Teksa afrohemi 130-vjetorit të vdekjes së themeluesit të kishës ungjillore shqiptare, paraqesim një përmbledhje të shkurtër të jetës së Gjerasimit, nga libri i prof. Asanit “Adresat e reja e një kujtese” (ITSHKSH):
“GJERASIM QIRIAZI – RILINDAS, PASTOR PROTESTANT.
Gjerasim Qiriazi (Manastir, 18 tetor 1858 – 2 janar 1894), ka qenë pastor protestant, shkrimtar, rilindas, dhe themeluesi i parë i shoqërisë Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë më 14 nëntor 1892.
Më 1878 Gjerasimi fillon studimet biblike në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë në Bullgari. I kryen ato dhe i përfundon me rezultate të larta më 1882. Më 1883 ftohet për të marrë pjesë në Komitetin e Huaj Protestant në Turqi dhe caktohet si ungjilltari i shqiptarëve. Më 14 maj 1883 transferohet në Korçë, ku fillon aktivitetin e tij teologjik dh shkruan himnet e para në shqip. Më 8 qershor 1884 mbajti shërbesën në shqip në kishën ungjillore të Selanikut dhe më 22 qershor mban shërbesën në gjuhën shqipe në Kishën Ungjillore të Manastirit. Më 1887 fillon të japë mësim në shkollën e parë shqipe në Korçë.
Dëshira e tij për t’iu dhuruar shqiptarëve sa më shumë literaturë shqipe e shtyn që më 1888 të përkthejë e të botojë Ungjillin e Mateut, një vit më vonë me sygjerim të mikut të tij Naim Frashëri filloi që të përgatiste transkriptimin për botimin e pesë librave të parë të Biblës si tekste shkollore.
Në mars të vitit 1892 së bashku me Sevastinë, Gjerasimi përgatit planin dhe projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe Shkollën e të Dielës në Korçë. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar e rilindas e mbrojtës i gjuhës shqipe e braktisjes së fese ortodokse, më 2 tetor 1892 Kisha Ortodokse Lindore lëshon mallkimin e saj kundër Gjerasimit duke e shkishëruar. Një fat të tille patën shumë rilindas shqiptarë të asaj kohe si Petro Nini Luarasi, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi e të tjerë.
Më 14 nentor 1892 themelon Kishën Ungjillore të Korçës dhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” me qendër në Korçë. Në të njëjtin muaj boton numrin e parë të gazetës së shoqërisë “Letra e Vëllazërisë”.
Për shkak të aktivitetit të tij, më 17 janar 1893, u bë një tentim vrasjeje ndaj Qiriazit.
Ka shkruar shumë vjersha e këngë të cilat u botuan pas vdekjes së tij më 1903, në Sofje, nën titullin e librit “Kristomaci”.
Vdiq më 2 janar 1894 në moshën 35 vjeçare.
Gjerazim Qiriazi dhe disa protestantë tjerë, fillimisht ishin varrosur në Manastir, pranë kompleksit arkeologjik Heraklea, mirëpo mungesa e kujdesit dhe neglizhenca e autoriteteve komunale, kishte bërë që të rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre varrezave. Më 2013, Bashkësia Ungjillore kishte vendosur t’i bart këto varre në një hapësirë tjetër dhe ishte gjetur një hapësirë në kuadër të varrezave të qytetit të Strumicës, që aty të pushojnë eshtrat e Gjerasimit dhe disa bashkëbesimtarëve të tij.”
—E falenderojmë prof. Asanin per kete shkrim. E falenderojmë edhe ata që shpëtuan varrezat protestante të Manastirit nga prishja përfundimtare, kur askush në Manastir nuk po i ruante varrezat protestante dhe eshtrat e Gjerasim Qiriazit, Gjon Cikos, ndoshta Gjergj Qiriazit dhe protestantëve te tjere, shqiptarë dhe maqedonasë.


Burimi/Facebook/Institute for Albanian & Protestant Studies


Leave a Reply