Edhe pse i kishte kaluar të tetëdhjetat, ajo bëri jo vetëm udhëtimin me avion nga Tirana në Bolonjë, por edhe me makinë nga Bolonja në Pesaro për të qenë në një aktivitet të organizuar për gratë nga Federata FNAI dhe shoqata “Nënë Tereza” e Pesaros. Ishte fundi i shtatorit 2017. Emigrantët shqiptarë e pritën me ovacione e me mall hyrjen në sallën e madhe të yllit të skenës e ekranit shqiptar, Margarita Xhepa. E ajo, me energjinë e saj të pashterrshme, me atë vetullën e ngritur si krah shqiponje, recitoi aty midis tyre njërën pas tjetrës disa poezi, duke e përflakur sallën me zërin dhe interpretimin e saj.
E patëm sërish midis emigrantëve edhe në Asti, kur u inaugurua qendra kulturore, së cilës iu vu emri i saj, Qendra kulturore “Margarita Xhepa”. Edhe aty artistja e madhe e tregoi veten se është e pa moshë dhe e paperëndueshme në botën e artit. Vitet e fundit, udhëtime të tilla ajo i ndërmerrte shpesh në diasporë. E ftonin emigrantët, me mallin për Atdheun, se askush nuk dinte ta përcillte me aq art sa ajo mallin dhe dashurinë për Atdhe.
Sot mësuam se ajo ka marrë udhën e përjetshme për tek yjet. Por ne do ta ndiejmë përherë midis nesh, me zërin e bukur e të fuqishëm, me vështrimin e shqiponjës, me interpretimin mjeshtëror të fjalës së ëmbël shqipe.
Faleminderit e pushofsh në paqe, shqiponja e skenës dhe ekranit shqiptar, margaritari që shndrit në përjetësi, Margarita Xhepa.
Burimi/Facebook


Leave a Reply