Fillimi i pershkrimit të bisedës me Fatit, duket diçka komike e kjo eshte ironia, që unë përdora të lehtësoja situata tê vështira të t’kaluarës, por gjatê gjithë librit, dialogu vazhdon te perplaset me pjesë trishtimesh e tragjike të jetês time. Shpesh, mu desh të qeshja mbi të qarên.
U grindëm shumë, por nê fund Fati me bind qe kishte bere shume per mua dhe te dy bejme paqe. Në vetvete, i gjithë dialogu êshtë filozofik, sepse paqja, që bëj me Fatin eshte paqja qe bej une me te kaluaren time. Të bësh paqe me vetveten eshte shume e rendesishme se pamvaesisht të kaluarës, jeta jetohet më qete .
****
… “Në e gjetsha atë fatin tim… ju betohem që e di vetë, ç’do t’i bëj, se më sjell vetëm mundime e lodhje. Ta di, ku ndodhet, edhe sikur të më ikte me vrap, do ta ndjek e ta godas me një shkop, t’ia bëj kurrizin më të butë se barkun … Ndoshta do përmendet, apo do zgjohet të bëjë diçka, se vetëm s’po ja dal!”, thotë gruaja, me fytyrën që shprehte inat e kërcënim.
Gruaja, që ishte ulur, u ngrit, por para se të ikte, ndaloi pak në këmbë dhe e buzëqeshur i thotë tjetrës si me porosi: ”Më dëgjoni, o zonjë! Po gjetët dhe atë timin, bjeri ca shkopinj kurrizit, se s’është më i mirë se Fati juaj. Ndoshta të dyjave na kanë qëlluar fatet dembelë … ja këpusin gjumit, s’duan ta dinë për detyrat e tyre e na e lënë ne të mjerave në kurriz gjithë peshën e jetës. Tani më falni, se do iki. Më presin akoma ca punë të tjera deri në orët e vona të mbrëmjes. Ditën e mirë, o zonjë e mos harroni edhe porosinë time!”, i thotë ajo, që qesh me zë të lartë e shkon në punë të saj.
S’kishin kaluar as dhjetë minuta prej momentit që tjetra iku, kur gruaja, e cila rrinte symbyllur, dëgjon një zhurmë të lehtë, sikur ndonjë kafshë e vockël po shkelte mbi barishtet afër stolit. E trembur kthen kokën, por çuditërisht s’sheh asgjë. Mbylli sytë përsëri e u mbështet tek stoli të çlodhte mesin, por çuditërisht dëgjon të njëjtën zhurmë, akoma më afër. “Ç’po ndodh me mua kështu? Më bëjnë veshët, po ëndërroj, apo jam qorruar e nuk shoh çfarë ka këtu afër?”, ankohet gruaja me vetveten e kthen përsëri kokën. Kësaj radhe edhe pak e trembur, mendoi se prej vapës së madhe, rrezik të ishte afruar ndonjë gjarpër apo nepërkë.
Kontrolloi me shumë vëmendje dhe e bindur që s’ishte asgjë, u mbështetet përsëri në stol, por të tretën herë u tremb jo vetëm prej të njëjtës zhurmë, por edhe prej një zëri të çuditshëm, që i thotë: “Oooo … Mirëdita … si je… po qetësohesh? Atëherë, si thua … do më goditësh me shkop? Hajde … forca… ja ku jam …. dëshiron të ta bie unë një shkop që të më godasësh në kurriz!?”
Gruaja, e cila deri në atë moment ishte e sigurtë që s’kishte parë asgjë, kthehet e trembur e për çudi sytë e saj u ndeshën me një krijesë të pa parë kurrë. Trupi sikur t’ishte e një fëmije, katër- pesë vjeçar. Fytyra, edhe pse ishte me dimensionet e një vogëlushi, tiparet i kishte të një personi të rritur. Mbi të gjitha dalloheshin sytë e ndritshëm, pak të shqyer e si të tendosur anash. Mbi ballin e drejtë kishin rënë një tufë flokësh kaçurrela bionde, ndërsa faqet e fryra si dy tullumbace të vegjël, i ndante hunda me majuc e me vrimat e hapura jashtë normales. Dy dhëmbët e mesit, që dinin jashtë gojës, e shtypnin buzën e poshtme, i jepnin fytyrës shprehinë sikur ishte gjithmonë duke qeshur. Veshët përfundonin lart me majuca, sikur dikush i mbante të tërhequr. Duart, në disproporcion me trupin, dukeshin sikur ishin të një burri të moshës së madhe.
“Oh e mjera mos më ra dielli në kokë e po çmendem? Ç‘është kjo sajesë që po shoh? O zot ndihmomë, se jam dhe vetëm këtu!”, mendon gruaja e hutuar, por dhe e trembur prej atij që kishte përpara. Ndërsa ai, me një shikim direkt, sikur shponte në thellësinë e syve të gruas, hidhej sa majtas – djathtas, sikur kërkonte një vend të sigurtë për tu ulur. Mbas shumë lëvizjesh, u ul tek stoli, pak me distancë prej gruas e pa ia hequr sytë, i thotë me atë zërin e tij, po ashtu të çuditshëm: “Hë si thua… jam këtu… do më rrahësh, apo jo?” e përsëri, me shpejtësi, si ndonjë lepurush hidhet prej stolit e ulet ballë për ballë me gruan.
“Kush je ti, që më flet e më bën këto lëvizje të pakuptueshme … s’të njoh … çfarë do nga unë?”, e pyet gruaja edhe me frikë dhe me kureshtje.
“Kush jam unë?!? A s’je ti, që vazhdon të ankohesh në vazhdim e të përmendësh emrin tim? Qenke shumë e inatosur me mua… çfarë ke… pse më ke marrë kaq inat…ç’të kam bërë? Thuama, çfarë ke për të më thënë tani, se prandaj kam ardhur … E nuk iki pa dëgjuar prej gojës tënde çdo ankesë. Më erdhi një zë që do më goditësh me shkop me sa fuqi që ke e do më bësh kurrizin më të butë se barkun. Ufff, i shkreti unë! Po pse? Nuk e mendon që do të të duhem akoma? Dhe unë dua të të rri pranë, siç të kam ndenjur, deri sa të marrësh frymë”.
Gruaja, e cila s’donte ta jepte veten që kjo krijesë e çuditshme e dalë në befasi e kishte trembur edhe hutuar, ia pret shkurt: ”Ik të lutem, ik nga ke ardhur, se s’di e as nuk dua ta di se kush je! Problemet e mia nuk i bisedoj me cilindo që më del përpara. Të lutem ik e lermë në qetësi, se kam shumë nevojë të pushoj. Dëgjon…”, por ai ndërhyn menjëherë:
“E shtrenjta ime, mos u shtir sikur s’do të bisedosh me mua. Unë di gjithçka tënden e të njoh edhe mendimet që ke në kokë. Kam qenë gjithmonë pranë teje e ti po ashtu, gjithmonë pranë meje. Unë dhe ti jemi një e të pandarë. Dëshiron të grindesh e të flasësh kundër meje? Urdhëro, jam këtu të dëgjoj e të përgjigjem për çdo gjë. S’po më njeh, apo u çudite nga pamja ime? Unë jam Fati yt e vendosa të shfaqem, sepse vazhdon të më përmendësh emrin. Sot do sqarohemi për të gjitha e po deshe vazhdojmë edhe ditë tjetër. Tani… qetësohu, mos u tremb prej meje e mbi të gjitha mos më shiko me kaq habi e nervozizëm, se unë të dua shumë, të betohem!”, thotë me lëvizjet e gojës, të syve e gjithë fytyrës, në një mënyrë të çuditshme, që gruaja sforcoi veten, mos të shpërthente në të qeshura.
“O Zot i madh! Ti qenke Fati im?!?! Oooooo… E unë idiotja, që pretendoja prej teje! E pse s’të bie pika moj grua, nga kush po pret?! E më pyet pse ankohem, mos po tallesh me mua? Mos ke ndërmend të më shtosh akoma vështirësitë? Nuk më mjaftojnë sa kam kaluar? Që kur njoha veten, jeta ime ka qenë vetëm luftë, përleshje, me një peshë të rëndë sa një mal mbi shpinë e unë çdo ditë e kaloja me mundime, sikur të isha një kafshë që tërheq karrocën. Si thua, po ankohem kot? Nēqoftëse je ai që po më prezantohesh, është e kotë të flas, se duhet të njohësh çdo hap të jetës sime. Megjithatë, ik e më lerë rehat, se tani po kuptoj gjithçka. Kështu siç je ti, s’je i zoti për vete e jo më …”.
“Jo më, çfarë …?”, e ndërpret Fati përsëri.
“Pse më pyet? Kështu siç je ti, ç‘mund të bësh për mua?! Oh, moj nëna ime! Ti kaq i vogël, i dobët, i pafuqishëm do vendosësh e do drejtosh jetën time. Më fal që po të pyes ty Fat, o kush dreqin je. Si ke mundur të mbijetosh kaq i dobët, i vogël e shtrembaluq, siç je?
“Eh…!”, heq në zemër e me keqardhje Fati, që me një hop u hodh mbi stol, u ul pranë saj e tundte këmbët, që nuk i arrinin as në tokë. Kryqëzoi duart në krahëror e me shikim diku larg, sikur po lexonte mendimet e tij, i thotë: “E vërtetë që jam i vogël edhe shtrembaluq, por dhe unë kam vlerat e mia. Pse të ndryshoi fytyra, kur dëgjove fjalën, ”vlerë”? E shoh që je gati të më sulmosh, por duhet ta dish që edhe pse jam kështu, ty të kam shpëtuar nga shumë situata të vështira e ta them me siguri… disa herë edhe prej vdekjes. Ti di çfarë ke bërë vetë për të mbijetuar, por nuk di ato që kam bërë unë për ty”.
“Ok, po të dëgjoj, por mos fillo e mos tento të më bindësh me filozofi e me gënjeshtra, se jam shumë e lodhur e nervoze. Ose … jo, jo, joo … më mirë lëri fjalët se s’dua të dëgjoj asgjë. Mjaft! Duke të shikuar pamjen tënde, se si je, i kuptoj të gjitha. Thuaj shkurt që s’ke pasur forca të bëje asgjë, e me gënjeshtra më mirë mos e hap gojën. Jam shumë, shumë, shumë e lodhur e jo vetëm fizikisht, por edhe prej gënjeshtrave të gjithë jetës”, përgjigjet gruaja me zë nervoz dhe e të trishtuar.
“Jo, joo… kështu s’mund të bisedojmë. Të lutem qetësohu e mos vazhdo tëmë ofendosh, duke më quajtur gënjeshtar, se të betohem më vjen shumë keq. Më lerë të shpjegoj e me kohë do kuptosh që ç’them unë, janë të gjitha të vërteta. Kuptomë, se edhe mua më vjen keq për ty, ndaj të lutem qetësohu. Unë jam këtu të bisedojmë sinqerisht e të betohem që kam qenë gjithmonë pranë teje. Ti më ke mërzitur shumë me akuzat e tua, prandaj mendova e përgatita këtë takim special. Jo të gjithë i kanë këto mundësi, ndaj të lutem njëqind herë të qetësohesh e të më lësh të shpjegohem”, iu lut Fati, që i merr dorën t’ia puthte e me nxitim rrëshqiti prej stolit, prej frikës, se ndoshta gruaja do t’i jepte ndonjë të shtyrë.
Lutjet e Fatit, pamja e çuditshme që i merrte fytyra, mënyra e të shprehurit, lëvizjet me shpejtësi të kësaj krijese të panjohur, e qetësuan pak gruan, që sikur t‘ishte dorëzuar, i thotë: “Ok, po qetësohem … folmë se do rri të dëgjoj, ç’do më thuash”.
“E shtrenjta ime! Njoh çdo thërrime të jetës tënde e nëse nuk do isha unë, jeta jote do ishte akoma më e vështirë. Tani do t’i shpjegoj me radhë arsyet e jam i sigurtë që kur të më kuptosh, do më japësh të drejtë”, i thotë Fati, i cili i kënaqur që gruaja heshti, ulet në tokë ballë për ballë e fillon:
“Atë ditë që linde ti, kishin lindur disa fëmijë dhe drejtuesi i botës tonë të fateve, i jepte çdo fëmije fatin e vet. Nuk e di në se ta kanë thënë që fati lind para se të lindë njeriu e kur linde ti nuk kishte të tjerë fate, përveç meje. Unë kisha kaluar një sëmundje të rëndë dhe isha në konvaleshencë për shërim të plotë, por megjithatë, përgjegjësi i fateve vendosi që unë të isha fati yt. Me që kisha qenë i sëmurë e aq më keq, me këtë trup të vogël e delikat, siç më shikon, kisha frikë se s’do isha në gjendje të kryeja detyrën që më takonte. Drejtuesit, që më njihnin mirë, kishin besim tek aftësitë mendore të miat e për sa i përket fizikut ata menduan se do ishte më e favorshme që në situata të rrezikshme, mund të rrëshqisja pa u vënë re prej atyre që dëshironin të rrezikonin jetën tënde. Duke qenë i pazoti fizikisht, u luta që deri në njëfarë moshe edhe ti të ishe e dobët dhe e pa zhvilluar shumë e në se të kujtohet, deri në moshën pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç, ti ishe e dobët dhe e vogël. Më pas, ti u lartësove dhe u zbukurove shumë, ndërsa unë ngela siç po më sheh. Në të njëjtën kohë, unë iu luta drejtuesve të fateve të të jepnin ty zgjuarsi e personalitet, që të arrije vetë atje ku unë nuk do mundja. Po ta shikosh me vëmendje, ne ngjajmë si dy pika uji, në natyrë, me njëri – tjetrin. E rrallë kjo që ka ndodhur me ne të dy, sepse normalisht, fati dhe personi që i përket atij, janë dy natyra të ndryshme.
Ti njeh jetën tënde, por jo atë ku jam unë, botën e fateve. Edhe atje s’është e s’ka qenë asnjëherë kaq e lehtë për të mbijetuar. Unë jam i rrethuar prej fateve të personave, që ti i ke pasur pranë gjatë jetës, të atyre që të komandonin e krijonin probleme jo vetëm për ty, por për gjithë familjen tënde. Të njëjtën forcë me arrogancë e ashpërsi, që kishin personat që ti ke njohur, e kishin edhe fatet e tyre. Po t’i shihje e t’i kishe pranë, tmerroheshe. Shumë prej këtyre lloj fatesh, janë të mëdhenj si gjigandë, muskulozë e në fytyra demonstrojnë ligësi, egërsi e prepotencë. Tani që po sheh fizikun tim, më thuaj të lutem, a mund të matesha unë me forcat e tyre? Kurrë! Për fat të keq, duke u gjendur në këto situata, nuk kam bërë shumë, se kam menduar që të paktën të të shpëtoja prej vdekjes. Ata me një lëvizje të vogël të një gishti, mua më shfarosnin nga ekzistenca. Në shumë momente, falë inteligjencës që ke ti, vetë ke shpëtuar prej disa situatave të vështira. Besomë, kanë qenë momente që të dy kemi ngelur gjallë për një fije floku, se duhet ta dish që po të vdisja unë, do vdisje edhe ti. E sipas teje, unë do rrija të shikoja të ndodhte kjo gjë? Kurrë! Vdekja jote do ishte dhimbja e disfata më e madhe e imja. Me që më mungonte e s’mundja të përdorja forcën fizike, shpesh kam përdorur shkathtësinë, mençurinë e ndonjëherë edhe pak dredhi. Të betohem, kur të shikoja në rrezik, bëhesha shumë keq, se të dua shumë, pavarësisht se ti je nervoze dhe e inatosur me mua.
Shpesh për të të shpëtuar prej atyre rrethanave të tmerrshme, që ishin aq të liga kundër teje, më është dashur të përballoj ca situata, që vija në rrezik jetën, por duhej ta bëja. Kur të shihja që në jetën tënde të kërcënonte ndonjë rrezik, me keqardhje e sytë të mbushur me lot, ulesha më një anë, mbërtheja kokën me të dyja duart e mendoja se si mund të të shpëtoja, apo të paktën të t’i lehtësoja ato situata. E ç‘bëja? Si ndonjë lepurush i vogël, futesha midis këmbëve të tyre e falë trupit tim të vogël, i qëlloja nëpër këmbë me gjithë forcën time. Pastaj, me shpejtësinë e erës, largohesha e dilja në një vend tjetër. Ata, gjigandë, me kokat gati në qiell, nuk arrinin të më shihnin mua e i jepnin fajin njëri – tjetrit. Fillonin e ziheshin e goditeshin me grushte deri sa gjakoseshin. Duke u marrë me njëri – tjetrin, harronin të këqiat që planifikonin kundër teje. ..
Burimi/Facebook


Leave a Reply