Krishti u Ringjall! Kështu fillon çdo meshë në një Kishë Katolike ku drejtuesi i një kortezhi fillon ligjërimin e tij Ditën ë Pashkëve. Besimtarë dhe jobesimtarë përulen me dinjitet para një procesioni surreal dhe real njëkohësisht. Ringjallja në jetën tonë vjen e tillë, pikërisht në kushte të një kapërcyelli transcedencial. Edhe këtej edhe andej. Si e tillë në këtë gjendje metastabliteti vjen edhe lindja e secilit prej nesh. Në fetus një spermatozoid gjen vezën midis miliona e miliarda të tjerësh, në një luftë të paimagjinueshme për të ardhur në jetë, teksa shklasim me këmbë e me duar vëllezrit dhe motrat reale në të njëjtat kushte sikurse edhe ne. Por vetë fakti që paskemi ardhur këtej dhe e kemi kapërcyer atë transcendencë reale do të thotë se paskemi qenë më të fortët midis asaj lukunie ndërluftuese. Kemi ardhur në jetë pra përmes krimesh të pafajshme sepse kemi qenë në kushte të një pavetëdije të kulluar. Ne të pafajshmit kriminelë, jemi pra këtej, të gjithë papërjashtim. Ja pse u ringjall edhe Krishti. Për të na risjellë vetëdijen që të largohemi nga krimi që na shoqëron në çdo qelizë tonën. Për të na qetësuar shpirtin e për të shpëlarë shpirtrat tanë mëkatarë.
Kush je ti – i thashë, jam Krishti, jam Gjek Beqi më tha. E pse qenke Krisht? Sepse jam ringjallur në morgun e spitalit të Shkodrës. Morg. D.m.th pikërisht mbi një banak të betontë dhe të ftohtë, njëlloj si ajo rrasë e gurtë ku e shtrinë edhe Krishtin tonë. Ky i imi, në atë moment quhej Gjek Beqi. Doktorët e dalluan dhe e futën në sallën e operacionit. I ndjeri Ferit Hoti dhe djaloshi Ardian Ymeri e risollën në jetë, por u desh që ta mbanin në një gjendje të re metastabël, për të pritur doktorin neokirurg, Adriatik Kozelin. Nuk mund të prisnin inde të tjera aty ku fillonte një tjetër ndërhyrje e specializuar. Plot 40 minuta. Një gines më vete në aspektin shkencor të mjekësisë tonë të heshtur. Një gisht Gjek Beqi e vë në një shenjë, poshtë nofullës, të vrimës hyrëse të një plumbi automatiku që mbante në dorë një spermatozoid kufitar i RPSSH, me urdhërin e një Xhebraili. Çdo kush kalon kufirin dënohet me vdekje. Ishte kufiri i lirisë, pra i një rilindjeje të kërkuar, mbasi ajo e para, d.m.th. lindja para shumë vitesh kur Gjeka kishte vrarë pa automatik me thonje e me duar, bashkëvëllezërit e tij të dikurshëm, nuk kishte mjaftuar për një liri reale. Dhe kështu vendos me vëllain e tij të arratisen. Pasi nisen nga Viluni dhe kalojnë tërë pasqyrën e plazhit të Velipojës në një distancë disa kilometra nga bregu, për të mos u parë në atë natë të nëmur nga rojat, synojnë me not grykëderdhjen e Bunës. Edhe 500 metra dhe do të kishin dalë. Një rreze prozhektori pikas dy kokat notuese e plluskuese mbi ujë. Njerëz në det, thërret dikush te komandanti i rojes bregdetare të RPSSH-së. Spermatozoid i dalluar. Aty i priste Kryetari i OKB, Perez de Kuelar, që kishte kërkuar të ndaloheshin vrasjet në kufi. Në këtë çast Gjeka vë gishtin te shenja tjetër në anën tjetër të qafës. Një tjetër plumb në shpatullën e djathtë, se nga e kishte përshkuar dhe kishte dalë përsëri si tjetri. Të tjerët kishin humbur në ujin e kripur. Ishte pra ky burrë i lart i shtetit të Botës, që i kishte motivuar, mbasi jetën do ta kishin të garantuar në çdo rast dështimi. I vëllai zhytet thellë në ujë për të mos e lënë të shkojë në fundin e detit, prej ku nuk do të mund ta nxirrte dot. Ia del, e merr në shpinë dhe ashtu i shoqëruar nga spermatozoidët kufitarë në një varkë me motor, automatikas të RPSSH-së, pa i dhënë as edhe një ndihmë të vogël. Ia del përsëri dhe e sjell në breg Krishtin tim. Aty, grupi ekzekutor spermatozoid, falenderon vëllain e Gjekës me një breshëri automatiku dhe e lë të vdekur në vend. Ky tjetri është gjallë, thotë njëri syresh. Komandanti nxjerr pistoletën. Shikon rrëkenë e gjakut që rrjedh papushim dhe konstaton se plumbi i ka përshkuar nofullën dhe qafën e ka dalë përtej. E paska marrë në kokë, thotë ai. Nuk ka shpëtim. Le të vdesë në vuajtjet e ferrit të kësaj bote. I marrin rrëshqanë dhe i dërgojnë në morg, mbi një rrasë të gurtë, si ajo e Krishtit. Gjeka pa kurrfarë shenja jete, ku e pikasin mjekët e morgut. Shpëton dhe vjen në tavolinën ku unë po e prisja. Flokët kaçurela, njëlloj sikurse edhe Krishti. Tani ato janë me thinja, të bardha. Unë ngre kokën lart dhe në tavanin e Turizmit, shikoj një krisht të thinjur. Krishti u ringjall, por ky Krishti që unë kam në tavolinën time është me thinja. Nuk e kam të vështirë të shikoj edhe Atë, me “A” të madhe në Qiell. Krishti me “a” të vogël, mua më vjen gjithmonë në mendje me thinja por me flokë kaçurela. Një vdekje e ndarë përgjysmë, njëra jetë vdekatare në Tokë, tjetra jetë e përjetshme lart në qiell, prej ku na përshëndet Pashkët, vëllai i Gjekës. Gëzuar Pashët Gjekë.
Gëzuar Pashkët Gjekë dhe Ju të gjithë Shqiptarët e këtij vendi të përvuajtur në mugëtira shekujsh, nga unë Sadedin Limani.
Burimi/Facebook


Leave a Reply