28 nëntori në Republikën e Shqipërisë është ditë pushimi. Në vendet e tjera të botës jo. As për djalin Mauro, i cili është martuar e ka ndërtuar familjen me një vajzë shqiptare. Madje, pas turnit të punës në një sektor të ndjeshëm, ndërmori një rrugëtim të gjatë. Bashkë me Petrit Aliajn kaluan nga shtëpia ku banoj dhe morëm rrugën për Ravena, rrugë në të cilën na u desh të durojmë të papriturat e trafikut të rënduar.
Në vitin 2020 në Lugo di Ravena u themelua shoqata me emrin e ngrohtë “Vatra”. Njihja prej pak kohësh Presidentin e kësaj shoqate, zotin Dritan Ferhati. Isha takuar edhe me Sekretarin e shoqatës. Ndërsa njoh prej kohësh njeriun e zjarrtë Sefer Kikija dhe familjen tij. Siç e përmenda, edhe pse ditë pune këtu ku jetojmë, në datën e ngritjes së Flamurit, ata kishin vendosur të celebronin me nderime të mëdha ditën madhore të historisë sonë të afërt, pikërisht në datë.
Si shoqatë relativisht e re, kanë arritur objektiva si të ishin shoqatë veterane. Të drejtuar nga Dritan Ferhati, President, Agim Xhureta, Eris Hoxha, Sekretar, Zëvendëspresident, Belul Shehu, terorier, Violanda Bejko, këshilltare, kanë krijuar lidhje të forta me komunitetin në zonën ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Kanë arritur të hapin shkollën që t’u mësojnë gjuhën tonë fëmijëve. Prej kohësh kanë një skuadër futbolli. Ushtrojnë veprimtari vullnetare në ndihmë të komunitetit. Kanë krijuar lidhje të qëndrueshme me komunitetin italian në zonë. Sekretari i shoqatës, zoti Eris Hoxha, është zgjedhur Këshilltar komunal. Kjo ka ndikuar që të ndihet zëri i këtij organizimi shoqëror në mjediset e pushtetit lokal. Madje, janë tejkaluar edhe pritshmëritë, pasi mes komunës Lugo di Ravena dhe bashkisë Belsh, është arritur të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit dhe në proces binjakëzimi.
Në sallën e tej mbushur pjesëmarrësit kuvendonin ndërsa ndihej në sfond muzika. Erdhi momenti kur një vajzë e re, Romina Licka përshëndeti në gjuhën italiane e pastaj në gjuhën shqipe. (Iu desh gjithë kohën të përkthejë respektivisht nga njëra gjuhë në tjetrën e anasjelltas.) Ishin të gjitha arsyet të flitej nga të gjithë oratorët në të dyja gjuhët, pasi një përqindje e madhe e të pranishmëve ishin italianë, miq të shqiptarëve e autoritete lokale. Presidenti i shoqatës Vatra, zoti Dritan Ferhati, shprehu mirëseardhjen dhe uroi gëzuar festën e Flamurit tonë. Përmendi një listë të gjatë personazhesh e institucionesh, bashkëpunëtorësh, të cilëve u përcolli përshëndetjet e gjithë komunitetit që banon në zonë. Në mënyrë elegante, shprehu konsiderata që kuptoheshin pas humorit tepër të spikatur dhe që krijuan situata të këndshme në mjedisin festiv.
Morën fjalën për të përshëndetur dhe persona të tjerë. Ishte presente dhe përshëndeti Kryetarja e Komunës, Elena Zanoni, Zëvendëskryetari, Luigi Pezzi, shefat e Seksioneve, Gianmarco Russato e Federica Ioli. Folën edhe signora Alessandra Montanari përshëndeti ngrohtësisht për festën dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që ka pasur nga komuniteti i zonës. Përshëndetën edhe Michelangelo Vignoli, Presidenti i Ipercoop, signora Paola Mazzoti, Presidente e Circolo Amici del Mondo. Në emër të Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare përshëndeti Presidenti i Nderit Petrit Aliaj.
Me tepër kureshtje u prit fjala e zotit Arif Tafani. Ndihej tepër i lumtur për praninë në festë, të cilën na e uroi me respekt e mirënjohje. Në çdo fjalë përcillte dashurinë e mallit e vendlindjes. Pastaj, një kënaqësi e veçantë, për nisjen e procesit të binjakëzimit mes komunave, nismëtare e të cilit është shoqata “Vatra”, falë kjo punës me cilësi e si shprehje e integrimit të bashkatdhetarëve tanë.
Skuadra e bukur e ardhur nga bashkia Belsh kishte sjellë me vete dy instrumentistë, dy këngëtarë, dy valltare e dy valltarë. E nën efektin e bukur të muzikës sonë nisi e vazhdoi një festë e madhe e cila kulmoi me valle masive e këngë në kor.
Sytë dashamirës të presidentit Dritan Ferhati, gjesti i tij fisnik, dora ngrohtë mbi shpatulla dhe bisedat me mikun e hershëm Sefer Kikija, tepër i njohur për publikun si personazh i mediave, na konfortuan e na bënë të merrnim ve vete mikpritjen që hijeshon shqiptarin.
Gjatë mbrëmjes, një befasi e këndshme më vjen nga Danimarka. Më vjen një zile në telefon. Shoh emrin e mikut tim Moderator të Radio Projekti 21. Në transmetimin direkt, më kërkoi të përcjell një urim për dëgjuesit, me rastin e Ditës së Flamurit. Këtë urim e përcolla nga atmosfera festive në Ravena, ku, përkundër temperaturave dimërore, në gjirin e “Vatrës” ku u gjendëm ngrohtë.
Burimi/Derguar nga Autori


Leave a Reply