
VARGJE QË BLEROJNË MBI ZJARR DASHURIE E PRUSHE MALLI
Rreth vëllimit me poezi “Zjarr në duart e mia” të poetit Remzi Basha
NGA PËLLUMB GORICA
Një metaforë e guximshme, që i jep krahë një simbolike të fluturojë mbi zjarre dashurie e prushe malli. Kjo është brendia e vëllimit poetik të poetit Remzi Basha, “Zjarr në duart e mia”. A thua se ky poet i talentuar është një Promete i vogël, që ka marrë në duart e tij zjarrin e vjedhur nga perendia, dhe me të kërkon të ngrohë zemrat e çdo bashkëatdhetari e mërgimtari, që janë lagur e ftohur nga erërat e largimit nga atdheu. Ky zjarr që poeti mban në duar nuk është deklaratë për të treguar rezistencën e tij ndaj mallit e arsyes njerëzore, por është flaka që ndez ëndrrat e shpresës e flakadan që ndriçon honet e udhët që duhet të bashkojnë njerëzit.
Remzi Basha ka specifikën e vet në trajtimin poetik të realitetit, ka një tematikë të larmishme që rrok gjithçka që pulson jetë, por ama malli për atdhe dhe dashuria për githçka njerëzore e tokësore, është fjongoja e kuqe që lidh me finesë e elegancë, si një buqetë lulesh plot aromë të 86 poezitë e këtij vëllimi poetik. Për të dashuria pikon mall e malli ndez dashuri. Ai që në fillim shfaqet pa asnjë ekuivok , duke ngritur në krahë ëngjëjsh dashurinë:
“Ata që nuk dashurojnë
Hej, ato janë kriminelë
Ata janë fatkëqinj”
Kjo dashuri për poetin ka dimensione madhore, që përfshin brenda mallin për gurët e këngën e zogut, respektin për babain që “në një sy mban një bjeshkë” dhe intimitetin për vajzën që e do sa “hëna e kaltërsive”, dhe është në këtë dashuri malli për Sllapuzhanin, vendlindjen e tij dhe Kosovën që për të është “nëna dhe historia”. Dhe mallin poeti e mban ndezur në plisin e bardhë:
“Pranë fotografisë së plakur
Rri varur këmisha e fëmijërisë
Dhe plisi i bardhë
Që e solla në Suedi”
Dhe pastaj e “gremis në disa kujtime fëmijërie, që bëjnë të mos u rezistojë dot dhe të nxjerr lot mbi qerpikët:
Gjunjët e mij,
Përherë të gërvishtur
Duke vrapuar fushave të Therandës
Dhe maleve të fëmijërisë”
Dashuria për atdheun ngërthen në vetvete të gjitha dashuritë, por ndonëse gjithë të tjerat poeti i përballon me ato cilësi që e ka gatuar perendia e shoqeria dhe këndon:
“Të vdes një mijë herë
E të lind sërish
Prapë: të dua!”
Për poetin plaga e largimit nga atdheu rri gjithmonë e hapur dhe pikon gjak e dhembshuri, ndaj as trupin dhe as mendjen sikur nuk i ka më të vetat ndaj i pezmatuar deri në plogështinë e plagëve të hapura shkruan:
“Se plasa i vetmuar
Këputur vetmie
As trup,trupi im
Në diell s’më bën hije”
Në poezinë e Remzi Bashës, mungon urrejta. Dhe e qenësishme është se poeti nuk shprehet kundra kësaj vetie të pështirë e të dënueshme, por e shmang atë, duke plotësuar çdo bashllëk të ndjenjave njerzore me dashuri. Aty ku ka dashuri me bollëk nuk ka vënd urrejtja.
Poezitë e këtij vëllimi, krijojnë relacione të sinqerta me dhimbjen dhe intimitetet njerëzore,me plagët e Atdheut dhe kujtimet e fëmijërisë, ndaj u mungon deklamimi pompoz dhe hipokrit.
Malli dhe dashuria, janë dy ndjenja në funksion të lajtmotivit kryesor, Atdheut i cili për poetin herë është ëndërr dhe herë gur i zhuritur me lot, herë është ëndërr dhe herë traditë, herë plagë dhe herë ngushëllim, e mbi të gjitha e ingranon si përkushtim për të bërë gjithëka për të.
“Sesi digjem
Duke vuajtur si gurët
E duke vdekur çdo ditë”
dhe përfundon:
“Ti më dhe gjuhën e brezave
më dhe sytë e histories”
Në mjaft poezi simbolika është aq e fuqishme, aq konçize sa që po të rrish e meditosh mbi të, mund të shkruash faqe të tëra:
“Pranë fotografisë së plakur
Rri varur këmisha e fëmijërisë
Dhe plis i bardhë
Që e solla në Suedi”
Në këto vargje janë gërshetuar të gjitha, fëmijëria, pleqëria, malli, i largimit, kujtimet e dikurshme dhe duke i lidhur kujtimet intime me të shkuarën dhe të ardhmen e atdheut dhe popullit që e do shumë poeti ndaj shkruan simbolikisht:
“Se populli im
është krejt i bardhë
Përveç gjurmëve të kuqe të gjakut
E plagëve të zeza”
Tek poezitë e Remzi Bashës jetojnë të tria kohët, e kaluara e tashmja dhe e ardhmja. Duke qenë shumë nostalgjik për çdo gjë njerzore që vjen nga e kaluara, ai e jeton poetikisht të tashmen dhe përgatitet shpirtërisht për të ardhmen. Poeti kuvendon shtruar me vendlindjen e tij, me Kosovën dhe ata që ëndërrojnë për të ardhmen. Ai ecën me prushin e ndezur në dorë dhe në zemër, ndjen gjithçka njerzore buzërrugëve, buzëplagëve, buzëvdekjeve, por s’lodhet kurë se pret agimet e shpresës. Poeti dhe jeta janë të lidhur pazgjidhshmërisht, dhe pavdekshmëria i përket njerëzimit, sado që ka ndërprerje të pakëndshme jete, sado që ka vdekje. Të gjitha zymtive poeti u vë kapak dhe epilogu i ëndrrave të tij është ardhshmëria plot dritë, optimizmi jetëdhënës dhe jo pesimizmi vdekjeprurës, ndaj ai shkruan:
“ Prap lindin agimet
Plot diell”
http://www.zemrashqiptare.net
Per”Alba – Dansk” Shkodrani







Leave a Reply