Shumë reagime ka shkaktuar vendosja në krye të listës së Partisë Socialiste për qarkun Shkodër e një vajze nga Dukagjini, e cila promovon agriturizmin dhe vlerat malore të zonës së saj, përmes një bujtine të ngritur aty. Në mesazhin e saj falënderues, ajo u shfaq me një kec, një veprim që ndezi edhe më shumë debatin publik. Nga ana tjetër, opozita ka vendosur në krye të listës së saj një profesor nga Elbasani, që është njëherësh edhe drejtuesi politik i qarkut. Nga këto zgjedhje, shtrohet natyrshëm pyetja: kush përfaqëson më mirë Shkodrën?
Tradicionalisht, Shkodra është përfaqësuar nga njerëz që kanë dalë nga gjiri i saj, duke respektuar një ekuilibër të ndjeshëm mes origjinave, besimeve fetare dhe krahinave të ndryshme. Listat e kandidatëve zakonisht hapeshin nga një figurë qytetare, shpesh një emër i njohur nga një familje me histori, ndërsa debati kryesor ishte nëse do të ishte katolik apo mysliman. Ky rotacion i harmonizuar ndër vite zgjidhte gjithashtu renditjen e kandidatëve të tjerë, të cilët përfaqësonin qytetin, Malësinë e Madhe, Nënshkodrën, Pukën dhe Fushë-Arrëzin.
Këtë vit, ky ekuilibër duket se është thyer. Për herë të parë, komuniteti katolik i qytetit të Shkodrës nuk ka një përfaqësues të spikatur në lista, ndërsa opozita ia ka besuar drejtimin një kandidati nga Elbasani. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka zgjedhur të përmbysë traditën duke vendosur në krye të listës një përfaqësuese nga Malësia, duke ndryshuar renditjen klasike të përfaqësimit.
Situata është bërë mjaft interesante dhe, si gjithmonë, shkodranët, të njohur për humorin e tyre, e kanë kthyer këtë në një shaka politike: “Do të përkrahim kecin apo ballakumet?”
Por përtej humorit, lindin pyetje serioze: A është kjo zgjedhje tregues i një emancipimi politik dhe shoqëror? Një gjetje elektorale për të thyer rutinën? Apo një ndryshim i qëllimshëm i balancave të komunitetit? Mos vallë është një dështim i kastave tradicionale që dikur kishin monopolizuar përfaqësimin?
Si e mendoni ju këtë situatë? A është kjo një shenjë e nevojës për ndryshim, apo një krizë e përfaqësimit që po zhbën ekuilibrat historikë të Shkodrës?
Burimi/Facebook/Shkodra Elektronike Kulture


Leave a Reply