normal. Kurse ajo ishte aktore, d.m.th. i përkiste një pakice të pazakontë. Të ishte nga Lushnja vërtet? Babi nuk gënjen kurrë, – mendoja me vete, ai di gjithçka.
Në televizorin bardhë e zi bukuria e saj i ndriste ekranit. Zytë e saj të qeshur, fyryra enjëllore. Ishte edhe më e bukur se aktoret e filmave me herkula që na lejonin të shihnim gjatë komunizmit.
Ah Margarita!!!
Pata fatin ta takoj Margaritën në Padova, Itali në shtator të vitit 2019.
Ti je vajza e Josifit? – më pyeti.
Po – i thashë gjithë krenari – e Josif Zegalit, patriotit tënd.
-U dëshpërova shumë, më tha – kur mora vesh për ikjen e tij. Jemi takuar per herë të fundit në studiot e televizionit shqiptar. Kishin organizuar një takim dedikuar motrës tënde Tamarës, ku lexova edhe disa poezi të saj.
Bukuria ishte asgjë përpara mendjes së saj të ndritur dhe shpirtit të saj humanitar. Mbeta shumë e befasuar nga sa ndamë bashkë atë mbremje mes miqsh në Padova. Kishin kaluar gati 20 vjet e ajo më tregoi çdo detaj, nga ai takim në memorje te Tamarës, motrës time të ndjerë. Ekspozita me pikturat e saja, dhe libri me poezi i portasadalë nga botimi. Nuk e prisja që sytë e saj të mrekullueshëm të më përcillnin kaq shumë emocione. Nuk isha prezente në atë takim, nuk ndodhesha në Shqipëri. Ajo me rrëfimin e saj më ktheu babain dhe motrën time në një version kaq njerëzor sa sytë tanë u njomën me vesën e mallit dhe të dashurisë.
Ajo ishte nga Lushnja! U binda absolutisht nga zëri i saj me nuancat e dialektit të këtij vendi të dashur, të origjinës së të parëve të mi. Butësia e saj ishte si ajo e gjyshes sime në atë moshë. U përqafuam e u puthëm e më uroj sikur të isha bijë. Unë në përqafimin e saj ndjeva përqafimin e njerëzve të mi, ngrohtësinë e një gruaje që dinte të jepte dashuri pa fund si veç ajo.
Artiste?
Sigurisht, me gërma të arta!
Njerëzore?
Sigurisht, shpirti i saj i pakufi!
Grua?
Padyshim, më e bukura e skenës shqiptare!
E mençur?
Padyshim, me një memorie të hekurt!
E imagjinoj në parajsën me njerëzit e mirë që e presin dhe dritën që do të hedhi mes tyre. Do ti mbrekullojë me praninë e saj.
Kur bukuria ishte e pastër e kthjellët si liqenjtë malorë që reflektojnë kaq afër qiellin, kur Zoti me vetkrenari e me buzëqeshje thosh “kam bërë një kryevepër”, ne themi Margarita Xhepa.
Unë shtoj “E kemi nga Lushnja!”
Vojsava Zagali
Padova, 3 Prill 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply