-Rreth librit “Rrëfime të një gruaje” të Elena Stafa Dakës-
E hasa rastësisht në fb. Më tërhoqi vëmendjen një tregim i shkruar me një gjuhë fëmijërore dhe me plot ngjyrime të dialektit të Kavajës. Më rrëmbeu aq shumë, sa e mbarova së lexuari dhe iu ktheva sërish nga e para. Këtë herë jo për subjektin dhe ngjarjet e tij, por pikërisht për atë gjuhën e pasur. Subjekti, i ndërtuar në mënyrë të tillë, që të mbushte me emocion, ishte ai që më kishte bërë ta lexoja me një frymë. Kurse gjuha e përdorur ishte ajo që më bëri të shijoja edhe një herë çdo rresht të atij tregimi, që më mbeti në mendje.
Emri i autores ishte i padëgjuar për mua. Madje nuk e kisha ende as në rrethin e miqve të mi në fb. Elena Stefa Daka. Por, mbase isha unë i vonuar në njohjen e saj, sepse pashë që ajo kishte shumë lexues, të cilët e ndiqnin me interesim, e lexonin dhe e komentonin me dashamirësi. Dhe nuk ishin nga ata komentues që të mbushin me lajka e me pëlqime pa lexuar asnjë rresht. Por ishin lexues të kualifikuar, që shprehnin po ato emocione që kisha provuar edhe unë nga leximi i tregimit.
Lexova edhe një tregim tjetër. Edhe një tjetër. Pastaj isha unë që i kërkoja mbrëmjeve tregimet e saj e i lexoja me shumë ëndje. Pas lodhjes së ditës, ato tregime ishin jo vetëm një çlodhje, por edhe shijim i një letërsie të mirë. Ato sillnin mbresa jete të përjetuara nga autorja, por të treguara në mënyrë të tillë, që të rrëmbenin e të preknin telat e zemrës.
Një pjesë e atyre tregimeve ishin pjesë e ditarit të një vogëlusheje me emrin Leni, një vogëlushe e gjallë e syxhixhë, e aftë të mblidhte pas vetes një taborr me kalamaj, që e dëgjonin si ta kishin komandanten e tyre, e mbushur me ide për të organizuar aktivitete nga më të ndryshmet e për ta bërë atë lagjen karakteristike kavajase një arenë ngjarjesh të bukura, që nga rrokullisjet tek sopi, larjet në kanal, beteja me gjela deti, vjedhja e kumbullave e ideve, lebetitja nga “fantazma” e plot e plot të tjera.
Amfiteatri i ngjarjeve të tregimeve të Elenës është kryesisht ajo lagje e Kavajës ku ajo ka lindur, apo qyteti me rrethinat e tij, duke kaluar rrallëherë si shkarazi në Durrës, apo në Elbasan, ku ajo ka kryer studimet për mësuese. Por forca e fantazisë dhe e penës së saj, galeria e gjerë e personazheve, njëri më i bukur e më tërheqës se tjetri, shumëllojshmëria e ngjarjeve herë romantike, herë dramatike e deri edhe në tragjike, na e sjellin botën e Kavajës po aq të gjerë e intriguese, sa të një qyteti të madh metropolitan. Dhe kjo, sepse autorja është një vëzhguese e hollë e realitetit, një mësuese e vëmendshme dhe njohëse e thellë e botës së fëmijëve deri aty ku nuk shkon fantazia e lexuesit, një qytetare e denjë e qytetit të vet, që i do shumë vendlindjen dhe banorët e saj, për të cilët shkruan me një dashuri të pakufishme. Ky vëllim me tregime është një homazh i bukur që autorja i bën qytetit të vet dhe banorëve të tij.
Në atë pjesë të librit ku nën titullin “Ditari i Lenit”, përmblidhen tregimet e fëmijërisë, heroina e ditarit, Leni (që në fakt është vetë autorja), ka përdorur tërësisht dialektin kavajas. Është impresionuese fakti se goja e një vogëlusheje që rrëfen ngjarjet, ka një fjalor kaq të pasur e plot ngjyra, i përdor me aq efektivitet fjalët e vjetra si të nxjerra nga sëndyqet e gjysheve dhe të bën të përjetosh jo vetëm ngjarjet, por edhe ambientin tipik kavajas. Në pjesët e tjera të librit, është autorja që tregon, tashmë e rritur, por duke përdorur kryesisht gjuhën letrare. Dialektin kavajas në këto tregime ajo e përdor vetëm për të tipizuar personazhet dhe këtë e bën me një mjeshtëri për t’u patur zili. Duke qenë në jetë një mësuese gjuhe dhe letërsie, ajo nuk ka ndenjur as indiferente e as pasive ndaj faktorit gjuhë. Përkundrazi ajo ka qëmtuar me pasion fjalë, shprehje e frazeologji të dialektit kavajas, të cilat i ka përdorur si një thesar më vete e si një gur të çmuar, që u jep më shumë dritë e shkëlqim tregimeve të saj. Kjo i bën tregimet e saj aq origjinale e njëkohësisht tërheqëse.
Mendoj se këtë punë që ka bërë kjo intelektuale dhe mësuese e gjuhës, duhet ta bëjmë të tërë. Misioni i krijuesit është që ta pasurojë gjuhën, kur ulet të shkruajë. Dhe Elena Stefa Daka këtë e ka patur si përparësi (pa e kthyer në qëllim më vete), kur është ulur të shkruajë tregimet e saj. Them pa e kthyer në qëllim më vete, sepse gjuha e personazheve të saj rrjedh aq lirshëm e natyrshëm, sa nuk ka kurrfarë shtirjeje apo artificializmi, që do t’i bënte tregimet të sforcuara.
Në tregimet që përfshijnë jetën e mësuesisë, të familjes, të ambientit shoqëror, është gruaja që është ulur të rrëfejë. Një grua me botë të pasur e të madhe, tepër e ndieshme ndaj problemeve, shqetësimeve, gëzimeve të njerëzve që ka përreth në punë e në lagje. Tregimet e saj janë të besueshme e tërheqëse edhe për faktin që ajo i vendos në spektrin kohor e shoqëror, të një shoqërie në transformim, ku shumë gjëra përmbysen me efektin e dhimbjes, por edhe të shpresës për ndryshime pozitive, ku shumë gjëra të reja lindin shpeshherë me trauma jo pak tronditëse. Dua të përmend njërin nga tregimet, atë me titull “Dyfish e përvëluar”. Të gjithë e kemi përjetuar me dhimbje tragjedinë e Gërdecit. Kemi lexuar rreth saj artikuj, tregime e poezi. Por mënyra si e sjell autorja këtë tragjedi në tregimin e saj, edhe pas kaq vitesh që kanë kaluar, e bën lexuesin ta përjetojë dhimbjen me një forcë të tillë që është e pamundur mos t’i rrjedhin lot nga emocioni i fortë. E një forcë të tillë emocionale e kanë pjesa më e madhe e tregimeve të saj.
Personazhet e tregimeve të Elena Stefa Sakës janë njerëz realë, të cilët ajo i ka njohur nga afër, i ka dashur dhe ka gëzuar dashurinë e tyre, i ka ndihmuar dhe u është gjendur pranë në rrethana të vështira. Ngjarjet janë të tëra të përjetuara realisht. Por është forca e përshkrimit e penës së autores, që i ngre ato në art dhe na bën t’i përjetojmë nga stadi i letërsisë së mirë.
Ka edhe tregime si “Aida”, “Mall” e ndonjë tjetër, që nuk dalin tej kornizës së skicës letrare përsa i përket kompozimit e subjektit, por emocionet që ato përcjellin janë të të njëjtit nivel me tregimet. E këtu vepron edhe fakti që autorja shkruan jo vetëm në prozë, por edhe në poezi. Dhe fjala poetike e saj e bën emocionin të jetë bio dhe të prekë zemrën e lexuesit.
Elena Stefa Daka e ka titulluar librin e saj “Rrëfime të një gruaje”. Kjo, sepse në qendër të veprës është vetë ajo, gruaja, që nga fëmijëria e saj me ditarin e vet, tek adoleshenca e pafajshme, tek rinia e bukur e energjike, jeta familjare e profesionale. Duke qenë shpeshherë vetë në qendër të ngjarjeve apo e lidhur ngushtë me protagonistët e tregimeve, ajo kthehet në një rrëfyese autentike, që ka përjetuar me emocion të fuqishme të gjitha ngjarjet. Dhe këto emocione i përcjell me aq delikatesë tek lexuesi, duke iu dhënë tregimeve një origjinalitet të rrallë.
Duke qenë në detyrën e redaktorit, që ma besoi autorja, një nder për të cilin e falënderoj nga zemra, më është dashur t’i kaloj disa herë nëpër duar tregimet. Dhe mund të them që sa herë u jam rikthyer, kam provuar të njëjtat emocione. Dëshiroj që edhe ti, i dashur lexues, që ke librin në dorë, ta përjetosh këtë gjë dhe të shijosh bukurinë e rrëfimeve të sinqerta, të zërit të ngrohtë të Elena Stefa Dakës, që hyn me hap të ndrojtur, por të sigurtë në prozën e shkurtër shqipe, në gjininë e tregimit.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply