Tregim
Ditën e parë e pashë “Lulin e Vocërr” atje te semafori në të dalë të Koropisë, jo shumë largë Athinës së zhurmshme, tek u lutej shoferëve, me furçë në dorë, për t’u fshirë apo larë xhamet e veturave. Nuk qe më shumë se dymbëdhjetë vjeç, vinte i imtë nga shtati dhe rrobat e vjetëruara i vareshin sikur t’ia kishte tërhequr qeni. Çizmet e Llastikut, të prera përgjysmë, si të shqyera nga goja e ujkut, të kujtonte menjëherë “tollumbat” e atij “Lulit të vocërr” që Migjeni e skaliti aq mjeshtërisht, me daltën e një skulptori mahnitës në atë tregim të shkurtër e të paharruar.
Ditën e dytë ishte po aty. E pashë tek vraponte sa në një krah te tjetri, gjersa ndizej drita jeshile e fanarit. Si ndërpritej ”lumi i makinave”, djali rrinte në anë të rrugës. Mbështetur i tëri te hekuri i një tabele orientuese, afër stacionit të autobuzit, me vështrimin ngulur nga dritat e fanarit. Si të priste dritën e DIELLIT! “Hë, de, ndizu moj dritë e kuqe! Ndizu, pra!”,- shprehnin të gjitha gjymtyrët e tij, me fshirësen shtrënguar ndër duar, gati për t’u turrur.
Unë shpija vajzën e vogël në shkollën aty afër dhe nuk ia ndaja sytë këtij vogëlushi nga anët tona. Herë vija gjer këtu me autobuzin urban e herë me këmbë dhe figura e tij sikur më kishte “mbirë në sy!”
-Është shqiptar ai djali,-i thashë vajzës time, me një siguri e trishtim bashkë
Dikush duhej t’ia kishte falur atë fanellë me stampë e shkronja fort të dukshme, por ajo i vite gjer te gjuri, si një pelerinë romake. Ditën e tretë ai qe ulur në bordurën e rrugës, nga kaloja unë dhe po hante një mollë, ashtu të pa qëruar e të shtrënguar me të dyja duart e holla. As që i shihte më veturat e rreshtuara para fanarit, gjer te “tollumbat” e tij që kishin “hapur gojën” e rrëfenin gishtrinjtë me pluhur. Kafshonte mollën , me sytë gjysmë të mbyllur dhe e rrotullonte nëpër duar me kënaqësi të veçantë.
-Të bëftë mirë!,-i thashë unë shqip.
“Lulit…” i ngelën dhëmbët në mollë e mbeti i pa lëvizur.
-Ti je shqiptar?!
-Po,-i thashë unë.
-Dhe unë shqiptar jam,-tha vogëlushi,-Nji shoferi i pastrova xhamat e makinës dhe ai më dha këtë mollë. Nuk më pagoi. S’kisha ku e vija dhe po e ha. Nji tjetër më dha një portokall të madh. Jo të gjithë paguajnë! Gjene mirë. Diçka japin..E hëngra edhe atë menjëherë,-përfundoi djali, pasi fshiu duart në bluzën që kishte veshur…
-Ku banon?
-Në nji karakatinë të braktisun. Kam edhe tre shokë të tjerë, më të rritur se unë. Edhe ata nëpër fanare punojnë…Gjersa na zë nata!
-Nga je?
-Prej Dibre. Emrin ma thonë Myslim. Po shkurt Lymi më thërrasin.
-Si ke ardhur gjer këtu?
-As unë s’e di si kam arrdhë!… Pas të tjerëve. Nji djalë ma i madh se ne që e njihte rrugën nëpër shtigje i tha babës se “Shqipnia nuk bahet ma e lene çunin me fitue vetë bukën e gojës!”. Nji kshtu ma! Po mos t’kisha nji kto çizme zor se ecja e vija pas tij nëpër shtigje malesh dhe të mbesia gjallë, siç mbeta edhe nga fishekët e bombat kur u hapën depot e u turrëm si me qenë lodra…
Vajza ime i kishte ngulur sytë te gishti i madh i këmbës së djalit që e lëvizte si “kokë breshke” prej majës së çizmes..Ai e kapi vështrimin e vajzës, qeshi idhët dhe e lëvizi sa majtas djathtas…E vajza buzëqeshi e më tërhoqi xhaketën! Ma këputi shpirtin sa e vura re dhe unë.
-Do të sjellë unë një palë këpucë nga të djalit tim. Edhe rroba do të të sjell.
-Po m’i solle faleminders Zotnia yte! Unë nji ktu jam. E ku me shkue gjetkë. Ndër fanarët e tjerë ka ma shumë fmijë shqiptarë. E tash janë shtue edhe ata nga Pakistani…Nji ktu jamë vetëm unë dhe Irini…
-Irini?
-Po. Irini. Sa unë ashtë, po duket ma e madhe! E kam shoqe…. me nji fjalë si shok. Prindt’ i ka këtu, që të dy të sëmurë dhe ça u çonë ajo hanë! Po ka dy ditë që s’ka dalë në punë dhe frigohem se mos i xejnë vendin ata të Afrikës, që janë shtue për ibret! Thonë se edhe andeja bahet luftë…
Drita Jeshile. Lymi vrapoi. Fshirsen e ngriti lartë si një armë të gatshme për betejë. Me dorën tjetër mbante një kovë ngjyrë blu. Trupi i tij i imët rrëshqiti midis makinave dhe herë dukej , herë zhdukej…
Ditën e katërt unë mbaja në duar paketën e përgatitur për Lymin. I sajuam çdo gjë që i duhej: pantallona, këmishë, fanellë dhe një palë këpucë, nga të djalit tim , thuajse të reja. Ime shoqe i përgatiti edhe dy sanduiçë që të shuaj urinë i shkreti djalë tha ajo,-duke ia mbështjellë me letër alumini. Dhe ndonjë ditë sille tek ne të ziun djalë,- porositi ajo, që t’i bëjmë edhe një banjo e të hajë një gjellë të ngrohtë, se është gjynah nga ZOTI!”
E kërkova me sy “Lulin e Vocërr”, po nuk e shihja në asnjë vend. Fanari i kuq u ndez dhe u shua dy-tri herë, po vogëlushi nuk u duk më midis veturave, me furçë e kovë ndër duar!Të njejtën gjë bënte edhe ime bijë, gjersa më tërhoqi xhaketën e më tha se “nuk po e shihte atë, “Lulin e Vocërr”!…
-Babi, më dëgjon?
-Po, po…Të dëgjoj, moj Kristi….Po lëviz këmbët se tu bë vonë për në shkollë…
-Po ne do t’i japim pakon Lymit, ore Babi! Mami më tha se Lymi duhet t’i hajë sanduiçet të ngrohta amesos (menjëherë-gr).
M’u kyç goja!. As ajo nuk foli më. Po koka i mbeti e kthyer nga fanari i udhëkryqit, si e këputur. Kur u kthyem nga shkolla, Lymin nuk e gjetëm më dhe u detyruam që pakon e tij ta kthenim përsëri në shtëpi e na dukej si më e rënduar! Kur e pa gruaja , mbi fytyrën e saj ra një si dritë e zbehtë, vuri duart në faqe si të ishte para një ark-morti të vogël. Ditët e tjera nuk e gjetëm përsëri Lymin te fanari, duke ndërruar çdo ditë sanduiçet..Që ai të hante diçka të ngrohtë shtëpie…Vajza ime e treste shikimin e trishtuar nëpër varganin e veturave e iu errën sytë. Pastaj e hidhte vështrimin nga unë për të mësuar diçka më tepër…”Si kështu, të zhdukej njeriu i pa njeri në udhëkryqin e një shteti të Europës”! Sado që mendoja kështu,mbeta me gojën hapur e me sytë shqyer! Nga ana tjetër e rrugës, vura re një lypës rruge që i nxinte mjekëra e dendur dhe i zgjaste dorën e majtë çdo makine, ndërsa mëngën e xhupit të tij të grisur vende vënde e kishte të kthyer…Që të kuptohej nga kushdo se ç’i kishte ndodhur! Se kishte mbetur pa dorën e djathtë dhe….E porosita vajzën të mos lëvizte dhe vet u hodha nga ana tjetër e rrugës. Ai burri, që nuk i kalonte të tridhjetat, u tremb kur më pa të veshur mirë e bëri të ikte… “Mos ik e mos u tremb, o njeri, se shqiptarë jam dhe unë!” ..Atëhere ai qëndroi i turpëruar e i tronditur. “Ç’farë do? Apo deshe me dijtë edhe ti, si u kandisëm t’i shtrijmë dorën të huajit?! A si na goditë “Flama” me u kthye në lypsa?!”….I hodha dorën te supi, me keqardhje dhe pyeta se mos e kushte parë aty një djalë të vogël që rendte pas makinave si xhamalarës? Ai ngriti supet dhe mezi tha se policia nuk i lejonte ta bënin këtë “punë” edhe fëmijët e vegjël… Edhe pse këndeja kalojnë edhe makinat e tyre e bajnë sikur s’na shohin së jemi katandisur nga 97-ta! Si thonë shaka, kur ç’kulet turma nga “rrënja”!
Vetëm pas dy javësh, si ktheheshim nga shkolla në mesditë Kristi u drodhë nga gëzimi. Ajo kishte parë “LuIin e vocërr” tek vraponte pas makinave me kovën në njërën dorë e me fshirsen e gjatë në dorën tjetër. U mënjanuam sa ai lau e fshiu xhamat e dy makinave e u fsheh pas stacionit rrugor dhe i dolëm përpara, nga ana e pasme..Fillimisht u rrëqeth po kur pa vajzën me mua, i qeshi buza…Po ne e “mbytëm” me pyetjet tona aty, ulur në stolin e përparm të stacionit. Ndërkohë ai shihte me frike nga ana tjetër fundore e rrugës, si merrte kthesa…Ndoqa mes shqetsim vështrimin e tij e syri me fiksoi siluetën e një burri…M’u errën sytë.
-“Kush është ai”?!
Lymi “u përtypë” dhe bëri të shkëputej prej meje, po unë nuk po e lëshoja më. Po edhe Kristi i zuri dorën që i dridhej…”E kemi frikë atë,-tha Lymi i trembur-Të lutem më lerni të punojë… se ai nuk me lejon të flas me njeri tjerër! Bile më….Aman lërmë, në më doni,- Ai është T….TU…TUTORI…Kështu i thonë, apo jo?!”.. Po Kristi, nuk e lëshonte më nga dora e saj..
Qe çasti i mbërritjes në Stacion i autobuzit urban që ndali te këmbët tona dhe që te tre hypëm me shpejësi. Drita jeshile e fanarit u ndezë menjëherë, siç ndriti buza edhe e “Lulit të vocërr!”…Nga xhami i pasmë i Urbanit u dukë si një hije që vraponte ai, por që sa vinte e zhdukej, ajo “njolla e zezë” e Tutorit të panjohur…
(Nga libri me tregime “Adio Xhulja R…”.Sh.B. “DITURIA”.Tiranë, v. 2000)

Burimi/Facebook


Leave a Reply