PORTRETE SHKRIMTARËSH
U lind në Vlorë, ku kreu shkollën e mesme “Ali Demi”. Përfundoi studimet e larta në Fakultetin Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë shqipe – Letërsi. Punoi si mësues në Kukës, Tropojë e Vlorë. Krahas studimeve letrare dhe etnofolklorike, ka botuar disa monografi, tekstin universitar “Letërsia shqiptare për fëmijë”, studime dhe libra me poezi e tregime për fëmijë. Mban titullin: Profesor Doktor dhe jep mësim në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, si dhe në Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës. Për krijimtarinë letrare për fëmijë të Bardhoshit, kritika letrare ka thënë: “Poeti, si nga ana e problematikës, personazhet që lëvizin e jetojnë në poezi, ngjarjet që fiksohen, atmosfera, mjetet e shprehjes, ligjërimi, koha dhe përtej kohës, etj., sikur i ka vënë vetes detyrë të përcaktojë qenësishëm individualitetin e tij poetik.” Pra, poeti Bardhosh Gaçe mbi të gjitha përcakton një poetikë, e cila zgjidh një marrëdhënie të qartë me historinë dhe me realitetin e tanishëm. Disa nga librat për fëmijë: “Dëshira e Anilës” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979), “Pse gëzohet Keti i vogël?” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993), “Gugatin pëllumbat në Prishtinë” (vjersha, Toena, Tiranë, 1997), “Lumi im s’fle…” (vjersha, Botimet Toena, Tiranë, 2005).
NË SHTËPINË TIME
Kënga e nënës
Zog që cicërin
Përmbi zemrën time!
Fjala e gjyshes
Me mallin e saj
Më mbush me ledhatime.
Këshillat e babait
Nëpër sy më rrinë
Të drejta, të serta.
Ledhet e motrës
Çelin nëpër dhomë
porsi luleshqerrka!..
Bardhosh Gaçe -Nga libri “Në kopshtin e ëndrrave”, Triptik, Vlorë, 2009-
Shkodër, më 03.06.2024 ( Xhahid BUSHATI )
Burimi/Facebook
V:O – Fotoja eshte huazuar nga google. (Alba- Dansk)


Leave a Reply