Ndue Lazri: Vështrim për veprën e Zekerija Z. Idrizi “Arratisja nga “vdekja”
Kini parasysh një personazh në dilemë të madhe, midis dy tundimeve ekstreme: Nga njëra anë “cicërima e djallit mbi kotësinë e jetës dhe nga ana tjetër drita shpresëdhënëse e Zotit mbi kuptimësinë e saj”. Pra një njeri që luhatet midis jetës e vdekjes, në kulmin e dëshpërimit e të errësirës shpirtërore, ku thirrja joshëse e sirenave djallëzore e fton ëmbëlsisht drejt vetëvrasjes, si e vetmja alternativë që i ka mbetur.
Ky është personazhi apo heroi qëndror i librit “Arratisja nga vdekja”, që ti i dashur lexues e ke në duar. Autori Zekerija Idrizi, që mishërohet në këtë personazh, ka ditur të gdhendë me penë si me daltën e një skulptori një hero monumental, i cili ka përpara vetëm një alternativë: Të fitojë mbi vetveten për t’u arratisur përfundimisht nga vdekja që ja ka ngulur çaponjtë dhe po e tërheq drejt mbretërisë nëntokësore të Hadit.
Iliri, kryepersonazhi i librit, ka pësuar një aksident të rëndë, ka humbur punën dhe ndodhet përballë sulmesh nga më monstruozet jo vetëm të kundërshtarëve të vet, por edhe të miqve e të opinionit. Kaq ka mjaftuar që ai të tërhiqet në vetmi, duke e menduar atë si vetëshpëtim, por që kthehet dalëngadalë në vetëburgosje e që gradualisht, me rëndimin e pareshtur të gjendjes shpirtërore e psikike, e çon në mënyrë gati të paevitueshme drejt vetëflijimit për të shpëtuar nga padrejtësitë e botës. Mjafton të biesh në një humnerë të tillë, pa asnjë rreze drite apo shprese dhe vdekja i mpreh dhëmbët e saj menjëherë. A nuk kanë kaluar përmes kësaj humnere pa kthim edhe plot e plot personalitete të njohur nga bota e artit, kulturës, historisë e shkencës, duke lënë mënjanë vdektarët e thjeshtë?
Autori e ndërton librin e tij, duke iu drejtuar epistolarit, ose më mirë letërkëmbimit midis Ilirit dhe gruas së tij, Kristinës. Madje në pjesën më të madhe, këto letra janë në sens unik, ku heroi i shkruan ato në ditar, ku i drejtohet gjithnjë Kristinës, bashkëshortes, bashkëvuajtëses, bashkëpunëtores e bashkëlufëtares së zgjuar e të paepur deri në triumf.
Heroi i këtij libri, sa real aq surreal, duket një qenie e “arratisur” sa nga librat e Kamysë e Sartrit, Dostojevskit e Tolstoit, Remarqut e Heminguejt, Cvajgut e Italo Svevos, aq nga filozofia e Hegelit e Niçes apo psikanaliza e Frojdit. Është një personazh ku mishërohen nga pak të gjitha këto,
si një brumosje origjinale e sjellë me një stil dinamik e tepër intensiv, me një gjuhë të pasur artistike e filozofike, nga një autor me një formim e kulturë të gjerë artistike, filozofike e teologjike.
Thamë që heroit të librit i duhet të fitojë mbi vetveten. Është pikërisht kjo luftë me vetveten, që tendoset rresht pas rreshti e faqe pas faqeje, që e bën librin tërheqës me atë dramacitetin e tij nga njëra anë kur flet për jetën e vdekjen dhe me atë lirizmin e hollë kur flet për dashurinë ndaj bashkëshortes e fëmijëve të tij, natyrës e lumit të Hamburgut, ku janë vendosur ngjarjet.
Është një libër i kontrasteve të thella, ku kufiri midis jetës e vdekjes është i hollë si tehu i një thike. Pikërisht mbi atë teh duhet të ecë heroi qëndror i librit, si mbi një rreze lazer të padukshme, që i prin drejt dritës së shpëtimit në fund të tunelit të errët.
Heroi i librit, Iliri, është një teolog i formuar, ka studiuar deri në strukturat më të larta të arsimimit të fesë myslymane. Por ai nuk është njohës i mirë vetëm i fesë dhe librave të shenjtë të besimit të cilit i përket, por edhe i feve të tjera e librave të shenjtë të tyre, edhe i letërsisë, artit e kulturës botërore, i filozofisë e historisë. Është pikërisht ky formim i tij poliedrik, që e çon tek koni i dritës së shenjtë, e cila e tërheq vendosmërisht prej errësirës, duke e çuar drejt shpëtimit përfundimtar, drejt ringjalljes dhe arratisjes nga vdekja.
Iliri nuk është një hoxhë i thjeshtë, por përaqëson një personazh elitar, që di të bëjë dallimet e vërteta midis besimtarëve të qetë, të ndershëm e të devotshëm myslymanë nga fondamentalistët, xhihadistët e gjithë ata ekstremistë që ndotin emrin e Kur’anit, duke kryer krime nga më të tmerrshmet e duke e futur botën nën terror. E për këtë ai edhe ndeshet, çka e bën atë edhe më të fortë në luftën kundër errësirës për t’u ringjallur si “feniksi nga hiri”. Ai shkruan libra, që shpesh e ngrenë deri në nivelin e rebelit e disidentit. Po sjell një fragment nga letra e Kristinës:
“E, librin mbi fondamentalizmin,respektivisht,për terrorizmin, kur e pata në përmbyllje si dorëshkrim, e ta dorëzova versionin përfundimtar për konsultim, më pate shkruar: “Vepër kjo në të cilën ke shpërfaqur gjithë potencialin tënd. Më kujtohet që shumë pjesë të saj i pate shkruar në ato rrugëtimet e tua të gjata Hamburg-Berlin-Bazel, pas gjithë atyre debateve me përfaqësues të të gjitha religjioneve e nëndrejtimeve të tyre besimore në Gjermani e Zvicër, si dhe pas konsultimit të një varg veprash që korrespondonin me temën që shtjelloje, që shkruaje. Të është dashur, madje, guxim i madh prej disidenti për të shkruar për një temë kaq delikate, për një fenomen sa akut, emergjent e aktual për kohën aq edhe kompleks e i ndërlikuar, për fondamentalizmin pra, me gjitha nusproduktet e saj: radikalizmin, revivalizmin, terrorizmin, xhihadin-luftën e shenjtë, transversalen e gjelbër, panislamizmin etj. E, ti Ilir, në trajtimin e kësaj teme, çështjeje, e ke guximin dhe potencialin pa pikë dileme…”
Autori, nëpërmjet kryepersonazhit të tij, trajton edhe probleme delikate aktuale, të cilat e kanë çuar atë deri në konflikte të hapura edhe me institucione e ithtarë fanatikë, që përtej fesë, mbrojnë shpesh herë interesa të errëta. Predikimet e heroit nuk janë obskurantiste, përkundrazi, janë bashkëkohore, dritëdhënëse, largpamëse, paqtuese, çka do të përbanin tiparet e vërteta të një misionari të shenjtë. Iliri i shkruan diku Kristinës:
“Prania e mbi 300 luftëtarëve shqiptarë në vatrat e luftës në Siri, djegia e pasaportave kosovare nga ta, hedhja në ajër e kamikazit ferizajas në Irak, i cili merr 50 veta me vete, vrasja e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit nga një mitrovicas 22 vjeçar “myxhahedin”, tentativat për akte terroriste nga ca djelmosha tanë në USA e Itali tash së fundi, “shuplaka” bustit të Skënderbeut në Kaçanik, pëdhosje lapidarësh të dëshmorëve e viganëve të kombit aty-këtu në Kosovë etj. janë ajo majat e absurdit që na detyrojnë të mendojmë mirë e hollë për ardhmërinë e brezave që vijnë, për rininë tonë dhe fatin e kombit në përgjithësi. Këto, madje, janë edhe alarm që kërkojnë syçeltësi dhe vigjilencë më të lartë nga të gjithë ne.”
Libri “Arratisja nga vdekja” nuk është një libër fetar, ndonëse shkruhet nga një teolog, nuk është një traktat filozofik, ndonëse nuk i mungojnë interpretimet filozofike. Ai është një libër i mirëfilltë artistik, i një autori që ka shkruar e publikuar shumë libra me nivel të lartë, i një autori me horizont të gjerë e gjithnjë kerkues ndaj vetes, i një njeriu që tek arti i të shkruarit ka gjetur sekretin e të jetuarit me dinjitet në një botë të turbullt e me shumë probleme. Të shkruarit atij i është bërë domosdoshmëri për një komunikim më të kualifikuar e artistik me botën. Kryepersonazhi, që mishëron autorin, shkruan diku: “Jo vetëm në mërgim por edhe në Jug të Afrikës po të jem, unë kam me vete lapsin dhe fletoren dhe do të vazhdoj të punoj parreshtur aty ku jam apo kudo që do ndodhem në glob.”
E njoha autorin Zekerija Idrizi në një takim krijuesish në Gjermani. Më bëri përshtypje natyra e tij karizmatike, horizonti i gjerë, etja për të lexuar e shkruar gjithnjë e mbi të gjitha këndvështrimi i tij bashkëkohor e modern mbi botën e sotme e mbi fenomenet që zhvillohen mbi globin tokësor. E me vete mendova: “Është fat i madh të kemi teologë të tillë, që dinë ta interpretojnë e ushtrojnë doktrinën fetare në dobi të dritës, përparimit e zhvillimit, të paqes e harmonisë midis besimtarëve të të gjitha feve”.
NDUE LAZRI
Gazetar, Bolonjë, Itali

Burimi/Facebook/Zekerija Z. Idrizi


Leave a Reply