Këto ditë të nxehta të verës ka ndodhur “diçka”, që nga përmasat, emocioni e domethënia e bën çdo shqiptar të vendosë pëllëmbët e lidhura si shqiponjë në kraharor e të “bërtasë”, kush me zë e kush me mendje: “Na nderove, shqipe!”. Një Mjeshtër i madh shqiptar, Spiro Ruço, themelues i Argjendarisë Artistike Pirro, merr pjesë me kryeveprën e tij në konkurimin më prestigjoz ndërkombëtar të orëve, Çmimin e Madh të Horologjisë në Gjenevë, mes emrave të përbotshëm si Piaget, Chopard, Tiffany, Hermes, Luis Vuiton, Van Cleef&Arpels, Bvlgari apo Dior. Kryevepra e tij, Primordial Passion, (Pasioni Primal) në fakt është skena shqiptare kuq e zi, ku, si nga askush tjetër më parë, është vendosur në një piedestal sublim, shumëçka nga ashti më i bukur i trashëgimisë kulturore unike kombëtare. Dymbedhjetë valltarë, me kostumet më përfaqësuese të të gjithë trevave shqiptare, (punë jo e lehtë për të zgjedhur mes mbi 300 prej tyre), që ndonëse statikë mbi skenë, transmetojnë një dinamikë dhe plastisticitet aq të lartë që në çdo sekondë të bën të imagjinosh me sytë e mendjes lëvizjen e radhës plot elegancë, në ritmin e kuartetit të instumentistëve po aq virtuoze. E besoj që këtu fillon “primordial-ja” e kësaj kryevepre: vallja, shprehja fillestare e artit, që në tërësinë e elementëve të veprës, kthehet në një simfoni pasioni dhe bukurie. Unikja e kostumeve, veçanërisht xhubleta, fustanella e plisa, por edhe e instrumentave, si lahuta, e pasurojnë në thelb këtë shfaqje homeriane. Në mes të këtij ansambli, qëndron një protektore unike, sa fizike aq edhe simbolike, që shumëfishon shqiptarinë e derdhur në çdo atom të kësaj kryevepre nga një Kryemjeshtër si Pirro, Shqiponja jonë kombëtare, e cila vështron ngultas në katër drejtimet e horizontit, si për të ngërthyer, kontrolluar e mbrojtur çdo dimension të ekzistencës, aq sa kthetrat e saj janë ato që markojnë Kohën mbi fushën e kuqe… Ka diçka primordiale edhe në imazhin e kryqit që përceptohet nga pozicionimi në katër drejtime i shqiponjës: është domethënia para-kristiane e parareligjioze e kryqit, si simbol pagan i diellit dhe i ndarjes së kohës në katër stinë. Jo më kot kjo simbolikë elegante ndodh mbi një mozaik perfekt të qelqit të Muranos, primordial në llojin e tij, pasi pikerisht aty lindi qelqi e kristali që më pas u bë pjesë e pazëvendësueshme e utilitetit dhe e të bukurës në civilizimin modern.Përzgjedhja e motivit të koronës së orës, është gjithashtu e qëllimshme, domethënëse dhe elegante: motivet e kapitelit të kolonave antike korinthiane ionike janë dëshmi e trashëgimisë më të hershme të rajonit, të cilës i përkasim.
Por, “primordial-ja” më e madhe është shpirti i vetë krijuesit të kësaj kryevepre. Ai, krijuesi i të bukurës, i pa kompromis për perfeksionin që nxjerr nga duart e tij, pasionanti për të bukurën, dashnor i flaktë i teknologjisë më të lartë, gjë që çudit jo vetëm shumë bashkpatriotë të tij, por ka “shokuar” ekspertët më të famshëm të horologjisë artistike.
Kam lexuar shumë nga komentet e analistëve të lirë por edhe vlerësuesve të konkurrimit prestigjoz të Çmimit të Madh të Horologjisë në Gjenevë, apo siç quhet ndryshe, të “Çmimit Oscar për Orët”. Dikush ndihet “i trullosur”, dikush “i rrënqethur”, dikush edhe dëshmitar i një “çmendurie” artistike. Dikush tjetër e përcaktoi “një kryevepër shqiptare e krijuar nga asgjëja”. Efekti i këtyre reagimeve sa profesionale aq edhe emocionale shumëfishohet kur mendon që këta janë pikërisht ata që kalojnë në lupën e tyre rigoroze profesionale me mijëra vepra të horologjisë nga e gjithë bota. Sigurisht, që kjo kryevepër është një surprizë. Por dikur do të vinte. Pirro kishte 30 vite që mendonte, akumulonte e punonte për të “shpërthyer” me ketë kryevepër. Ai gjithmone ka dashur “to measure time with timeless beauty”. Dhe tani ia arriti në mënyrën më supreme. E materializoi duke shkrirë në të shumë pasion, shumë art, shumë teknologji, por mbi të gjitha, shumë shqiptari. Bukurinë e artit, pasionit, dashurisë e mishëroi në një vepër që, besoj, ka hyrë në histori, pavarësisht se si do të jetë rezultati i konkurrimit të shtatorit në Gjenevë.


Burimi/Facebook


Leave a Reply