E nderuar familje Krivanjeva, të nderuar bashkëluftëtarë, pjesëmarrës, të këtij tubimi mortor. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga kjo botë të mësuesit e bashkëluftëtarit tonë Izet Krivanjeva. Sot , në fund të muajit Janar, jemi tubuar për ti dhënë lamtumirën e fundit, arsimtarit, bashkëluftëtarit, eprorit të UÇK-së, Izet Krivanjeva, nga lagjeja Krivanjeva e Stagovës së Kaçanikut.
Mësuesi Izet siq ne e thërrisnim, si në paqe njashtu edhe në luftë, me përgatitje shkollore, SHLP, arsimin teknik, punoi në shkollën fillore “Emin Durak” dhe në Gjimnazin në Kaçanik. Nga këto dy insitucione arsimore, nga duart e tij të arta, dolën shumë kuadra. Jo vetëm që i kaliti në zanatin që ai i përvetësonte, i mësoi e i edukoi se si duhet të mbrohet vendi. Gjatë periudhës së okupimit nga pushtuesi serb, sistemi arsimor ishte në shenjestër, arsimtari Izet u angazhua në mbijetesën e arsimit shqip duke mbrojtur sistemin arsimor në shtëpitë shkolla.
Me të filluar lufta e lavdishme e UÇK/së, pa hezitim me përgatitjen e tij të mësuesit dhe një ushtaraku u rreshtua në radhët e Brigadës 162 Agim Bajrami, në fillim me detyrë të zëvendës komandantit për sektorin civilo-ushtarak, dhe nga Prilli i vitit 1999, në strukturat udhëheqëse të Batalionit të dytë.
Për angazhimin dhe detyrat e tij luftarake u dekorua me mirënjohje nga shoqata e OVL UÇK-së dhe institucionet tjera.
Është një ndjesi e veqantë për t’u rreshtuar në luftë krah për krah me mësuesin. Tek nxënësit kjo ndikoi në ngritjen e moralit të ushtarëve të brigadës sonë e më gjerë.
Në luftë ishte së bashku me vëllaun e tij, eprorin Xhemajl Krivanjeva, duke kryer detyrat e besuara nga komanda e brigadës deri në ditën e çlirimit. Me mësuesin Izet, kujtojmë betejën e 8 dhe 24 Marsit në Ivajë, 9 Prillit në Lagje të re e Rakoc, Kaçanik, si dhe më 21 Maj në Runjevë e Stagovë.
Pas luftës përkushtimi i tij vazhdoi aty ku e kishte lënë ditarin, pra në arsimimin e brezave, poashtu edhe në komisionin për rivarrimin e dëshmorëve dhe për caktimin e lokacionit të varrezave të dëshmorëve, të këtij kompleksi ku sot do të pushon trupi i tij së bashku me shumë luftëtarë të tjerë.
U angazhua në këshillin e pajtimit, të ngatërresave e faljen e gjakrave. Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve u kujdes të bëjë shumë filmime e fotografime, që do të mbesin një thesar i çmuar për arkivin tonë si dëshmi historike. Pas përfundimit të luftës nga burgu i Dubravës, u angazhua në rivarrosjen e dëshmorëve të rënë nga Kaçaniku.
Angazhimi i tij ishte edhe në strukturat politike, delegate në kuvendin komunal të Kaçanikut. Kontribut të çmuar dha me nxënesit tonë në diasporë, duke dërguar nxënës, femijë të dëshmorëve në realizimin e aktiviteteve në diasporë në mënyrë që për të ndier më afër vendlindjen.
Edhe pas pensionimit nuk e ndali punën e tij.
Bashkëpunëtor në radio e mërgimit, “Zëri i Arbërit”, të cilin bashkëpunoi deri në fund. Kreu detyra dhe angazhime në disa komisione duke dhënë kontributin e tij të pakursyer.
Takimi i fundit me mësuesin Izet ishte në Kullën Muze në Nikaj, na solli disa dhurata të punuar nga dora e tij dhe në profilin e tij shkroi: “Sot, ma shtuan oksigjenin bashkëluftëtarët e mi, më morën dhe më quan në kullë, u knaqa me punën që kishin bërë.”
Mësuesi Izet, po ndahemi vetëm fizikisht në moshën 75 vjeqare, duke na lënë trashëgëmi kulturore, kujtimin më të mirë të një edukatori, njeriu të urtë e besnik, bashkëluftëtari të përkushtuar.
Familjes e bashkëluftëtarëve, ngushëllime!
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Lamtumirë mësuesi Izet!
Teksti: Azem Guri
Burimi/Facebook/Ovl Uçk Kaçanik


Leave a Reply