Sot, në “Pashkën e Vogël” të 15 gushtit, u ngjitë në malin karshi detit, përkundruall Korfuzit, edhe një amerikane, Zonja Alyssa Salazar, me bashkëshortin e saj polak Martin Vojtala dhe e shoqëruar nga familjarët e mi, me në krye Arëzën. Është hera e dytë që vijnë këtu, që nga Mbretëria e Bashkuar Angleze, së bashku edhe me time bijë e me bashkëshortin e saj, po piqerasiotë… Dhe vijnë pikërisht tek unë, ish i dënuari i galerës, i cili në njërën prej akuzave të tij , kishte edhe këtë: “Ke lavdëruar para punëtorëve të minierës së Memaliait (ku të dërgoi Partia për tu riedukuar!), amerikanin Emiljano Zapata dhe interpretuesin e tij , po amerikan, Marlon Brando!”, plus edhe me “broçkulla” të tjera të asaj kohe. Por, prej 1978-ës (dy ditë pa hyrë Viti i Ri), pasi më ishin hedhë ”unazat e hekurta ndër duar”, kanë kaluar 46 vite, që në derën e shtëpisë time të hyjë edhe kjo bijë e revolucionit Meksikan, po nga ajo derë e ndritur, e shpërngulur më pas në Kalifornia të Amerikës (në Hollivud) e mandej në Londër, ku do ngrinte aty një shkollë Koreografike e ku do të njihej e bëhej shoqe e afërt me time bije, të punësuar po në Londër, (me hobin e artit edhe ajo!), si kishte përfunduar studimet në Universitetin e Uellsit.
Kjo “spirale” e kohëve moderne, tashmë eshtë një realitet, prej të cilit nuk mund të habitesh aspak. Bota nuk është më ajo e para. Bota është e jona! Dhe “ateizmi” ynë , bashkë me “patriotizmin e ngurtë”, kanë pësuar ndryshime e marë pamje krejt të reja. Në këtë manastir të braktisur, ku janë vjedhur e zhdukur ikonat e para 500 vjeçare, kanë mbetur vetëm muret dhe një varr, ku ndodhet i varrosur në këmbë Prifit ynë nga Konomajt, si edhe ikona e famshme e Shën Maries së Kremesovës, tashmë e restauruar dhe e vendosur në Kishën e Villa Badessës në Itali, ku vajtën mërgimtarët e parë piqerasiotë përmes detit, që në vitin 1743 dhe e morën me vete për tu feksur udhët e largëta dhe fatin e tyre…E që nuk e patën atë, si fatin tonë të trishtuar…
Dikur në sheshin me pllaka guri të këtij manastiri, ku fshatarët e mi shinin me kuaj edhe grurin që e bënin vetë nëpër malet përreth, sa herë që vinte 15 gushti tundej dheu nga vallja e jehona e këngës. Ndërsa neve fëmijëve hirësia e tij Toti i Xhane na bënte vëllemër e pastaj prisnim majat e gishtave e pinim gjakun e njëri tjetrit. Duke bredhur më mbrapa nëpër manat e kuq të manastirit, kush e kush t’i skuqte më shumë buzët, për një vëllazëri të përjetshme…Pa e menduar asnjëherë se do të vinte edhe kjo ditë që këtu të vinin e të shkelin edhe miq nga bota, si kjo amerikania Alyssë me të shoqin polak Wojtala, të punësuar në Bankën Botërore të Londrës, që më sollën si dhuratë “shkopin magjik”, mjaft elegant, që edhe mund të mblidhet në xhepin tim e pastaj të hapet, kur ta dua, që mos të rrëzohem më në rrugë e ne jetë, si jam rrëzuar disa herë me radhë e përsëri shenjtori Mihail e ka shpëtuar Mihalin në fjalë për t’u mos u rrëzuar më….
Mirëse na erdhët Alyssa Salazar e Martin Wojtala, që e gëzuat me ne PASHKËN!
Piqeras, më 15 gusht 2024




Burimi/Facebook


Leave a Reply