Me hidhërim të thellë mësohet lajmi i ndarjes nga jeta të prof. Selman Sheme, një nga studiuesit më të shquar të gjeografisë shqiptare dhe një pedagog i përkushtuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Me një kontribut të spikatur në fushën akademike, ai la pas një trashëgimi të vyer studimore, me vepra që trajtojnë gjeografinë industriale, turizmin, çështjet gjeopopullative dhe etnokulturore të Çamërisë, si dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden: “Dinamika, struktura dhe lokacioni i Industrisë në Shqipëri”, “Kelmendi, vështrim gjeografik e turistik”, “Epiri i Jugut – Çamëria”, dhe “Parqet Kombëtare të Shqipërisë”.
Gjithë jetën e tij ia kushtoi kërkimit shkencor dhe edukimit, duke lënë pas një ndikim të pashlyeshëm në formimin e shumë brezave studentësh. Me punën e tij të palodhur, ai hodhi dritë mbi çështje të rëndësishme të gjeografisë shqiptare dhe identitetit kombëtar, duke e pasuruar dijen me studime të thelluara dhe të argumentuara shkencërisht.
Profesor Selman Sheme do të kujtohet jo vetëm si një studiues i shquar, por edhe si një njeri me vlera të larta, i dashur dhe i respektuar nga kolegët dhe studentët e tij. Universiteti i Shkodrës dhe komuniteti akademik humbin një figurë të rëndësishme të botës akademike shqiptare.
Pritja për homazhe do të bëhet sot, më 23 mars 2025, pranë shtëpisë funerale “Parajsa”, në Tiranë. Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e hënë, më 24 mars 2025, në orën 11:00.
Pushoftë në paqe!
Burimi/Facebook/Universiteti Shkodrës Luigj Gurakuqi


Leave a Reply