“Interpretimi i realitetit tonë nëpërmjet modeleve tona e jo nëprmjet nesh, shërben vetëm për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, kurrë më pak të lirë, gjithnjë e më të vetmuar”!
-Gabriel Garsia Markez.
VETMIA E SAFET MEMËS
Tregim
Kisha dy-tri javë që provoja të ecja me një “Pi Greke” në rrugicën para shtëpisë dhe “trik-traku” i trokellitjeve të “këmbzave” të shufrave katërkëndëshe të aluminit sikur i bezdiste kalimtarët, makinat që e donin ecjen pa bezdi, përballe një invalidi. ”Haja veten me dhëmbë”, nga fraktura e operuar në këmbën e majtë! Kirurgu ortoped, si morri nga ime shoqe “zarfin e kafes”, paksa i pakënaqur si i numëroi të hollat i kthyer anash e xheç’ i tha asaj, mu drejtua edhe mua e më tha se “po e theve dhe këmbën tjetër “mos eja më tek unë”! Vetëm se, kur unë nuk ndjeva asgjë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale e falenderova me gjithë shpirt këtë “magjistar të ngjitjes së kokalleve!” Këta specialist të jashtëzakonshëm,- thashë me vete,- duhet të jenë mjeshtrat më të paguar në listën e honorareve nga shteti e nga kushdo tjetër që “heq e vuan torturat e FERRIT”! Kurse dhimbjet që më erdhën më pas, po i kaloja në heshtje, si burrat e vërtetë. E këtë rrugë e bëja tri herë në ditë e po më vinte përsëri buzëqeshja dhe “kënaqësia e banorit të BOTËS”!
Ndaloja vetëm tek shtëpia e Nestit, të cilit vetëm emrrin vetëm i mësova, të një emigranti “misterioz”, që nuk thoshte kurrë as “mirmëngjs “ e as “mirëmbrëma”, po fërkonte me nxitim një veturë “Hundai” fringo të ri, me krekosjen e një adoleshenti torollak, për të rrëfyer se “ai është në këtë botë e s’ka tjetër”! Sikur do shkonte direkt e në ndonjë paradë! “Hundai” e pata edhe unë makinën e parë, po e bëra “fërtele” e shyqyr që “shpëtova” prej saj, që “desh më degdisi për në “botën e përtejme”! Se e di që ato “të hanë kokën”! Si ”fëmrat” edhe ato! Ky Nesti që nuk e thoshte kurrë se “ku punonte” dhe pse e trajtonte si “nuse të re” makinën, pasi taksist nuk mund të ishte xhanëm dhe që nesër mund ta bënte edhe atë një “viktimë” a çalaman si puna ime. Hej dreq! Mezi më tha “të shkuara”, duke mos i hequr leckurinat nga duart, apo të thoshte të paktën: ”Kthehu , o njeri të pishë një kafe a nje gotë raqi…!”. Sa për njerëzllëk!
Mirëpo, pas 12 ditësh, kur unë hoqa edhe “penjtë” e operacionit e qarkulloja tanimë me një karrocë dore gjermane ortopedike, për mbajtjen e ekuilibrit, nuk e pashë më Nestin e më tërhoqi vëmëndjen makina e tij e“ bërë përshesh” nga një goditje fatale! E kishin pështjellur me plasmase, sikur do ftohej dhe i kishin vën disa gurë përsipër llamarinës së epërme të deformuar! Moreee! Ç’pati i ziu njeri! Dhe, më në fund, a është gjallë ?……Ju afrova derës e trokita!
Pas pak, më doli nje burr thatim, me krryet sa në “goricë” , të zhytur në një kapele leshi të zi që i dridhej mjekra e mezi më hapi derën e hekurt me duar të dridhura gjithashtu, I thashë se “jam komshiu” (që “mos qofsha”!) e ai më futi brënda hekurit të derës, ku sa pashë nje karrige druri u ula aty menjëhere , si i trullosur që isha nga pamja lemeritëse e frika që qarkullonte në fytyrën e plakut që nisi të fliste si malësorët e Veriut, edhe pse qe veshur me një kostum të zi dopiopetë, me kopsa të mbërrthyera. Një model i vjetër që patjetër ia kishin falur, në raste të tilla, kur njeriu e sheh veten si të “huaj” aty.Edhe në fytirë sikur i qenë thelluar gropëzat e faqeve! E për ç’ka kishte ndodhur, si përdrrodhit majat e mustaqeve ende të zeza- ma tha me copëra fjalësh e me dialektin verior, që e kuptoja me vështirësi edhe unë, gjithsesi m’u bë e qartë se i biri qe përplasur me një maunë në Autostradën e Aeroportit “Venizellos” të Athinës, po që kishte rastisur që edhe shoferi i maunës qe shqiptar e nuk e njoftoi policinë rrugore, duke e ndihmuar Nestin ta hiqte “dëshminë fatale” nga autostrada e rëndësishme dhe e mbingarkuar, nëpërmjet një shqiptari tjetër që punonte me karotres e ngarkonte rrugëve makinat e shkatërruara…..
Se këtu jeni bërë si “mizat e lisit”, po ja që vijnë edhe njerëz harram si im bir, – u shpreh me dhimbje e përhumbje ai,-qi mue më la fillikat vetëm atje e vjen ktu me lanë kokallet! “Ç’ka i thue t’i nji ksaj, or shoq?!”,,-tha plaku me syrin e shqyer sa një filxhan! Ndërkohë më mbushi një gotë raqi dhe pastaj tha me kokën ulur, se as ai nuk e dinte se si kishte përfunduar dermani në Spitalin e “Vulës”, E patën njoftue,-shtoi ai,- shoq pas shoqit, me urgjencë, sa e patën gjetë gjallë a dekun… Ma mirë dekun se gjallë,- pata me dash, për at’ ZOT q’i ashtë n’qiell e na kqyr ç’ka bajmë!
Burrin e malsisë po e mbyste trishtimi e mblodhi supet e holla si në acarin e thellë…
E qetesova plakun, duke i thënë se shyqyr që i ndodhi këtu e jo atje fatkeqësia, me mundësi ma të pakta, teksa edhe mjekët e infermjerët “ia mbathin”!.”Ej, pikë e zezë!”,- tha plaku me emrrin Safet, sikurse ma përmëndi,ashtu shkarasi, kur shtoi se kishte zbritë nga malsia në Myzeqe sa kshte nis me u fol “vesh më vesh!” për “do ndryshime!”. Se la gjithçka aty, në murret e xhveshura të kullës e mori me vete vetëm Lahutën që e kishte gdëndur vetë dhe qenin që nuk i shqitej….I patën thanë se së shpejti shpallej nga Qeveria e Re njëfarë ligji “si i Baba Leninit”, se kanë me ua nda tokën tanë bujqërve që janë aty, në at vend e jo atyre që janë larguar, që kanë përfunduar qyteteve, pale atyre mbetën internimeve e burgjeve, si “armiqë”,- të shitur ke t’huejt!,-theksoi ai! E ky ligj e kishte ba me tokë Safet Memën nga Malsia e Veriut që errdh dhe u “ngulë” menjiherë midis Lushnjës e Beratit e tashmë shpallej edhe “pronar” i një masivi ullinjsh kokër madh, i një parcele agrumesh , i një vreshte goxha të dukshme me hardhi , si edhe i një parcelë toke për ta mbjellur me misër a Lule-Dielli. Sepse n”at kohe numuroheshin gjithësejt 7 frymë në familjen e tij e jo shaka! E si heshti edhe pak e ngiti ca më lartë majat e mustaqeve që i ishin zbardhë, plaku tha se Dermanit, pas kësaj pasurie që na dha Ligji 7501 “do të jepej” edhe “Çeku i Bardhë”, se kishim me ngranë me “Lugë Florini” e se “Do jetonim si n’Europë!”. Mërëpo ç’nodhi, a din? Hapën kufinin me ikë! As qi u muer vesh se kush e hapi! E pata oborrin e rreth e përqak shtëpisë si një Çerdhe Zogjsh, mbushun me “cicërima”…Mbetesh i vetmuar, kur nuk i ndin ma të dashnit përreth teje, si i verbni qi s’din me hudh hapin në terr..
E brenda tri vitesh toka nuk u punue ma, vendi po nxihej, do fabrika këtu prranë i shkatërrruen duert e njeriut , si me qenë të bomardueme nga avionet e hueja, a ndin, or ti shoq, dhe njerëzia e priste ujin nga qielli dhe kur qielIi na përmbyti gati u ba det tan Myzeqeja. Ma pastaj,- u shpreh idhtas Safeti me gjuhën e tij,- i’a muer Perëndia Loken!. Vajzën e madhe e martoi në Fier, Leka,-djali ma posht Anestit, iku e mbeti në Itali, Anesti u prish me të shoqen qi i thonte “mos me nejt duer lidhun”dhe ajo e braktisi fare.Të dyja vajzat e Nestit, të rritura para kohe ikën edhe ato, njena në Suedi e tjetra në Islandë. Nji të shitun parcelën e agrumeve bani edhe Anesti , ashtu dorazi, hala pa e pronësue dhe bleu nji kto llamarinat qi sheh ktu e erdhi me i lanë krryet nji ktyne anve ,-si e pe zotrote, Duke e lan Safetin vetëm , or shoq, Ai dhe qeni që po mplakej me të!Ma mirë vorri se sa nji pallat i tan, pa njeri mrren ! Burri i Dheut u lëshua gati pa ndjenja në karigen tjetër afër meje…E u mblodh sa një grusht, duke e mbuluar njeriun e ngratë hija e mosegzistencës, frika e boshllëku….
Edhe për një javë tjetër, Anestit nuk “ia vari kuash” sado që ulërinte nga dhimbjet…Veçse e lejonin të atin plak të rinte te koka e të aksidentuarit, gjersa një sanitare shqiptare i foli shqip e i tha se këtu, rradha e operimeve ashtë tepër e gjatë, kanë për ta operuar patjetër edhe tët bir, po ama ai “zarfi i kafes” i lëvizë punët e “gurët” ma shpejt!….Si e qysh, po kështu është puna, si edhe atje tek ne,-tha ajo…., shtoi pas pak,.se i mirë ështe ligji, po e din ma mire edhe “Maliqi”! Si e ka thanë Birçja në një film! Kaq i kishte thënë ajo Sanitaria në sy Safetit dhe, sa u largua ajo, Nesti e tërhoqi të atin nga cepi i xhaketës. “S’ke ç’ka ban, ore baba i dashur,-shite edhe parcelën e ullinjëve, se qyl e pate!…., futi paret në zarf dhe eja prap e gjeja rastit me “ia fut në xhep” Doktorit , tinëz ama, mos me të pa kush se e fik edhe atë! Në do që të mos mbetem gjysëm njeriu që s’i duhem kujt dhe ti ta ngrysësh jetën vetëm me qenin që s’tu ndaka dot!! E të na “shuhet kacollja” krejt….
Të nesërmen Safeti trokiti tek ne fytyrëvrarë dhe Zonja ime e futi brënda ,duke e mbajtur nga nënësqetulla, gjersa e uli në kanapen e sallonit, Në çast kafja e raqia përpara, “U ba me t’than të shkueme për Zotnin e tij,-tha ai,-po e kam dhe unë nji hall si tuejin..Me sajue at’zarfin e fshehtë e me e shpëtue nga vdekja a sakatllëku për jetë edhe Dermanin tem, Për na Dukagjinasit, kur s’kishim gja prej gjaje herët fare, na knojshin at kangën: “Dukagjinas , zbrit nga mali, merre tokën qi ta fali Partia….!”Ma mbrapa na i muer përsëri Partia e na tha se “asht ma mirë me nejtë nj’ati e meruni me bagëti nër shkrepa malesh, me demek “me hangër gurë!”, teksa dyqani jonë shiste vetëm krypë e vajguri!, Kush mujti zbriti vet e kush jo, iku matanë maleve! E tradhtuen venin! Mirëpo, sa u bamë “NDRYSHE”, me sistemin tjetër”, na errdh fjala se kush të dojë munet me zdrip ndër vënde ma t’buta, me përfitu prej nji ligji me katër shifra dhe na zbritëm persëri, na ban me tokë e prona, po jeta at’here u prish ma fare, si mu duk mue plakut, saqë askush nuk donte me ndejt nji ktu e me punue, E tash po t’zu “e keqia kambët” lypset njai “Zarfi i Kafes” me shpëtue njeriu e mos me i thanë”Njatjeta” Jetës! Allahile, a mndeni me m’thanë se sa pare duhet me i fut mren ati”Zarfit t’Kafes”! Që im bir të ngrihet në kamb e me ia nis nga e para, qi nji ky burr ta “shtyjë JETËN QË I DHA ZOTI?!” Se nuk po m’duhet ma as nj’ai “ligji me katër numra, para vetmisë qi m’pret, kur jeta shterr, frryma e njeriut shuhet e pema thahet. Dhe plakut Safet iu mbyllën sytë, sikur të shihte brënda vetes , nëse kishte mbatur ende gjallë! Edhe qëni ka me ngordh n’koliben e vet!….Ra heshtja e thellë e na ngjante se u fikën edhe dritat e një filmi që sapo mbaroi…”Udhët e jetës”, sapo mbylleshin e të shpinin tek “tufa e zarfeve të mbyllura” që binin parreshtur nga qielli, në trajtën e “flokëve” të dëborës. Edhe pse ishim ende në të dalë të DIMËRIT…
Të tre pamë njëri tjetrin, sikur të kishim rënë, nga ndonjë planet tjetër!…
Skica nga Irina Hysi
Athinë 1 mars 2024.
Burimi/Facebook


Leave a Reply