Kur rritesh, e kupton se lumturinë nuk e gjen te gjërat e mëdha.
Nuk e gjen as te lufta që bën me botën kur je 20 vjeç dhe do të dalësh medoemos gladiatori fitimtar.
Nuk e gjen as te bindja se dashuria është gjithçka.
Nuk e gjen as te emocionet e forta që shpërthejnë si fishekzjarre.
Nuk e gjen as në majën e qiellgërvishtëses dhe as te sfidat e vështira.
Kur rritesh e kupton se lumturinë e gjen te gjërat e vogla, por të çmuara.
Dhe kupton se aroma e kafes në mëngjes është një ritual i vogël lumturie, se mjaftojnë tingujt e një kënge, ndjesitë e një libri me ngjyra për të ta ngrohur zemrën, se mjafton era e kuzhinës, poezia e piktorëve të lumtur, se mjafton turiri i maces apo i qenit tënd, për ta ndjerë pakëz lumturinë.
Dhe kupton se lumturinë e gjen tek emocionet e heshtura, te shpërthimet e vogla që fshehurazi ta hapin zemrën, se mund të mallëngjehesh nga yjet dhe mund të të shndritin sytë nga dielli.
Dhe kupton se një fushë me luledielli mund të ta ndriçojë fytyrën, se aroma e pranverës të zgjon nga dimri, se leximi i një libri në hijen e pemës ta shplodh dhe ta qetëson mendjen.
Dhe kupton se dashuria gjendet te ndjesitë e hijshme, te pranitë që i ndien afër edhe kur ndodhen larg.
Dhe kupton se koha tretet, se pesë minuta mund të jenë shumë më të çmuara dhe shumë më të gjata se disa orë të mbledhura bashkë.
Dhe kupton se mjafton t’i mbyllësh sytë, ta ndezësh shpirtin, të nxjerrësh diçka nga furra në kuzhinë, të lexosh një poezi, të mbash shënime nga një libër, apo të shikosh një fotografi, që të mos ta ndiesh kohën dhe largësinë që të ndan nga njerëzit që i ke në zemër.
Dhe kupton se të dëgjosh një zë në telefon, apo të marrësh një mesazh që nuk e prisje, do të thotë të përjetosh çaste të vogla lumturie.
Dhe kupton se të mbash në dorë një foshnje është mrekullia e mrekullive.
Dhe kupton se dhuratat më të çmuara janë ato që të sjellin ndërmend njerëzit që do.
Dhe kupton se ka lumturi edhe tek ai nxitimi yt për t’i shkruar mendimet në një copë letër.
Dhe kupton se edhe te melankolia e gjen një grimcë të hidhur lumturie.
Dhe kupton se me gjithë vetëmbrojten tënde,
me gjithë dëshirën apo fatin tënd, në zemrën e çdo pulëbardhe që fluturon, gjendet një Jonathan Livingston i vogël dhe i madhërishëm.
Dhe kupton se sa e bukur dhe e madhërishme është thjeshtësia.
Richard Bach
Përktheu- Elona Caslli
Burimi/Facebook


Leave a Reply