Një përshkrim i shkurtër i vendlindjes time
Ka mbi 20 njëzetë Drenova në ballkan e botë por unë do flas për Drenovën time…
Drenova Mallakastriote ndodhet në pjesën perëndimore të rrethit të Mallakastrës,njëkohësisht në perëndim dhe periferi të qytetit të Ballshit.
Ajo ndodhet në një rrugë të drejtë interurbane Nikea-Bylis-BregoSan-Gradisht-Gurzezë-Apoloni.
Të dhënat e para të vendbanimeve në fshatin Drenovë i përkasin periudhës së hershme Ilirike me vendet BregoSan(Bregu i Shenjtë) dhe Gradisht(Qytezë)
Nga gojëdhënat flitet se para shek VIII pas erës sonë fshati quhej Than’jetë.
Me dyndjen e dytë sllave rreth shek VIII pas erës sonë,ku Perandoria Bullgare arriti pushtimin e saj deri në Peloponez , fshati mori emrin sllav Drenovë i cili përkthehet (Dren – Thanë dhe ov- vend) Dren-ov.
Pra vendi i thanave, aty ku rriten dhe kanë jetë thanat apo thënat.
Than’jetë ose Thën’jetë
Por kjo nuk do të thotë se ajo është vetëm vendi i thanave…
Drenova Mallakastriote është vendi i mrekullive pasi nëntoka e saj është plot me ujë të ftohtë dhe ar të zi(naftë)ndërsa mbitoka e saj plot me ar të verdhë (Ulli) ,hardhi me në fron mbretëreshën qershi…
Cari i Bullgarisë Borisi i Parë i mahnitur nga kultura Byline Mallakastriote qëndroi në Ballësh.
Ai u pagëzua në kishën e Shën Mërisë Ballsh nga pagan në ortodoks duke u bërë kështu ortodoksi i parë i vendeve sllave e duke e përhapur këtë fe në gjithë vendet e verilindjes përfshi dhe Rusinë e madhe.
Vajzës së tij i vuri emrin Marica për nder të Shën Mërisë Ballësh dhe si pajë i dha Drenovën ku ndërtoi fortesën e tij në Gradisht.
Nga Marica kemi dhe sot lagjen Maraj dhe Çezmën e Marës.
Poshtë Gradishtës ishte kisha e Shën Mërisë ku sot gjenden rrënojat dhe toponimi deri në ditët e sotme “Rruga e kishës”
Gradishta është një nga pikat më të larta të Drenovës ku syri sheh nga mali i Dajtit në veri dhe fushën e Myzeqesë,Shpiragut dhe gjigantin Tomorr në lindje e në vazhdim Vargun e Trebeshinës,Mezhgoranit,Dhëmblan e në vazhdim në jug me malin e Kudhësit dhe Çikës ndërsa në perëndim me luginën e Vjosës deri në derdhjen e saj në det me Sazan e Karaburun.
Drenova kufizohet në veri me fshatrat Belishovë dhe Lapulec përgjatë rrjedhës së lumit Gjanica.
Në lindje me fshatin Dukas dhe qytetin e Ballshit.
Në jug me fshatrat Kash,Hekal dhe Mollaj.
Në perëndim me fshatrat Rromës ,Gorishovë dhe Vreshtaz.
Ndërtimi gjeologjik
Në pjesën më të madhe të territorit të fshatit Drenovë shtrihen formacionet gjeologjike të shkëmbinjëve ranorë dhe gëlqerorë. Këto formacione klasifikohen në shkëmbinjtë mesatarisht të fortë që në pjesën më të madhe të territorit janë të pa përshkueshëm nga uji.
Relievi
Pjesa më e madhe e territorit të fshatit Drenovë shtrihet në lartësitë 300-500 m mbi nivelin e detit.
Një pjesë e mirë e fshatit Drenovë shtrihet në vazhdimin e vargut kodrinor që fillon në fshatin Belishovë dhe vazhdon me fshatin Drenovë.
Ky varg kodrinor quhet Belishovë -Drenovë-Klos.
Maja më e lartë në Drenovë është ajo e Stërminës 639 m mbi nivelin e detit dhe vijon me Gradishtën 600 m,Bregu i Gushës 612m BregoSan 544 m dhe Shkëmbi i Larashit me 605 m mbi nivelin e detit.
Drenova pas viteve 90-të u nda në tre mini fshatra .
Drenovë mal,Drenovë fushë dhe Drenovë e Re .
Klima
Klima e Drenovës është tipike mesdhetare kodrinore me dimër të lagësht dhe të butë dhe me verë të nxehtë dhe të thatë .
Përsa i përket temperaturës mesatare vjetore ajo është afërsisht 15.8°C ku muaji më i ftohtë është janari kurse më i nxehti është gushti.
Tokat
Tokat e Drenovës jane krijuar nga depozitimet flishore.Ato shtrihen në pjesën më të madhe në një reliev kodrinor në të cilin mbizotërojnë tokat e hirta kafe,ku dora e njeriut ka bërë ndërhyrje kolosale.
Pjesën dominuese e përbëjne kodrat e dheut të lehtë dhe të butë shumë të gërryeshme nga erozioni.
Bota bimore dhe shtazore
Në gjithë pjesën kodrinore të kësaj zone është i perhapur lloji i shkurreve mesdhetare .
Ndër të tjera mbizotërojnë ato si thana,gjineshtra,bexga,shkoza,qelpsi,cëndeli ,thërrmocka,xina,shqopa,mersina,mareja,driza,murrizi dhe prralli.
Në pjesën e pyjeve gjithathashtu bëjnë pjesë dhe pisha e egër dhe e butë,akacia lojfata,ilqja ,lisi etj.
Pemtaria ka zhvillim gjithnjë dhe në rritje.
Historikisht kanë mbizotëruar ulliri,hardhia dhe qershia.
Sot Drenova përllogaritet një ndër fshatrat me më tepër pemë ulliri në Mallakastër me sasinë më të madhe të vajit për peshë dhe cilësinë kampion…
Mizotëron ulliri Kalinjot që është mbreti i ullirit në botë por kohët e fundit janë futur dhe varietete hibride si koroneiku grek,leçino nga Leçe e Italisë,frantoi etj.
Kalinjoti është Ulli dy komponentësh,
Për tryezë dhe për vaj ku ka thyer rekorde botërore me 40% vaj dhe vlera ushqyese shumë të larta.
Këtë pemë e favorizon shumë përbërja gjeologjike e tokës.
Pjesa dërrmuese e sipërfaqes përbëhet nga dheu i bardhë gëlqeror apo siç quhet nga vendasit “vapem”.(Vapem vjen nga pellazgjishtja ose greqishtja e lashtë…Vapem-vapsem-lyhem,lyej-vapso)
Vapemi është dhe i bardhë të cilin të parët e përdornin në vend të gëlqeres…
Vapemi ka veti që gjatë temperaturave të larta e ruan freskinë dhe lagështinë dhe toka nuk çahet…
Pemët kanë vështirësi koren e tokës 30-40 cm sa të hedhin rrënjët në vapem ,pastaj nuk kanë më problem nga thatësira dhe janë shumë prodhuese …
Hardhia gjithashtu është një nga bimët kultivuese të Drenovës por ajo që e veçon Drenovën në gjithë vendin është Qershia.
Qershia e Drenovës.
Më e mira në Shqipëri.
Drenova është një nga vendet e pakta në shqipëri që rriten të gjitha llojet e pemëve duke filluar nga agrumet si limonat,mandarinat,porokallet e deri tek gështenjat.
Bota shtazore është e varfër .
Kafshet e egra janë gjithmonë e më shumë në zhdukje ngaqë sipërfaqet pyjore po zëvendësohen me pemë frutore.
Ndër kafshët e egra përmendet dhelpra,ujku dhe derri i eger,lepuri i egër, kunadhja dhe tosbalëza.
Nëntoka
Nëntoka e Drenovës është e pasur me ujë të pishëm akull të ftohtë.
Siç kemi në Vlorë dhe Tepelenë Ujët e ftohtë ashtu kemi dhe në Drenovë një toponim tepër magjeps që quhet Ujët e ftohtë.
Por më rëndësishmja e nëntokës është se Drenova fle mbi floririn e zi që është nafta.
Depozita të mëdha nafte ndodhen nën sipërfaqen e saj të cilat shfrytëzohen që nga vitet 1960 e në vazhdim nga shteti dhe kompanitë e huaja.
Historia
Në shekuj Drenovarët kanë luftuar me trimëri si në kohën e Skënderbeut ,por dhe pas vdekjes së Skënderbeut Drenova ishte fshati i fundit në Mallakastër që ra nën sundimin otoman ,dhe historikisht djemtë nuk u bindeshin urdhërave të sunduesve dhe nuk shkonin nizam.
Gjithashtu Drenovarët luftuan kundër tanzimatit përkrahë Rrapo Hekalit .
Në luftën për mbrojtjen e Janinës 1912-1913, një luftë e përgjakshme që nuk është shkruar morën pjesë mbi njëqind Drenovarë nga të cilët ranë në luftë heroikisht 26 luftëtarë
Ishin pjesë me dyfeqet ngjeshur në shpalljen e pavarësisë 1912 në Vlorë duke filluar nga Stërgjyshi im Haxhi Hamiti e shumë të tjerë…
Luftuan heroikisht në luftën e Vlorës në vitin 1920 si Stërgjyshërit tanë Vëllezërit Haxhi dhe Rystem Hamiti e plot të tjerë ku me trimëri dhe heroizëm i hodhën në det pushtuesit Italianë të asaj kohe.
Dhe në luftën e II-të botërore dhanë kontributin e tyre me heroizëm për çlirimin e Shqipërisë.
Traditat
Puna ,mikpritja dhe besa janë simbolet që i veçon Drenovarët në Krahinën e Mallakastrës.
Për punë dhe mikpritje nuk ua merr njeri por dhe fjalën e kanë fjalë dhe besën e kanë besë!
Po u shkele besën gati e kanë sopatën…
Përsa i përket këngës,vënçja polifonike Mallakastriote buçet në çdo shtëpi.
Muhabeti bëhet me radhë dhe Rakia sipas zakonit Mallakastriot pihet me rregull dhe me dolli pa kunja dhe hile por me respekt për mikun dhe maturi!
Fotoja e fshatit Drenovë u realizua më 25/08/2023 nga unë Dritëro Isufaj bashkë me djemtë e mi Oresti dhe Nestori nga majat e kodrave të fshatit Lavdan Mallakastër përballë Drenovës…
Emblema apo Stema e fshatit Drenova Mallakastriote
Ideatori dhe krijuesi Dritëro isufaj.
Dizenjimi nga Prof.Klodian Zaçaj.
Bashkëpunoi për përshkrimin gjeografik Prof. Silvana Isufaj
Miq dhe bashkëvendlindas të nderuar pranojmë bashkëpunimin tuaj për korrigjime dhe shtesa të përshkrimit si nga ana historio-gjeografike por dhe nga ana etnografike…por ju sqaroj se ky është thjesht një përshkrim i shkurtër ,ndërsa më i detajuar do të bëhet në librin e historikut të fshatit që kemi duke përpunuar…
Ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 2024 🥂plot shëndet e begati,në çdo sofër e në çdo shtëpi🙏
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply