Antikomunist i betuar. Martir i demokracisë.
-Mos harroni! Liria fillon nga kujtesa!-
~
Kishin kaluar vetëm 2 vjet mbas shpalljes Shqipëria e Pavarur, e natyrisht në atë periudhë luftëtarët e patriotët e Malësisë së Madhe bashkoheshin e bisedonin me pathos si kudo në Shqipëri ndër sofra e kuvende bu¬rrash për fatet e Atdheut si do të jetë udha në vijim.
Edhe në Shkrelin e urtë, sikur i thuhej që “S’ka në Malësi të Madhe si Urtia e Shkrelit”. E posaçërisht në atë trevë bëheshin takime herëpashere, në oborr të Kishës e në log të burrave. Ndër këto raste merrte pjesë edhe luftëtari trim i mirënjohur, Lekë Gjoni Rushaj, i cili pati luftuar në përballim me zaptuesit turq e shkje. Madje në një betejë lufte, Leka qe plagosur rëndë dhe mbeti disa orë në një kanal, sigurisht duke menduar se kishte vdekë, ku e mbuluan për së gjalli me gjethe, mbas pak kohe u dëgjua nga disa kalimtarë të rastësishëm rënkimi që lëshonte Leka. Ia hoqën gjethin dhe e panë se luftëtari ishte gjallë por në gjendje të rëndë. Ju dha ndihma e nevojshme megjithëqë kishin kaluar disa plumba në trupin e tij dhe qe mjekuar me mjetet e atyre kohëve. Ai për vite me rradhë e mbajti në shtatin e tij plumbin e pushkës që s’mund e hoqi deri sa vdiq në moshën mbi 95 vjeçare.
Në njërën prej atyre ditëve të kuvendit të burrave, Leka duke u kthyer për në shtëpi, pak pa iu afruar ku¬llës së vete dëgjoi gati si me habi krismën e pushkës tri herë me rradhë nga shamashini, ato çaste në Zogorë e në Dedaj kumboi zëri: – O çka është pushka moreee? Dhe prej kullës së Lekës u kthye pergjigjja: – Shtëpisë sonë i lindi një djalë, e u shtua edhe një pushkë. E në të vërtetë me lindjen e Prekë Lekës në Kolaj të Zagores ju shtua një luftëtar e një trim Shkrelit e Malësisë.
Preka lindi në vitin 1914 në Zagore, mëhallë e Shkrelit.
…Kohët ecin bashkë me rrjedhat e historisë, e prej këndvështrimit të sotëm e shohim se kanë kaluar pothuaj se gati 70 vjet që kur Prekë Leka bashkë me vë¬llain Pashkon dolën për të luftuar si trimat me besimin e palëkundur, se Atdheu do të ishte me të vërtetë i lirë nga komunizmi.
Ishte viti 1944 që po mbaronte Lufta e Dytë Botë¬rore e nuk dihej ala ekzakt se çfarë kishin vendosë Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë, por ishte plotësisht e mundur tani më, të kuptohej se komunizmi do të vendosej në Shqipëri.
Për ato forca atdhetare nacionaliste, komunizmi ishte me të njëjtat vlera sikurse qe edhe fashizmi.
Detyrimisht nga ato rrethana që u krijuan, bëhet në Shkodër një mbledhje e madhe e të gjitha grupeve të nacionalistëve, si të qytetit dhe të krahinave, asokohe mbledhja u zhvillua ne Kinema “Rozafa”.
Po bëhej evidente e tepër e nevojës të dilej me një platformë të përbashkët dhe pikërisht në atë kohë kërkohej që forcat antikomuniste të riorganizoheshin përsëri për atë fatkeqësi që po i kanosej Atdheut.
Dy ishin çështjet që u trajtuan:
1- Rigrupimi i të gjitha forcave nacionaliste rreth një shtabi të vetëm që do të udhëhiqte lëvizjen.
2- Pas largimit të trupave gjermane, organizimi i administratës shtetërore për qeverisjen e vendit.
Pasi u debatua me tone shumë të ashpra, u pa se mbledhja kurrsesi nuk po e arrinte qëllimin për të cilën edhe ishin tubuar.
Ndodhi që aty nga fundi i sallës së kinemasë ngre dorën dhe kërkon të flasë një djalë rreth të tridhjetave, kishte një pamje të hijshme, gati madhështore, veshja e tij me kostum malësori si një kreshnik malesh, shihej si të ishte vërtetë një kollos dhe duke iu imponuar sallës, foli aq trimërisht sa s’kishte si të shprehej më ndryshe burri, i prerë e i vendosur.
– Jam Prekë Lekë Gjoni i Shkrelit të Malësisë së Madhe. Më vjen keq përsa dëgjova dhe mbetem shumë i dëshpëruar. Komunizmi, – vazhdoi, – po bëhet sundues i këtij vendi. Për hatër të Zotit, e për hir të interesave të kombit, o burrat e dheut, afroni mendjen e bashkoni zemrat me besa-besë. Atdheu është në rrezik, komunizmi do të na hajë kokat, pendimi do jetë i vonuar. Në fund me një theks e ton autoritar mbylli diskutimin e shkurtër: – Unë personalisht i kam dhënë besën Zotit se do të di të vdes burrërisht e nuk do të bie i gjallë në dorë të armikut”… Marr përsipër të organizoj një batalion vullnetarësh që të kundërshtoj komunistët e Shkodrës por nuk dua ndërhyrje prej askujt, dhe u ul në vend. Pati brohoritje e duartrokitje, shumë të pranishëm që edhe i shtërguan dorën e i thanë “të lumtë!”.
Po mbyllej Lufta Nacionalçlirimtare që quanin komunistët, ishte fundi i nëntorit 1944, kur nga ana tjetër detyrohen të grumbullohen në Shkodër të gjithë ata qeveritarë që patën drejtuar politikën e Shqipërisë, ishin Krerët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit, të Bllokut Indipendent. Nuk po priste koha as situata, duhej që të shpërndaheshin sa më parë. Të mbledhur ashtu kokë më kokë, me qëllim që të shpëtonin për momentin morën vendim me qëllim të ndahen në tre pjesë:
– Një pjesë të dalin me barka nëpër Bunë, nëpër Adriatik për në Itali.
– Një pjesë tjetër të dilnin në Jugosllavi e të mësynin në shtetet e Perëndimit.
– Pjesa tjetër, ajo më vitale, njerëz me eksperiencë në luftë e të sprovuem, duhej të qëndronin në Atdhe duke pritë pranverën e vitit 1945, kur mendohej të shpër¬thente kryengritja e madhe antikomuniste.
Në krye të këtij grupi të shpërndarë në shumë vise të Shqipërisë së Veriut qëndronin Kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, Major Llesh Marashi dhe kapidan Halil Alia e ato momente të mbylljes të asaj mbledhje, përshëndetja e fundit që i thonin njëri-tjetrit ishte… “U pafshim në një Shqipëri të lirë!”.
Në këto kushte të tensionuara që jua krijoi koha, vëllezërit Prekë e Pashko Leka gjetën strehë në shpella të Shkrelit. Shpellat ishin mbushur me luftëtarë që prisnin ditën për të nisë luftën.
Udhëheqës ndër të tjerë ishin Major Llesh Marashi, Dom Nikollë Gazulli famullitari i Shkrelit, Kapidan Gjelosh Luli i Hotit, Pjetër Gjoka, bajraktari i Shkrelit, kryetari i komunës së Shkrelit, Nikollë Prekë Dedaj, toger Gjon Martin Lula e Mirot Paloka në Kastrat.
Të gjitha këto forca, me kushtrimin e Llesh Ma¬ra¬shit nisën kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri në acarin e janarit të vitit 1945. Sikurse dihet kryengritja u thye sepse shtabi që drejtonte komunizmin dërgoi në Shkodër për hakmarrje forca të shumta ushtarake me komandant Mehmet Shehun, Gjin Markun e Ndreko Rinon.
Malësorët trimat i dolën zot trevës tyre, Malësisë legjendare, ndonëse falën jetën duke ju transmetuar brezave rrugën që duhej ndjekë për liri.
Dhe për atdhedashuri Prekë e Pashko Leka morën udhën e arratisjes, në fillim dolën në Ducaj të Shkrelit, te probatini i Prekës, ku buajtën mbi katër muaj nën kujdesin e asaj familje në një shpellë të Virzave, e më vonë për arsye të survejimit nga ana spiunëve komunistë, u detyruan të ngjiten në shpellën mbi kronin e Kurriles, aty ku të dy vëllezërit qenë rrethuar pikërisht me datë 4 tetor 1945, kur famëkeqi, xhelati, gjakpirësi, toger Baba me rreth 150 deri 200 burra rrethojnë Prekë e Pashko Lekën trima, të cilët luftuan e qëndruan heroi¬kisht kundër bishës së tërbuar komuniste, nuk pranuan të dorëzohen, kjo fjalë dhënë.
Mbas luftimit për disa orë, u vranë të dy vëllezërit, Preka qe 31 vjeç e Pashku 28 vjeç. Ata mbetën heronj të Atdheut. Ndërsa forcat partizane për të treguar pafytyrësinë e tyre i tërhoqën rrëshqanë i ulën te Kroni në Dedaj, për të treguar me madhështi “forcën” mbi prenë e tyre, “ja se si i përfundojnë kundërshtarët tanë”, madje duke thënë se këta lloj trimash, është dashur të luftojnë për liri dhe jo kundër saj, sikurse e quanin ata lirinë e tyre që sollën.
Prekë Leka ishte njëri nga burrat më të mirë të Shkrelit. Ishte inteligjent, shumë i shkathët, trim e mjaft i pashëm. Qe një antikomunist i betuar dhe bashkë me vëllain e tij, Pashkon u bashkuan burrërisht si anëtarë të shtabit të Llesh Marashit, si para dhe mbas Krye¬ngritjes vitit 1945, të cilët dhuruan gjënë më të shtrenjtë, gjakun e tyre në moshën më të bukur të jetës.
Këngë me lahutë për
Prekë e Pashko Lekën
.
Në Veleçik po piskat zani
N’bri të Kurriles po bahet nami
Dy djelmosha prej Zagore
Kanë zanë pritë nëpër llogore.
.
Vllaznit Pashko e Prek Leka
Nuk po i zente burrat deka
Toger Baba nji faqezi
I ka rrethue me shum’ ushtri.
.
Fort kodoshin e ka zanë frika
Në katër anët’ u ka vu prita
I thrret Prek Lek’s me u dorzue
Nuk t’kam lanë kund shteg me pshtue.
.
Na ka lidhë nana i’ herë n’djep
S’lidhna ma jo për kët jetë
Nji fjalë baba na ka thanë
Për besë t’Zotit që keni dhanë.
.
Gjallë pa dekë mos me u dorzue
Jo nuk lidhet burri si grue
Kena lanë nji djalë në djep
Hisja jon’ nuk ka me u shkrep.
.
Për kte ditë jena betue
Bolshevizmin me luftue
Jem shqyptar e duem Shqipninë
Fe, Atdhe edhe lirinë.
.
Kështu kena pas doket e t’parve
Amanetin e baballarve
Rreth flamurit me u bashkue
Fe, Atdhe mos me i tradhtue.
.
Toger Baba klyshi i Rusisë
I keni ra mohit Shqipnisë
Jeni ba vegla e Stalinit
Vllaznit tuaj ju sot po i vritni.
.
Ka me u mblu turpi’ tradhtisë
Ka me u vra buka e Shqypnisë
I mallkuemi Enver Hoxha
Me gjak po i lani votrat tona.
.
Del përballë klyshi Enverit
Prite sot Prek Lekën e Shkrelit
Mos rri strukun për mas shkamit
Del t’luftojm n’fushë t’mejdanit.
.
Kërset pushka e marshina
Namë po lajshin kta dy trima
Nuk po shkojshin plumbat kot
Shum’ ushtarë po i shtrijnë për tokë.
.
Vllaznit Prek e Pashko Leka
Po luftojnë si shqype t’leta
Por si trimat dikur motit
Si Oso Kuka n’ kullë t’barotit.
.
Pesë sahat tuj luftue
Municioni u kish mbarue
U çuen n’kambë si dy luana
Mbi ushtri si shtat herë zana.
.
Si rrufe u hodhën n’prit
Me ushtar tuj kacafyt
U vranë prej plumave t’tradhtarit
Po vajtojshin shpendt’ e malit.
.
Veleçiku e Kurrila
Mbajshin zi për kta dy trima
90 vjeç baba Lek Gjoni
Kur ka dalë n’shteg t’oborrit.
.
I ka pa dy djemt e tij
La në gjak dy vigje shtri
U past’ baba fmijt’ e mij
I nderue keni votrat tona
.
Paski dekë si dy sokola
Si Kerrni Gila e Kaçel Doda.
.
Kjo këngë mbeti anonim në kushtet e viteve të luftës vëllavrasëse 1945, por u këndua në rrethe të ngushta familjare si shenjë e heroizmit.
…Figura e Prekë Lekës, martirit të Malësisë së Madhe do të ishte disi e paplotë, nëse nuk flitet këtu edhe për fisniken e Shkrelit e të Malësisë, bashkë¬shorten e tij, Mria e Pjetër Dodës, e bija e bajraktarit të Bajzës së Kastratit, që qe një bashkëshorte e denjë për Prekën, me të gjitha tiparet e saj si malësore.
Mria qe cilësuar sokoleshë, kur u përcoll nuse prej Gradecit, për në Zagorë të Shkrelit me shumë krushq e duke kënduar në shenjë gëzimi me krisma pushke, që u bë e reja e Lek Gjonit të Kolajve, fis i dëgjuar nga hi¬storia e Shkrelit.
Ajo martesë e Mrisë, duke qenë e bija e Pjetër Dodës, me kapidan Prekë Lekën qe një eveniment i familjes tij e u prit me këngë, gëzim, me valle e pushkë në Zagorë Ndreaj.
Nuk ishte e thënë që të zgjasë shumë vite ai gëzim, sepse bisha komuniste shkeli në Malësi me tërbim ma¬kabër, përgjaku e dogji shtëpitë më të mira nëpër Shqipëri, e pikërisht në ato kohe lufte u lind Gjovalini, djali i kapidan Prekë Lekës, që Mria e rriti edukoi si trashigimtar të Prekës. Gjovi nuk e pati fatin ta njihte të atin, sepse atë ia ekzekutoi ajo lukuni vëllavrasëse partizane, e për pasojë ia dogjën edhe kullën në Zagorë duke e lënë familjen e Kapidanit nën qiell të hapur, kur qe detyruar Mria të kthehej në gjini përgjithmonë dhe do të rritëte edhe djalin, si një nënë me zemër të madhe, ajo nuk i fali vetit fat tjetër në jetë që të martohej, por vetëm e vetëm për të rritë sa më mirë Gjovalinin.
Ajo, fisnike bëri të gjitha përpjekjet ta shkollonte me mundime të mëdha djalin, ku diktatura ia ndërpreu disa herë shkollën, prej asaj që quhej lufta e klasave.
Gjovalini qe rritë te dajat në një ambjent shumë atdhetar e të moralshëm, mjaft burrëror, sikurse dihet i mirënjohuri Dodë Preçi, bajraktari i mençëm i Kastratit, pra gjysh i Mrisë që i kishte prirë Malësisë si përfaqësues i Kastratit në Kuvendin e Greçës, në Lidhjen e Prizrenit e në mjaft tubime e përpjekje në beteja lufte me turq e shkja, duke lartësuar emrin e tij të Kastratit të Malësisë e më gjerë për t’ i dalë zot atdheut.
Duhet thënë e vërteta reale se bashkëshortja e Prekë Lekës e mbajti amanetin e kapidanit, që atë ditë kur u nis të dalë në mal në përballje për të luftuar për lirinë e Atdheut, nga fara e pa fe dhe të pa nderë e komunistëve partizanë.
Mria qëndroi si sojnike duke pasë edhe përkrahjen e rrethuar me nderim prej tre vëllezërve të saj që e deshën e respektuan aq shumë.
.
Referenca:
1. Dom Nikë Ukgjini, “Shkreli”.
2. Caf Nuzi (Çulaj), “Krushqit e lirisë”.
3. Marash Mali, “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”.
.
Gjeto Turmalaj
Nga Vllimi me tregime “Rrëfim nëpër Vite”
Burimi/Facebook


Leave a Reply