Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarje e rëndë e shënuar në Shkodër, ku Elis Rroshkodoli u ekzekutua teksa pinte kafe në një lokal.
Burime për media bëjnë me dije se autori ka qëlluar 18 herë drejt tavolinës, ku qëndronte i ulur 36-vjeçari. Disa nga plumbat i përshkruan trupin duke e lënë të vdekur në vend.
Më herët u tha se autori pasi vrau “shënjestrën”, u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë, mirëpo informacionet e fundit tregojnë se nuk ka qenë një person që ka kryer vrasjen, por disa bashkëpunëtorë.
Këtë e tregon edhe fakti që pas vrasjes autori është larguar me një makinë që e priste vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes.
Mirëpo duket se viktima ka pasur një të shkuar kriminale. Veç faktit që ka qenë në kërkim nga Rumania për një plagosje me thikë dhe i arrestuar në Belgjikë për grabitje, Elis Rroshkodoli është i përfshirë dhe në të tjera ngjarje kriminale.
Ai në 2014 pas një konflikti ka plagosur me armë 2 vëllezërit në Shkodër. Edhe pse për shumë vite ka jetuar jashtë duket se sërish 36-vjeçari kishte krijuar armiq që e donin të vdekur.
Po ashtu familja Rroshkodoli, vite më parë është tronditur nga një tjetër ngjarje, ku kryefamiljari, babai i Elisit, Kujtim Rroshkodol u vra në 1997.
Policia tashmë ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për pistat që çuan në këtë vrasje si dhe për identifikimin e autorëve. Po ashtu mediat raportojnë se policia është në ndjekje të një makine, ku dyshohet se janë autorët e ngjarjes.
Policia informacion për vrasjen në Shkodër: Viktima kishte armë me vete gati për qitje
Policia ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e shënuar në Shkodër, ku në ambientet e një lokali u ekzekutua Elis Rroshkodoli.
Policia njofton se një person i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri 36 vjeçarin, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë.
Duket se viktima i druhej ndonjë atentati, pasi edhe ai qarkullonte me armë me vete. Në njoftimin e policisë thuhet se grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.
Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Burimi/newsbomb.al/


Leave a Reply