Miliona amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën për të zgjedhur presidentin që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Votuesit amerikanë do të vendosin nëse Nënpresidentja Kamala Harris do të bëhet presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara, ose do të rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë ish Presidentin Donald Trump, i cili humbi zgjedhjet në vitin 2020.
Anketat e opinionit tregojnë se demokratja Harris dhe republikani Trump ndodhen përballë një prej garave më të ngushta presidenciale në dekada. Fituesi i zgjedhjeve e fillon mandatin katërvjeçar në janar të vitit 2025.
Sipas analistëve, rezultati përfundimtar ka të ngjarë të përcaktohet nga vota në shtate shtete, që cilësohen fushëbetejë. Sondazhet tregojnë se rivalët gëzojnë një mbështetje pothuajse të barabartë, me rreth 2% dallim nga njeri-tjetri.
Në varësi të avantazhit të votave, dhe shpejtësisë së numërimit të fletëve të votimit në shtetet kyçe, ka gjasa që fituesi i mundshëm të njoftohet vonë të martën ose herët të mërkurën.
Megjithatë, gara e ngushtë ka rritur shanset që fituesi të mos dihet në natën e zgjedhjeve. Rezultati në Dixville Notch, një fshat në Nju Hempshër, cili sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, duke u bërë i pari që voton dhe shpall rezultatet, mund të jetë një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve. Në Dixville Notch, ku ka vetëm 6 votues të regjistruar, vota u nda në mes, tre për zotin Donald Trump dhe tre për zonjën Kamala Harris.
Në garën presidenciale të vitit 2020 u deshën katër ditë për të shpallur fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, zoti Trump ka pretenduar pa fakte, se nëse ai humb, kjo do të ndodhte për shkak të manipulimit të votave.
Fushata e zonjës Harris është përgatitur për mundësinë që ai të shpallë fitoren përpara se të dihet fituesi të martën mbrëma apo të mos pranojë rezultatin, nëse ajo i fiton zgjedhjet. Katër vjet më parë, zoti Trump nisi një përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që përfundoi me një sulm më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit.
Republikani Trump, 78 vjeç, i kaloi orët e para të ditës së zgjedhjeve në shtetin fushëbetejë të Miçiganit. Ai i dha fund fushatës me një tubim natën vonë në Grand Rapids, një bastion republikan ku ai u dha fund garave presidenciale në vitin 2016 dhe 2020.
“Jemi në formë shumë të mirë. Më duhet t’ju them se ne jemi në avantazh për sa i përket votimit”, tha zoti Trump në një fjalim pas mesnatës. Ai ngriti pretendimet se Harris dhe demokratët mund të fitonin vetëm përmes manipulimeve.
“Atyre u duhet të manipulojnë, dhe e bëjmë mirë këtë gjë”, tha zoti Trump. Ai fajësoi zonjën Harris, gjë që e ke përsëritur gjatë gjithë fushatës, për çmimet e larta të konsumit dhe fluksin e emigrantëve pa dokumente që janë futur në Shtetet e Bashkuara.
Republikani Trump, i cili votoi personalisht të martën, po e kalon ditën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. Ai ka në plan të ndjekë rezultatin e zgjedhjeve në West Plam Beach.
Demokratja Harris, 60 vjeçe, i dha fund fushatës me një tubim të hënën mbrëma në qytetin e Filadelfias, ku këngëtarja e njohur Lady Gaga, grupe muzikore dhe ish-prezantuesja e famshme e emisioneve televizive, Oprah Winfrey, shprehën mbështetjen për kandidaten demokrate.
Nënpresidentja Harris nuk e përmendi emrin e zotit Trump në fjalimi e saj në një tubim me rreth 30, 000 pjesëmarrës, duke thënë se “sonte e mbyllim fushatën ashtu siç e nisëm, me optimizëm, energji, dhe gëzim, duke e ditur se ne populli kemi fuqinë për të vendosur për të ardhmen tonë”.
Zonja Harris do ta ndjekë procesin zgjedhor dhe publikimin e rezultateve në Universitetin Howard në Uashington, ku është diplomuar për çështjet ekonomike dhe shkencat politike në vitin 1986. Zonja Harris tashmë ka votuar me postë në Kaliforni.
—————————————————————-
Shtetet që mund të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale
Kush do të fitojë garën për kontrollin e Kongresit?
Zgjedhjet e së martës do të përcaktojnë se cila parti do ta ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan dhe me të edhe fuqinë për të kontrolluar agjendën e presidentit.
Garat kryesore po zhvillohen krahas zgjedhjeve të para presidenciale që prej kur ndodhi sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, por edhe në pjesë të papritura të vendit pas njërës prej periudhave më kaotike të punës së Kongresit në dekadat e fundit.
Në fund, vetëm një numër i vogël vendesh, madje ndoshta vetëm një ulëse, do të përcaktojë se cila parti do të ketë kontrollin në dy dhomat e Kongresit.
Ekonomia, siguria e kufirit, të drejtat riprodhuese dhe e ardhmja e demokracisë amerikane ishin ndër temat kryesore të fushatës.
Në Senat, ku demokratët tani kanë një shumicë të vogël me 51 vende, republikanët, që tani kanë 49 vende, pritet të shënojnë një fitore të hershme në shtetin e Virxhinias Perëndimore, duke krijuar një ngërç në këtë institucion.
Garat kryesore për të përcaktuar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të përqendruara në Nju Jork dhe Kaliforni, ku republikanët viteve të fundit arritën të fitonin përkrahje me disa ligjvënës të popullarizuar, që u sollën atyre fitoren.
Garat tjera për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të shpërndara në pjesë të tjera të vendit, me vetëm disa dhjetëra kandidatë që po sfidohen. Prej tyre, gara të rëndësishme po zhvillohen në Mein, Nebraskë dhe Alaskë.
Numrimi i votave në disa raste pritet të zgjasë përtej ditës së martë.
“Jemi shumë afër për ta rikthyer shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë afrikano-amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve nëse Partia Demokrate fiton shumicën.
Por Krytari i tanishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson thotë se republikanët do të “rrisin” epërsinë e tyre.
Gara për kontrollin e Kongresit ka fuqinë t’i jetësojë apo t’i rrënojë përparësitë e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.
Kongresi po ashtu mund të luajë rol në vazhdimin e traditës amerikane për transferimin paqësor të pushtetit. Para katër vitesh, zoti Trump nxiti turmën e përkrahësve të shkonin në Kapitol dhe shumë republikanë në Kongres votuan kundër certifikimit të fitores së Presidentit Joe Biden.
Kongresi sërish duhet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2025.
—————————————————–
Zgjedhjet me pasoja të mëdha për Amerikën dhe botën
Pasojat e mundshme të një mandati të dytë të zotit Trump janë rritur nga komentet e tij në mbështetje të së djathtës ekstreme dhe shpërfillja e tij për normat e qëndrueshme demokratike.
Zoti Trump ka përdorur retorikë të ashpër kundër zonjës Harris dhe demokratëve të tjerë, duke i quajtur ata “djallëzorë” dhe ka sugjeruar veprime ushtarake kundër njerëzve që ai i quan “armiq të brendshëm”. Zonja Harris, duke vënë në dukje paralajmërimet e ish ndihmësve të zotit Trump, e ka quajtur atë “fashist” dhe fajësoi zotin Trump për rrezikim të jetës së grave përmes emërimit të tre anëtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë, të cilët ndihmuan në përmbysjen e ligjit Roe kundër Wade, që e kishte bërë abortin të drejtë kushtetuese. Në orët e fundit të fushatës, ajo u përpoq të përdorte një ton më pozitiv dhe kaloi të hënën gjithë ditën e fundit pa përmendur emrin e rivalit të saj republikan.
Zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë shprehën besimin në integritetin e sistemit zgjedhor të vendit një ditë para zgjedhjeve. Megjithatë, ata janë përgatitur të përballen me atë që ata thonë se është një nivel i pashembullt i fushatave të dezinformimit nga vendet rivale, veçanërisht nga Rusia dhe Irani, si dhe mundësinë e dhunës fizike apo sulmeve kibernetike.
Fushatat e dy kandidatëve kanë punësuar një numër të madh avokatësh në pritje të betejave ligjore në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj. Agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë vendin janë në gatishmëri të lartë për t’u përballur me mundësinë e veprimeve të dhunshme.
Gara presidenciale po ndiqet me vëmendje në mbarë botën, sepse rezultati i zgjedhjeve do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën, angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancave të saj globale dhe luftën kundër udhëheqësve autokratë të botës.
Nënpresidentja Harris është zotuar të vazhdojë mbështetjen për Kievin në luftën kundër Rusisë, e cila në vitin 2022 filloi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Ish-Presidenti Trump ka kritikuar ashpër Ukrainën, ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin dhe ka sugjeruar se ai do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte aleatët amerikanë të NATO-s, që nuk i përmbushin detyrimet financiare në fushën e mbrojtjes.
Përveç zgjedhjes së Presidentit, në këto zgjedhje po votohet edhe për Kongresin dhe nisma ligjore në shumë shtete për të drejtën e abortit.
Më shumë se 82 milionë njerëz votuan herët, duke arritur afër rekordit të vendosur gjatë pandemisë në 2020, kur zoti Trump inkurajoi republikanët të votonin në ditën e zgjedhjeve. Këtë radhë, ai u kërkoi votuesve të tij që të votonin herët dhe një pjesë e madhe e tyre e bënë këtë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply