Shkollën 8-vjeçare e kam përfunduar te “10 Korriku”, afër Cirkut. Një shkollë e vogël, por e mbushur me jetë. Me zhurmën e ziles që thërriste nxënësit në oborr, me bankat e drunjta që mbanin të gdhendura inicialet tona, me korridoret që gumëzhinin nga të qeshurat dhe ëndrrat tona të pafajshme.
Mësuesit… oh, çfarë mësuesish! Nuk ishin thjesht njerëz që na mësonin lëndë, por ishin ata që na edukuan me vlera, me dinjitet, me dashuri për dijen. Sa prej tyre i kujtoj ende me mall, me respekt, me mirënjohje të përjetshme. Dhe shokët e klasës… Sa fëmijë të mirë ka pasur ajo shkollë! Sot, shumë prej tyre janë bërë dikushi në jetë, por për mua do të mbeten gjithmonë ata fëmijët e dikurshëm, me çantat e mbushura me libra dhe me ëndrrat që nuk njihnin kufij.
Por ka diçka që më ka mbetur në mendje më shumë se çdo gjë tjetër. Diçka që sot, në këtë botë ku të gjithë jemi më të ndarë, më bën të ndaloj dhe të mendoj. Në atë klasë ne ishim të gjithë të ndryshëm – me prindër nga profesione të ndryshme, me karaktere të ndryshme, me ëndrra të ndryshme – por asnjëri prej nesh nuk ndihej i huaj. Askush nuk ndihej i përjashtuar. Dhe kjo nuk ndodhte rastësisht. Tirona e kishte këtë dhunti. Të mbështillte me shpirtin e saj të vjetër, të bënte të ndiheshe pjesë, pa pyetur nga vjen apo si quhesh.
Ishin mbiemrat e vjetër tironas që krijonin atë ndjenjën e përkatësisë. Si mund të ndiheshe i huaj kur rrethoheshe nga Petrela, Nallbani, Hyka, Tela, Shehu, Karaj, Kazazi, Daku, Bylyku, Kasmi, Buneci, Qordja, Zorba, Mema, Vrapi… Mbiemra që nuk ishin thjesht fjalë në regjistrin e shkollës, por simbole të një Tirone që e dinte si të të mbante pranë, pa të pyetur kurrë nëse ishe “i saji”.
Në lagjen tonë, në qytetin tonë, askush nuk ndihej i huaj. Sepse Tir💙na nuk të pyeste kush je, por të mësonte si të ishe një prej saj. Nuk të bonte për vete, por të bonte të vetin… Dhe kush e ka ndjerë këtë njëherë, e di që kjo është një ndjenjë që s’të braktis kurrë më.
Burimi/Facebook


Leave a Reply