Aty nga viti 1993, një grup deputetësh të gjithë spektrit politik, bashkë me disa punonjës të administratës së kuvendit, u ftuam në Zvicër për të marrë pjesë në një seminar lidhur me standardet e jetës parlamentare. Projekti zviceran ish ideuar për “kualifikimin” e parlamentarëve të vendeve lindore pas rënies së sistemit komunist.Seminari u organizua në Appenberg, një qendër hoteliere turistike krejt e veçantë që ndodhej rreth 20 minuta me makinë nga Berna. Kjo pikë turistike kishte disa ndërtesa druri në të cilat përfshihen 40 dhoma gjumi, restoranti, dhjetë salla seminaresh dhe një sallë banketesh.
Kur mbritëm ishte mbrëmje dhe para nesh u shfaq një natyrë e pazakontë që ngjante me peizazhin e një pikture. Aq shumë u ekzaltuar një profesor universiteti kur vizitoi për herë të parë Zvicrën, sa deklaroi se “do ishte më mirë të ishte lopë ne Zvicër se të jetonte në Shqipëri”. Kjo thënie sa u bë virale për kohën. Në fakt, në Appenberg gjithçka ishte perfekte.
Pasi u sistemuam në dhoma, u grumbulluan në një sallë për të marrë udhëzimet e rastit. Pas darkës, organizatori i seminarit, na ftoi në një lokal të vogël që i ngjante më shumë një tuneli dhe që simbolikisht e quanin “Vrima e Ariut”. Për të kaluar një mbrëmje të këndshme, na thanë se mund të qendronim atje sa të dëshironim dhe të shijonim ndonjë birrë zvicerane. Në një kthinë të lokalit kishte arka të tëra me birrë dhe ne mund të vetshërbenim.
Asgjë nuk ishte e rastit, gjithçka ishte e menduar mirë. Organizatorët, kishin kaluar përvoja të hidhura me paralmentarë të vendeve të tjera të lindjes, që siç mësuam më von, ishin zënë edhe me grushta për çështje të ndryshme politike. Ata mendonim se edhe ne mund të përfundonim në skena të tilla, ndaj i dhanë shumë rëndësi krijimit të një klime tolerance mes krahëve të ndryshëm politikë.
Filluam me nga një birrë, pastaj me nga një të dytë e deri në mesnatë nuk e morëm vesh sa birra kishim konsumuar. Alkooli bëri punën e vet dhe mbrëmja kaloi përmes humorit të pafund, madje u kënduan edhe këngë të sistemit komunist që po të dëgjoheshin në Tiranë do të thoshin se nuk e kishim seriozisht që ishim ndarë në parti të ndryshme. Dukej sikur të gjithë, majtas e djathtas, ishin deputet të një partie.
Mesa duket, në mengjes pronarët e hotelit kishin bërë bilancin e gjërave që kishim konsumuar. Ishin harxhuar më shumë se 100 a 200 shishe birrë dhe ishin bërë telefonata të pufundme nga dhomat. Ne vinim nga një vend i varfër dhe më shumë kishim uri psikologjike se fiziologjike. Ku birra maqedonase “Kruna” që konsumonim ato vite dhe ku birra zvicerane!

Nëse do vazhdonim kështu, fatura jonë do kishte qenë marramendëse për organizatorët. Të nesërmen kur u mblodhëm për të filluar seminarin, organizatori me një pamje krejt të ndryshme nga ajo e mbrëmjes, na tha jo pa zor se e kishim tepëruar, ndaj duhet të paguanim shpenzimet e ‘Vrimës së Ariut” dhe telefonatave. Kishin të drejtë. Unë dëgjova nga dhoma ime një prej kolegëve që foli me miqtë e tij në Amerikë më shumë se gjysëm ore. Imagjinoni sa kishin folur të tjerët.
U ndodhëm në një situatë të vështirë. Të gjithë ishim me xhepat bosh. Mendonim se dietat e pakta që na kish dhenë kuvendi ishin krejt të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimin. Shikonim njeri-tjetrin në sy dhe nuk dinim si të justifikoheshim. Ata na kishin dhënë dorën ne kishim rrëmbyer krahun.
Ditët kalonin dhe ne dëgjuam lektorë të ndryshëm. Për shumë çështje kërkohej edhe mendimi ynë, por në asnjë rast nuk pati ndonjë grindje tipike nga ato kur ishim në vendin tonë. Organizatorët e vunë re këtë gjë dhe na shikonin si rast i veçantë.
Një ditë u afrova te tavolina ku organizatori po hante drekën dhe e pyeta si ishte e mundur që nuk u ul asnjëherë në tavolinë me ne. Ai më pa me vemendje dhe më tha se këtë vijë sjellje e kish mbajtur me të gjitha grupet e deputetëve të vendeve të lindjes.
Ju jeni të vetemit që bëni përjashtim. Deputetët e vendeve të tjera kurrë nuk u ulën për të ngrënë bashkë në një tavolinë, por sipas ndasive politike. Me ju e pata të vështirë të kuptoja nëse ishit të ndarë në parti të ndryshme politike. Para jush – më tha ai- pata një grup parlamentarësh bullgarë. E pata shumë të vështirë me ta. U qëlluan me grushta në ashensor, ndaj vendosa të mos ulem në tavolinë me të ftuarit.
Seminari u mbyll më së miri dhe kërkesa për pagesën e shpenzimeve të “Vrimës së Ariut” nuk u përmend më.
Shpesh pyes veten si u degradua pak e nga pak ajo klimë miqësie e tolerance mes nesh që dikur kishim punuar së bashku dhe ishim miq. Ishim formuar në të njëjtat shkolla dhe kishim të njëjtin mentalitet. Por nuk vazhdoi shumë kohë kështu.
Më ka qëlluar të shikoj skena turpëruese në Këshillin e Eurpës mes deputetësh të djathtë që ishin ndarë në parti të ndryshme. Dy deputetë, anëtarë të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, u shanë faqe të të tjerëve aq keq, sa filluan të etiketonin edhe baballërtë e tyre për funksionet që kishin patur në kohën e sistemit komunsit.
Appenbergu mbeti larg, shumë larg. Parlamenti shqiptar u shndërrua në një “klub fshati” ku e drejta e fjalës u shpërdorua në mënyrë të tejskajshme. Nëse dikush do të studionte fjalimet e mbajtura në arkivin e Kuvendit, do të mbetej i befasur.
Në të gjitha parlamentet e botës ka tepërime, mbase edhe episode dhune, por besoj se ky yni duhet të futet në librin e rekordeve “Gines”.
Janë thyer vazo, është qëlluar me grushta e deri te përdorimi i armës, janë shtyrë parlamentarë mes tyre, janë hedhur grushte të tërë me mielli, është qëlluar me këpucë, shishe uji e topa letre, është hedhur bojë shkrimi, është fishkëllyer me bilbilë, janë ndezur flakdanë, janë thyer karrige, janë dëmtuar mikrofonë, janë hequr me forcë kartat personale të mikrofonëve në ndënjëset e deputetëve e plotë e plotë gjëra të tjera.
Sa shumë spërkla pështyme kanë spërkatur muret e parlamentit nga britmat e çartisura, sa shpifje, sa mllefe, sa sharje dhe sa vrer e urrejtje është derdhur. Në vend që kjo klimë tensionesh të vinte duke u pakësuar, për fat të keq është rritur deri në emër të mosbindjes civile. Duket sikur jemi kthyer në lëvizjet çartiste të shekullit të kaluar.
Atmosfera e dikurshme e “Vrima e Ariut” në Appenberg, për jo pak parlamentarë u shndërruar në arenë gladiatorësh. Ata ndeshen egër, jo për hallet e zgjedhësve, por për ruajtjen e plaçkës së luftës të fituar në paqe. Dje të gjithë tymosnim cigare “Partizani” pa filtër, sot një pjesë imitojnë stilin e Churchill me puron ne buzë.
Është normale. Kohët kanë ndryshuar. Rrjeta e peshkimit që qendroi për vite të tëra në ujë, po tërhiqet çdo ditë drejt sipërfaqes. Deri dje peshqit notonin të lirë brenda saj. Tani që rrjeta po del mbi ujë, një pjesë kanë mbetur brenda dhe përpëliten për oksigjen.
Populli është më i mënçur se ne politikanët. Ai na ka këshiluar prej kohësh: “Kujdes! I mbyturi të mbyt”. Ndërkaq, dyqani “10 gram nder” i romanit te fundit te Namik Dokles është hapur përsëri. Thonë se ka shumë punë. Kush ka nevojë të rivendos nderin, të nxitojë të blej produktin, ndryshe do mbetet pa gjë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply