Xhamia në kohën e Muhammedit a.s. ka qenë në shërbim të plotë në sendërtimin e idealeve të ummetit islamik. Nga porositë e saja integruese pushuan luftërat shekullore midis fiseve Evs dhe Hazrexh. Madje në xhami u vëllezëruan mekasit dhe medinasit, u çrrënjos fanatizmi, diskriminimi flagrant e i paskrupull klasor, tirania mizore faraonike dhe dekadenca shekullore. Nën hijen e fjalëve të All-llahut të madhërishëm “me të vërtetë besimtarët janë vëllezër”, në xhami do të inkuadrohen të gjithë besimtarët pa dallim fisi, regjioni, klase a kombi.
Xhemati i Muhammedit a.s. në periudhën e xhahilijetit (injorancës) qenë elita e njerëzve më të korruptuar e më primitivë, kurse me të kaluarit në fenë islame ata bëhen elita e bartësve më të denjë të porosive kur`ano-sunetike.
Kjo xhami, përveç zbatimit në të të detyrimeve fetare, shërbeu edhe si qendër e edukimit, arsimimit, mobilizimit dhe stërvitjes ushtarake ose, thënë me një fjalë, ajo qe vatër e kulturës dhe qytetërimit të gjithëmbarshëm islamik. Pra, praktikisht, xhamia ka shërbyer edhe si shkollë, bibliotekë, gjyq, parlament, ambulancë, bujtinë/konak etj. Aty gjeneratat e para muslimane u arsimuan, kanë dëgjuar komente e ligjërata të ndryshme, këshilla medicinale, kanë polemizuar për çështje të nduarnduarta të jurisprudencës islame (sheriatit), jetës, shkencës, filozofisë, artit e letërsisë. Aty lindën personalitete të shëndoshë muslimanësh, si imamë, burrështetas, eprorë ushtarakë, vizionarë, filozofë dhe shkencëtarë profilesh të ndryshëm. Aty lindi e drejta e të shprehurit të mendimit të lirë, fenomen ky që në jurisprudencën islame njihet me emrin “institucioni i ixhtihadit” , në kuadër të së cilës u krijuan edhe katër shkollat e mirënjohura juridike fetare, tradicionalisht të quajtura medhëhebe, si ajo hanefite, shafiite, malikite dhe hanbelite. Shumë shkencëtarë objektivë të Perëndimit këto shkolla juridike islame me të drejtë i identifikojnë me shkollat dhe drejtimet racionaliste nga periudha e Renesancës së shekullit XVIII-të në Perëndim. Këtu, katër-pesë shekuj më pas, lindën edhe teoritë dhe veprat kapitale filozofiko-shkencore të Ibën Ruzhdit (Avareos), Ibën Sinait (Avicena) , Ibën Haldunit, Ibën Hejthemit, Gazaliut etj. Teori dhe vepra këto që për një kohë të gjatë shërbyen për literaturë bazë në lëmenjtë përkatës të shkollave të Perëndimit.
Në xhaminë e profetit Muhammed a.s. madje, do të shpallet edhe Kushtetuta e parë formale në botë, plotësisht demokratike, e njohur kjo në historinë islame me emrin “Kushtetuta e shtetit islam të Medinesë” – (Es-Sahifetul-Medine).
Sofa në Xhaminë e Pejgamberit a.s. – shkolla e parë islame
Në xhaminë e Pejgamberit a.s. (Mesxhidu-n-Nebevijj) në Medine jasht vendit të caktuar për faljen e namazit ekzistonte edhe një vend apostafat që shërbente si shkollë për sahabët e Muhammedit a.s., që quhej SOFA (Suf-fetu).
Sofa ka qenë universiteti i parë islamik. Ai ishte vend shkollimi dhe edukimi ku punohej nën kontrollin e vet Pejgamberit a.s. si kryemësues, konform hadithit: “All-llahu më ka dërguar mësues për mbarë njerëzimin” (Ibën Maxhe). Madje edhe vetë All-llahu i madhërishëm në shumë versete kur`anore e konfirmon këtë fakt, duke e përcaktuar misionin pejgamberik të Muhammedit a.s. si mësimdhënës (mual-lim): “…që t`u lexojë atyre ajetet Tua, t`u mësojë atyre librin dhe urtësinë”. (El-Bekare, 129)
Duke qenë se arabët ishin kryesisht popull analfabetësh që nuk dinin shkrim leximin dhe llogaritjen, Muhammedi a.s. i vuri vetes për detyrë parësore që nëpërmes të kësaj shkolleje islamike të çrrënjos analfabetizmin.
Zekerija Z. Idrizi: Fragment nga libri im “Xhamia në analet e historisë – Hoxhallarët dhe institucionet islame në shërbim të çështjes kombëtare”, botuar në Seebach/Zürich nga Fondacioni i Rinisë Islame, 2016.
Abdulla, Zenel, Emir Kadri
Burimi/Facebook


Leave a Reply