Ishte vetë nëna kineze e foshnjës së porsalindur, e cila u nxor nga një gyp i kanalizimit, ajo që i kishte alarmuar shërbimet e shpëtimit duke qenë e pranishme gjatë përpjekjeve dyorëshe për shpëtimin e foshnjës, por nuk kishte pranuar se ajo e kishte lindur foshnjën, derisa ishte ballafaquar me policinë
Gazeta “Dushikuaibao” shkruan se policia kishte filluar të dyshojë kur kishte gjetur lodra dhe letër tualeti të gjakosur në dhomën e marrë me qira nga gruaja 22-vjeçare në një ndërtesë në lindje të Kinës, në të cilën ishte gjendur foshnja të shtunën.
Ajo i kishte thënë policisë se nuk kishte para për të kryer abort dhe se e kishte lindur foshnjën në fshehtësi të shtunën pasdite në banjo. Ajo ka thënë se ishte përpjekur ta kap foshnjën, por ajo kishte rënë në bidenë e tualetit dhe ka rrëshqitur në gypin e kanalizimit. Menjëherë 22-vjeçarja kishte alarmuar pronaren e banesës, por ai nuk kishte mundur ta nxjerr foshnjën nga gypi, transmetojnë mediat kineze.
Aksioni i shpëtimit të foshnjës
Video xhirimi i shpëtimit të foshnjës numër 59, të cilën e kanë pagëzuar kështu sipas numrit të inkubatorit në spitalin ku është vendosur, ishte transmetuar në lajmet dhe sajtet kineze të hënën në mbrëmje, kurse më vonë këto xhirime kishin përshkuar tërë botën, duke shkaktuar njëkohësisht edhe rrëqethje dhe solidaritet me foshnjën e porsalindur.
Edhe pas pranimit të së ëmës ende nuk është e qartë nëse ajo me qëllim e kishte lëshuar foshnjën në gucë, meqë kishte thënë se ishte e dëshpëruar dhe nuk dinte se çfarë të bënte, transmeton AP.
Mediat kineze transmetojnë se nëna e foshnjës ka kryer shkollën e mesme dhe punon në një restorant në qytetin Xhinhua. Ajo ka rrëfyer se kishte ngelur shtatzënë pasi kishte kaluar natën me një njeri, i cili e kishte braktisur dhe nuk kishte përgjegjësi për foshnjën. Gruaja nuk kishte guxuar t’u tregonte prindërve se ishte shtatzënë dhe thotë se kishte dashur që ta rris foshnjën, por nuk dinte se si ta bënte këtë.
Zjarrfikësit kanë nxjerrë nxjerrin foshnjën e cila ishte ngujuar në gypin e kanalizimit.
Foshnja që peshonte 2,8 kilogram kishte puls të dobët dhe pak gërvishtje. Placenta ende ishte e ngjitur për të.
Lajmi për këtë rast ka shkaktuar ndjenjë tmerri dhe dhembjeje tek njerëzit, sepse dyshohej që prindërit e kishin hedhur foshnjën në tualet. Shumë njerëz kanë shkuar në spital dhe i kanë dërguar foshnjës pelena , rroba dhe qumësht, kurse disa janë ofruar që të adoptojnë foshnjën.
“Dushikuaibao” shkruan se nëna kishte qenë e pranishme gjatë tërë operacionit të shpëtimit të foshnjës dhe kishte shprehur shqetësim për fatin e foshnjës, por nuk tregoi se ajo e kishte lindur foshnjën.
Policia kineze fillimisht kishte thënë se rasti po hetohej si tentim i vrasjes, por nuk është e qartë nëse ndaj nënës së foshnjës do të ngrihet padi.
Pronarja e ndërtesës, në të cilën është gjetur foshnja, thotë se nuk janë gjetur gjurmë të lindjes së foshnjës në banjo dhe se nuk e ka ditur nëse ndonjëra nga qiramarrëset e saj kanë qenë shtatzënë. E ëma e foshnjës i ka thënë policisë se e kishte pastruar banjën pas lindjes dhe se e kishte fshehur shtatzëninë duke veshur rroba të gjera dhe duke lidhur barkun.
Shtatzënitë e padëshiruara në Kinë janë në rritje në mungesë të edukatës seksuale dhe qasjes gjithnjë e më liberale ndaj seksit. Të rinjtë shpesh praktikojnë seks pa mjete mbrojtëse kurse abortet janë gjithnjë e më të shpeshta.
/Shekulli Online/ Përgatiti: E.L/
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply