U zgjova i hareshëm, si dikur në ditën e Bajramit, dhe vesha xhemperin e bardhë, të cilin e ruaj tash e sa vjet, njësoj si atëherë kur në Bajram vishja xhemperin e bardhë me një lule kuq e zi në gjoks, që ma thurte nëna me krrabza. Atëherë e vija edhe plisin mbi flokët e zeza, si tani që vë kapelaçën mbi kokën tullace, dhe shkoja shtëpi më shtëpi, duke trokitur në dyer e duke bërtitur: – Me fat Bajrami!
Ah!
Si m’u kujtua Cenë Selimi… Ai kishte qenë ende në gjumë dhe, mbase i erdhi siklet britma ime, sepse tha: – Çka dreqin po bërtet bre, thi, biri i thiut! Çka je çuar si llampir kaq herët?
Zoja, e shoqja e tij, doli duke qeshur: – Mos u idhno, miralan, se mixhën Cenë e merr gjumi vetëm kur të zbardh dita! – tha dhe më dha dy sheqera të larmë.
Ah!
Sa i hareshëm u zgjova sot. E vesha xhemperin e bardhë, blerë para shumë vitesh në dyqanin e rrobave të përdorura, edhe xhupin e viteve ’90, blerë në Tiranë. Kokën e mbulova me kapelaçë dhe shkova në oborrin e shkollës “Xhemajl Mustafa”. Në heshtje thirra: – Me fat zgjedhjet!
Kur mora fletëvotimin dhe u futa në kabinën e improvizuar me kartona, e nisa të shënoj numrat e deputetëve., m’u duk sikur bëra Bajram me Rrushën, Sykën, Nekën, Shekën…
Po!
Sot ishte ditë Bajrami për çunin e vogël, vetëm se bjeshkët e katundit Drel s’ishin në Dardani. Aty ishte shkolla “Xhemajl Mustafa” dhe njerëzit që prisnin radhën për të votuar. Kur ma bëri vijën e zezë në thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë ajo vajza që jepte fletëvotimet, m’u duk sikur m’i dha sheqerat e Bajramit në shuplakën e vogël!
Askush s’më tha “Urime”, por unë s’u korita; e urova vetveten!
– Urime, plak votimi i 2025-tës, (mbase i fundit për ty), dhe urime ty, “rebel”, që kërkove aq shumë zemra!
Kurriz, 09.02.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply