Në këto ditë kur zhurmën më të madhe e bën politika, kam ndjerë një kënaqësi të veçantë që më ka ardhur nga një vend krejt tjetër: nga fëmijët. Nga ajo skenë ku “Bilbilat” kanë kënduar, prezantuar e performuar me aq shpirt, duke sjellë emocione të vërteta dhe shpresë të pastër.
Janë fëmijët e miqve, kolegëve dhe të njohurve që më kanë bërë të ndalem, të shoh dhe të mrekullohem. Talente të vegjël me zemër të madhe. Shkëlqejnë në këngë, sport, aktrim, prezantim – dhe më shumë se çdo gjë tjetër, shkëlqejnë në dëshirën për të krijuar, për të dhënë, për të qenë pjesë e diçkaje të bukur.
Sa bukur është të shohësh prindër të përkushtuar, të emocionuar, që rrëfejnë me entuziazëm përkushtimin, lodhjen e ëmbël, e mbi të gjitha, dashurinë që u japin fëmijëve të tyre për t’i ndjekur në çdo hap. E kam ndjerë në shumë biseda këtë emocion të pastër.
Në një kohë kur filmi “Adolescence” na ka bërë të reflektojmë e ndoshta të druhemi për sfidat e brezit të ri, realiteti është po aq i prekshëm sa edhe filmi vetë: fëmijët tanë janë diamante. Ndoshta ende jo të lemuar, por të mbushur me dritë që mezi pret të shpërthejë.
Bravo fëmijëve tanë. Bravo prindërve që dinë t’i shohin, t’i kuptojnë dhe t’i nxisin. Ka shumë shpresë, dhe ajo vjen nga skena ku “Bilbilat” këndojnë, nga fusha ku luajnë, nga çdo vend ku një fëmijë guxon të jetë vetvetja.
Burimi/Facebook


Leave a Reply