-prozë poetike-
Dallëndyshet erdhën nga larg… Ende fluturonin, ende cicëronin papushim.
Qielli i marsit ishte mbushur me pika shiu. Me pika shiu pa numërim ishte mbushur dhe qielli i vendlindjes. Qielli i vendlindjes ishte jo vetëm i dallëndysheve, por dhe imi.
Unë isha mësuar me një të tillë shi. Nuk e di, dallëndyshet?.. Por ata fluturonin… Kështu që nuk u befasuan, edhe pse ky qiell ishte prej shiu e po i bënte qull. Gjithashtu, kjo perde e madhe shiu, për ta nuk ishte një befasi. Ishin banore të hershme të një qyteti prej shiu. Ndaj, dhe cicëronin e vraponin si fëmijë gazmorë.
Në të vërtetë, shiu u lagu pendët. Pendët e tyre çelën mijëra ylbere.
Në të vërtetë, shiu u lagu sqepat, por nuk u lagu adresat, kujtimet e fëmijërisë dhe mallin që shtegtonte si dallëndyshet.
Qyteti e ndjeu shpejt ardhjen e dallëndysheve. Ndjeu aromën e tyre, dhe fytyra, shpirti dhe zemra e qytetit u bë e pranvertë.
Nisi të ëndërrojë qyteti siç ëndërrojnë dallëndyshet… Në ëndrrat e tij çelën foleza pafund…
Edhe në një qiell prej shiu që është i zakonshëm në qytetin tim: dallëndyshja bëhet folezë e foleza bëhet dallëndyshe. Nuk ka si të ndodh ndryshe… Sepse, kur vjen vjeshta dhe dallëndyshet ikin për shtegtim, qyteti puth dhe ëndërron foletë e tyre. Ndaj, edhe në ditët me shi, si këto të marsit të mimoza, foletë janë të paprekura; presin dallëndyshet që me cicërimat e tyre t’i zgjojnë e t’i çelin që të rinojnë qytetin.
Shkodër, më 24.05.2024 ( Xhahid BUSHATI )
Burimi/Facebook


Leave a Reply