Tregim
Çdo kush mund të shkruaj poezi apo edhe roman për duart, madje ndokush, gjatë jetës së tij mund të ketë mbushur volume të tëra për duart. Nuk e di deri më sot sa krijues mund të kenë shkruar për to, por me siguri janë shumë që kanë shkruar edhe në prozë edhe në poezi. Gjithmonë kemi thënë: “Ja me këto duar i kemi bërë”; “I kam bërë”. Me duart e të parëve është ndërtuar kjo botë miliona vjet më parë, me duart e njerëzimit po ndërtohen edhe në kohët e sotme moderne, po po kjo botë, që kemi ne sot me duart e miliarda e miliarda njerzve që kanë ikur dhe që rrojnë është ndërtuar. Duart kanë ndërtuar kryevepra, arti në të gjitha fushat, me duar janë krijuar fshatrat, qytetet dhe shtetet, janë ndërtuar kulte fetare, piramidat e famshme në Egjipt. Muri i Madh Kinez, i cili është i vetmi objekt që shihet edhe nga Hëna. Me duar janë ndërtuar pritat në det, janë hapur kanale për të lidhur kontinente, janë ndërtuar ura mbi lumejt, mbi ngushticat e deteve, apo edhe kanali tunel si ajo e La Manshit qe lidh Europen me Britanine e Badhe. Me mendjen dhe duart e njerëzimit janë ndërtuar transoqeaniket, akullthyese, janë lëshuar anijet kozmike në hapësirë. Me mendjen dhe duart e arta të Leonardo Da vincit dhe Mikelanxhelo Buonarotit janë ideuar skicuar dhe pikturuar katedralja e Shën Palit në Vatikan, me pas është ndërtuar Duomo në Milano, në vitin 1778, u përurua La Scala, që është një nga teatrot e operës më prestigjiozë në botë. Me duart e arta të njerëzimit u ndërtua një qytet i tërë dhe i mrekullueshëm Venediku, që i rezistoi kohërave deri në ditët e sotme, katedralja San Marko, Teatri “La Fenice”. Në Firence është krijuar Banka Medici, më e madhja në Europë gjatë shekullit të 15-të. Me duart e dijetarëve artistëve u ndërtua Galeria Uffizi, me më shumë se 100 dhoma dhe rreth 2200 vepra të ekspozuara. Ndër to “Nascita di Venere”, nga Sandro Botticelli, 1480. Kjo kryevepër mahnitëse nga Sandro Botticelli, konsiderohet një atraksion hyjnor në galeri. E pasur me kuptim alegorik, vepra tregon historinë e lindjes së Venusit nga deti, marrë nga Metamorfozat e Ovidit. Me duart e arta të ndërtuesave italianë është ndërtuar e gjithë Italia, jo vetëm aq, por në të gjithë botën kanë gjurmët italiane.
– Me duart e arta të mjeshtrave u ndërtua Versaja me kopështet e saja të mrekullueshme, u ndërtua Katedralja “Notre Dame”, po në Francë midis viteve 1861 dhe 1875, Opera Garnier, e njohur ndryshe si Palais Garnier, e cila konsiderohet një kryevepër e arkitekturës së Arteve të Bukura, duke mishëruar pasurinë dhe magjepsjen, që njerëzit priren të lidhin me operën.
Në Vjenë , Staatsoper u përurua në 1869 si një sallë opere oborri dhe fillimisht u quajt Ëiener Hofoper. Kjo ndërtesë ka ofruar shkëlqim dhe magjepsje, veçanërisht nën drejtimin e kompozitorit Gustav Mahler, i cili e ktheu atë në një institucion të klasit botëror.
Teatri Estates në Pragë, Republika Ceke, ka një histori të shquar. Jo vetëm që Ëolfgang Amadeus Mozart drejtoi premierën botërore të Don Giovanni-t në tetor 1787, por është i vetmi teatër që ekziston ende, ku Mozarti ka interpretuar veprat e tij.
Teatri i Operas gjermani Bayreuth Festspielhaus u përfundua në 1876 nga Richard Ëagner, posaçërisht për shfaqjen e operave të tij.
Teatri Bolshoi, Moskë, Rusi i njohur veçanërisht për kompaninë e tij të baletit, e cila ka mbi 200 kërcimtarë. Teatri Bolshoi u themelua në mars 1776, kur Katerina II i dha princit Peter Urusov një licencë për të organizuar shfaqje teatrore, ballo dhe forma të tjera argëtimi. Pallati Dimrit në Shën Petersburg u ndërtua nën udhëheqjen e Pjetrit I. Struktura e parë e ngritur për perandorin ishte një shtëpi dykatëshe e mbuluar me pllaka, hyrja në të ishte kurorëzuar me shkallë të larta. Me urdhër të Pjetrit të parë, pranë pallatit të mëparshëm u ndërtua një tjetër. Ishte pak më i madh se i pari, por tipari i tij dallues ishte materiali – guri. Vlen të përmendet se ishte ky manastir që ishte i fundit për perandorin, këtu në 1725 ai vdiq. Menjëherë pas vdekjes së carit, arkitekti i talentuar D. Trezzini kreu punë restauruese. Kur ndërtimi përfundoi, Shën Petersburg mori një kryevepër arkitektonike që bëri përshtypje me madhësinë dhe luksin e saj.
Metropolitan Opera, Nju Jork, SHBA Në fund të viteve 1800, një pikë qendrore e jetës shoqërore për familjet më të vjetra dhe më të shquara të Nju Jorkut, ishte teatri i operës Akademia e Muzikës. Ishte një klub ekskluziv, anëtarët e të cilit hezitonin të pranonin në grupin e tyre industrialistët operadashës të sapoardhur në qytet.
Shtëpia e Operës së Sidneit, në Sidnej, Australi, e hapur zyrtarisht nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 1973, Shtëpia e Operës së Sidneit është një nga ndërtesat më të rëndësishme në botë dhe është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Me duart e arta të shqiptarit Karl Gega u ideua dhe projektua ndërtimi i hekurudhës më të vështirë në botë. Ai me veprën e tij hodhi poshtë një nga dogmat kryesore të shkencës inxhinierike angleze mbi pamundësinë e ndërtimit të hekurudhave malore. Karl Gega bëri të mundur ngritjen e trenave në një lartësi të paprecedentë më parë, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit
Me duart e arta të arkitektëve shqiptarë Arkitekt Sinani dhe Kasem Aga jane ndërtuar vepra shume të rëndësishme në perandorinë otomane, si Xhamia e Sulltan Sulejmanit, po ashtu Xhamia e Re (1570-1660)
Duart e arta të ndërtuesave dibran, mjeshtër të drurit dhe të gurit kanë ndërtuar vepra shumë të rëndësisht brenda dhe jasht vendit.
Sa të tilla kryevepra ka bota, të cilat unë nuk mund t’i përmend të gjitha se për fat të keq si lexuese por edhe si krijuese, nuk kam mundur t’i lexoj të gjitha. Megjithatë, kam lexuar shkrime nga shkrimtarë të shquar në botë, ashtu edhe shkrimtarë shqiptarë. Nga disa prej tyre kam mundur të shkëpus disa paragrafe vërtetë pikante, dhe kjo më shtyu edhe mua të shkruaj modesitish për duart. Por mendoj se shkrimi im për duart do të jetë ndryshe, sepse dua të shkruaj vetëm për duart e mia, dhe dëshiroj të shkëpus momentet me te rëndësishme të jetës sime, sepse jo të gjitha mund të shkruhen, pasi episode janë aq të shumtë sa do të zinin faqe të tëra, por edhe një kohë e gjatë për t’i radhitur. Dhe kjo gjë më ra ndërmend pikërisht në një ditë si kjo e sotmja kur kisha për të bërë një mori punësh. U ula në poltron dhe hapa duart e po i shihja ngulshëm për një kohë të gjatë: Eh moj heroinat e mia, bëlbëzova: Që kur keni ardhur në jetë sa keni punuar dhe nuk pushoni së punuari edhe tani, sa mori gjërash keni kaluar, sa strese keni përjetuar, sa përkëdhelje keni dhuruar dhe sa përkëdheli keni marrë nga duart e më të shkrenjtës, sa herë jeni ndeshur me dallgët e jetës dhe i keni tejkaluar, sa rrepira keni zbritur dhe sa të tatëpjeta keni ngjitur.
“Seç ka një mirësi energjike tek duart, pikërisht tek ato të atij që kujdeset për tjetrin dhe nuk përqendrohet shterpësisht tek tekat e veta; mirësi e përngjashme me fëmijërinë, fantazia e së cilës gjallërohet nga një gur apo nga një kuti shkrepseje boshe, e përngjashme për më tepër me artin, që nuk ekziston pa këtë pasion shqisor, kureshtar e ngulmues për konkretësine fizike dhe ndjesore të detajeve, për format, ngjyrat, aromat, për një sipërfaqe të lëmuar apo me qoshe, për zbulesen që mund të feks nga përplasja e dallgëve brigjeve apo nga komça e mbërthyer keq e një xhaket”.
Claudio Magris
“Udhëtim pa mbarim”.
Dhe vërtetë kështu ka ndodhur edhe në jetën time. Shpesh dëgjoja nënën tek më thoshte: Je rritur bijë, tani je bërë një zonjushë e vërtetë. Ndërsa kishte lëshuar sytë tek duart e mia atëherë të bukura me një lëkurë të butë dhe gishta të gjatë tek qëndisja me delikatesë mbi pëlhurë një bisk trëndafili me dy lule të kuqërremta, që kishin shpërfaqur magjishëm të gjithë bukurinë e tyre me petalet e kadifenjta, dy gonxhe që sapo dëshironin të shpërthenin si gjinjt e një vashe në vërst të saj dhe plot gjethe të blerta për ta hijeshuar edhe më shumë. Biskun e trëndafiltë po e qëndisja me shumë dashuri duke hedhur me zhdërvjellësi gjilpërën e hollë ku kisha shkuar perin prej mëndafshi, dhe ashtu e përhumbur po admiroja krijesën e duarve të mia, doja ta ruaja, madje të mund ta vendosja në kornizë thashë. Dhe vërtetë këtë lule të qëndisur e kam vënë në kornizë e sa herë kalojë pranë saj i hedh një buzëqeshje. Ndërkohë që zëri i nënës më përmendi:
– Bija ime, i adhuroj ato duart e tua që lëvizin me aq delikatesë në pëlhurën që po qendis. Dua të të tregoj se si ato doçkat e tua, e porsalindur kur thithje qumështin nga gjiri im, doçkat imbaje të mbështetura mbi to dhe herë herë lëvizje gishtat sikur doje që qumështi të vinte më i bollshëm, ndërsa bëje këto lëvizje më shikoje drejt e në sy dhe faqkat e tua rozë çelnin njëlloj si petalet e trëndafilit që ke qëndisur. Nuk e di çfarë mund të përjetojë në ato momente një fëmijë i porsa lindur, por me siguri më përcillje ëmbëlsinë e faqkave të tua si ai qumështi i ëmbël që po thithje.
Dhe kështu ditë pas dite duart e mia ndryshonin çdo gjë që syri ma kapte. Me këto duar kacaviresha me shkathtësi te hekuri i portës kur fillova lëvizjet e para dhe gjimnastikën e radhës, apo te pemët kudo ku isha në Tiranë apo në fshat, me këto duar kam krijuar kukullat prej lecke që të loznim tok me fëmijët lojën “Nuse dajesh”, me këto duar fillova të laja trupin time me shparc e sapun duke menduar se tashmë jam e rritur e më vinte turp nga nëna. Kur e kujtoj qesh me shpirt sepse me vinte turp edhe nga nëna, fisnikja ime që më lindi, më rriti dhe më edukoj si të sillesha dhe si t’i respektoja më të mëdhenjtë. Me këto duar kapa lapsin dhe penën për të shkrojtur germat e para të shkrimit, të bukurshkrimit, me këto duar kam lozur gjithë kohës së lirë më të gjitha lodrat që improvizonim me shoqet e shokët e rrugicës, kam ngacmuar, e më kanë ngacmuar, rrallë herë kam dhenë e kam marrë shuplaka. Me duar jam kacavjerë edhe kur ngjiteshim në Malin e Dajtit apo në Malin e Krujës. Me duart e mia studente do të shkruaja me shpejtësi të gjitha leksionet kur na ipeshin në auditor. Me duar do të shfletoja dispencat që i blinim në “Librin Universitar”.
Emil Cioran do të shkruante:
“Të gjithë kemi duar, por askush nuk mendon t’i vërë në lëvizje, për arritjen e një shprehie të pakundërshtueshme përmes delikatesës dhe nuancave apo pozicionit të tyre. Na pëlqen që t’i adhurojmë në pikturë, të flasim për domethënien e tyre, por jemi të paaftë që t’u japim atyre shprehjen e vetë personit tonë; t’i bëjmë që të dalë në pah i gjithë shqetësimi ynë i brendshëm”.
Prania e duarve, lëvizja e tyre duhet të jetë më shumë se një ligjërim, më shumë se një e qarë, një buzēqeshje apo lutje, sepse duart mund të kenë sy , aty ku sytë shohin në brendësi.
Kisha shumë dëshirë të vallëzoja, dhe kur dora ime bashkohej me dorën e djalit që simpatizoja drithërohesha e tëra sepse përjetoja emocione të bukura. Ka patur raste që dëshiroja t’i mbaja ato duar sa më gjatë, sepse diç më transmetonin, një ndjenjë e çuditëshmë të paprovuar më parë, por që atë kohë nuk dija ta shpjegoja.
Duart i mia kanë qenë gjithmonë në lëvizje që nga punët e rëndomta shtëpiake që, kurrë nuk mbaronin, por ama të domosdoshme. Duart e mia që e vogël kanë shfletuar mijra faqe libra me përralla, novela, romane, poezi, studime shkollore. Në punë kam shkruar qindra e qindra faqe shkresa të ndryshme, informacione, relacione, Akte-Kontrolli, me mijra faqe krijimtari letrare, së bashku me duart e shtrënguara përshëndetëse përcjell mirësi energjike tek miqte, dashuri njerëzore, pse jo dhe drithërim e ndjenja dashurore.
Dhe unë i kam përjetuar vërtetë këto ndjenja në cdo punë që bëja, edhe kur laja rrobe, edhe kur hekurosja, edhe kur ndërroja carcafet e jorganit, edhe kur bëja punë dore, edhe kur i shëtisja sytë në natyrë e më dukej sikur po i pikturoja ato bukuri me dorë në telajon e mëndjes time. Edhe kur shkoja në det ekzaltohesha nga ajo hapësirë pa fund e qielltë me të kaltërtën e detit, edhe kur dielli mbrëmjeve fikej e zhytej në det e qielli mirrte atë ngjyrë vjolë që fekste. Gjithmonë me duart e mendjes i kam pikturuar. Herë herë e vogël bëja vizatime, të cilat i ngjyrosja me bojrat e ndryshme, po po kam bërë edhe vizatime që përkonin me tematikat e asaj periudhe që quhej socializëm, megjithëse nuk besoj të ishin piktura. I ruaj edhe sot e kësaj dite, janë vizatimet më të bukura që kam bërë, janë gjashtë të tilla dhe i kam vënë në kornizë ashtu sic kam vënë qëndismat e bëra, ja me këto duart e mia. Të shkruash për duart është kënaqësi, por të shkruash për duart e tua është diçka e veçantë, vërtetë një dashuri femërore, ndaj dhe unë sot u ndjeva e çliruar dhe e lehtësuar, pse jo edhe u lumturova se munda të shkruaj për duart e mia.
Pablo Neruda, ka shkruar një poezi drithëruese për duart:
Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi
Dua dritën dhe ngrohtësinë e duarve të tua të dashura
Që ta përcjellin freskinë e tyre përmbi mua, edhe një herë
Dua të ndjej butësinë që më ndryshoi fatin.
Ndërsa unë dëshiroja shumë që me duart e mendjes të përkëdhelje flokët e djalit që doja. Por sot përkëdhel më shumë flokët e nipat e mbesat që më falin dhe u fal shumë dashuri.
Jeta është e gjatë por edhe e shkurtër. Gjatë jetës ka dhe gjëra që nuk don t’i përjetosh, por janë pjesë e jetës, janë dhimbjet më të trishtuara që nuk dëshiron të përsëriten. Duart e mia kanë qenë dhe janë shumë të ndjeshme, sec kanë këto duar, kur kap dicka lëshojnë xixa, kjo ndodh sepse duart në prekje përcjellin shumë elektricitet, por janë edhe të forta njëkohësisht edhe të butë kur prekën e përkëdhelën ballin e ftohtë të njerzve më të dashur që kanë ikur nga kjo botë. E tani dëshiroj ta përmbyll rrëfimin për duart e mia përsëri me poezinë e Pablo Neruda.
Dua që ti të jetosh, ndërsa pres për ty, i fjetur
Dua që veshët e tu të dëgjojnë ende erën,
Dua që ta nuhasësh aromën e detit që e deshëm bashkë
Dhe të ecësh mbi rërën ku ecëm bashkë
Dua që ajo që dua, të vazhdojë të jetojë
Dhe ty që të dua
Dhe të këndoj mbi çdo gjë tjetër
Të vazhdosh të lulëzosh
Me boçe të plota
Që të arrish çdo gjë që dashuria ime e sjell te ty
Që hija ime të udhëtojë me flokët e tu
Që çdo gjë të mësojë përsenë e këngës sime.
NB. 21.08.2023
Burimi/Facebook


Leave a Reply