GJERAK KARAISKAJ
KULLA DHE BANESA Të FORTIFIKUARA
Në këtë kapitull do të bëhet fjalë për kullat e veçuara, të palidhura me sistemin mbrojtës të ndonjë kalaje si dhe për banesat e fortifikuara, të cilat kanë të përbashkët me kullat karakterin mbrojtës.
Me termin «kullë» apo «kullë e veçuar» janë nënkuptuar ndërtesa të larta të fortifikuara, që kryenin funksione të ndryshme mbrojtëse.
Kullat e veçuara kanë shërbyer si pika vrojtimi për kontrollin e rrugëve apo të kufijve, për shkëmbime sinjalesh; si banesa të fortifikuara, si kryekulla nëpër qytete të fortifikuara dhe kështjella; për mbrojtjen e manastireve dhe së fundi si banesa të përkohshme çifligarësh për verim apo për vëzhgim gjatë grumbullimit të produkteve bujqësore.
Kulla e veçuar, pavarësisht nga destinacioni i saj, ka lindur pothuajse në një kohë me kullat e lidhura me sistemin mbrojtës të kalave. Kjo është dokumentuar plotësisht për vendet e qytetërimeve të lashta të Lindjes së Mesme, aq sa përmendjet më të hershme të kullave humbasin në lashtësinë e legjendës. Edhe në vendin tonë i takojmë kullat e veçuara krahas atyre që lidhen me sistemet mbrojtëse të kalave. Të tilla janë, p.sh. kulla e Vagalatit dhe e Çukës në rrethin e Sarandës, që i përkasin periudhës antike.
Në kohën e pushtimit romak kishte gjithashtu kulla të veçuara dhe mjaft vila latifondistësh kishin karakter mbrojtës. Një prej tyre, e rrethuar me një mur mbrojtës 30×70 m, u zbulua kohët e fundit në fshatin Kraps të Fierit. Në kohën e vonë antike u ndërtua një sistem i tërë kështjellash dhe kullash të veçuara për mbrojtjen e kufijve të Perandorisë Bizantine, sidomos në kohën e sundimit të perandorit Justinian I, siç është p.sh. kulla në Petrelë, etj. Por gjatë sistemit feudal, që karakterizohet nga copëtimi ekonomik e politik, rivaliteti dhe pasiguria, gjetën një përhapje më të gjerë këto lloj ndërtimesh, sidomos kulla e përdorur si banesë dhe vetë banesa e fortifikuar. Këto dy lloje ndërtimesh ishin privilegj i më të fuqishmëve, pra i klasës sunduese, i feudalëve dhe i klerikëve. Por me kohë, për rrethana të caktuara historike, kulla gjen një përdorim më të gjerë derisa në zona të veçanta ajo zëvendësoi pothuajse krejtësisht banesën e mëparshme të pambrojtur.
Banesa e fortifikuar ofronte një jetë më komode, prandaj ajo është parapëlqyer nga klasat sunduese. Në fillim, me sa duket, ajo ishte një banesë e zakonshme, e lidhur organikisht me një apo më tepër kulla.
Kullat, si kategori më vete, ishin të njohura qoftë si donzhonë apo në format e përmendura më lart, prandaj mjaftonte një bashkim mekanik i banesave me njërën nga këto lloj kullash për të krijuar një tip banesë të fortifikuar. Kështu, na krijohet në kalanë e Durrësit, më 1225, një kullë me banesë e mur rrethues që është shembulli më i hershëm i dokumentuar i këtij lloji në vendin tonë. Banesa të fortifikuara, me sa duket të tipit me kullë, kishin ndër qytete edhe prineat shqiptarë të hinterlandit që nga fundi i shek. XIV, si p.sh. Muzakajt në Durrës, ndërsa Topiajt që e kishin Durrësin nën zotërimin e tyre për një kohe, banonin në kështjellë. Një ekzemplar tjetër të hershëm e njohim nga fshati rrënojë i Kamenkës pranë Delvinës (rrethi i Sarandës (l) . Fshati numëronte 267 banesa në vitet 1431-32 dhe rreth 200 banesa në vitin 1583. Udhëtari turk Evlia Çelebi, që kaloi në këto anë në vitin 1670, nuk e përmend Kamenicën.
Kompleksi i ndërtimeve rrënojë, për të cilin do të bëjmë fjalë përbëhet nga një kullë trikatëshe, me plan që i afrohet katrorit, e cila lidhet organikisht dhe funksionalisht me një ndërtim tjetër një kat më të ulët, që formonte banesën, e cila është e njëkohshme me kullën. Kompleksi apo kulla e Rahës, siç thirret nga barinjtë, zë pikën më të lartë të kodrës, duke pasur kështu një pozicion sundues mbi gjithë fshatin.

Fig. 178e — Kulla e Rahës, Kamenicë, Sarandë.
Kulla përbëhet nga tri kthina; ajo e katit përdhes është e pandricuar, por ka vetëm disa vrima ajrimi dhe është pajsur me një sterë. E pandriçuar është edhe kthina e katit të parë, veçse vrimat e ajrimit janë më të shpeshta, ndërsa kati i dytë ndriçohet nga dy dritare të vogla në formë frengjie dhe është pajisur me një sqoll për larje.
Anash kthinës kishte një podium, që shërbente për të lehtësuar vrojtimin nga dritaret. Hyrja për në kullë ndodhej në katin e dytë, ndërsa kthinat midis tyre lidheshin me shkallë të brendshme druri. Banesat me kullë vazhduan të përdoren për një kohë të gjatë, deri nga mesi i shek. XIX.

Fig. 178f — Banesë me kullë në fshatin Perlat i Epërm. Mirditë.
Ekzemplarët e ruajtur deri në ditët tona janë të paktë, por për këto lloje ndërtimesh mbrojtëse na bën fjalë udhëtari turk i shek. XVII, Çelebiu.
Në mesin e shekullit XIX ruheshin akoma shumë shembuj banesash me kullë. Ato ishin të përhapura në Shqipërinë e Jugut dhe përmenden nga albanologu I. G. Han.
Një banesë me kullë në fshatin Moglicë të Oparit i përkiste një fshatari të pasur. Kishte gjithashtu banesa me dy kulla, që formonin një kompleks unik. Një e tillë, në gjendje të mirë, sidomos pas restaurimit, ndodhet në fshatin Dukat të Vlorës. Ansambli përbëhet nga një kompleks banesash dhe nga dy kulla e mure rrethuese, duke krijuar kështu një kompleks ndërtimor të mbyllur, që ka formën e një trekëndëshi. Ky kompleks i shërbente si banesë e fortifikuar Dervish Aliut, figurë e njohur historike, i cili ishte një nga udhëheqësit e Kryengritjes së madhe fshatare, të vitit 1847 kundër pushtuesve turq (2) .
Banesa me kullë, gjatë shek. XVII, kishte dhe në qytetin e Gjirokastrës e të Delvinës. Për këto të fundit Çelebiu shkruan se çdo banesë kishte kullën e saj si vend strehimi.
Ndërsa dy shekuj më vonë, Hani shkruante se të gjitha shtëpitë e mëdha ndër qytete kishin nga përpara kulla të veçanta mu në mes të oborrit (3) , ose ato ndodheshin ngjitur me banesën dhe komunikonin me të nëpërmjet të çardakut apo të një dhomë. Një banesë me kullë, që i bashkëngjitet asaj në pjesën e mbrapme ruhet edhe në Konispol (4) . Ajo i përkiste një familjeje të pasur, ndërsa banesat e tjera të fshatit nuk ishin të këtij tipi. Kullat që i bashkangjiteshin banesës mund të ishin të caktuara për mbrojtje aktive, kur ishin të pajisura me frëngji dhe për mbrojtje pasive, kur nuk kishin frëngji.
Një ndërtim tipik për mbrojtje pasive është kamerjeja. Kamerjeja nuk ka karakteristikat dhe pamjen e një kullë të vërtetë, ajo është një ndërtesë dykatëshe me nga një kthinë në çdo kat, të mbuluar me qemer guri dhe përfundon në pjesën e sipërme me tarracë. Ndryshe nga banesat me kullë, që kemi përmendur, ku kulla është më e lartë se banesa, kamerjeja është më e ulët se kjo e fundit. Në Gjirokastër kamerjetë i takojmë në dy lloje, të veçuara dhe të lidhura me banesën. Kati i parë i kameriesë, i ajrosur nga një dritare e vogël, shërbente si kthinë strehimi, ndërsa kati i dytë, në të cilin të çonin një palë shkallë të jashtme guri, si dhomë për miqtë.
Këto lloj ndërtimesh ka pasur parasysh E. Çelebiu, kur thotë për Delvinën se cdo banesë kishte kullën e saj të strehimit. Në këto kulla mbyllej familja në rastin e ndonjë rreziku jete, i cili në qytete nuk mund të zgjaste shumë.
Banesat e fortifikuara na paraqiten dhe në variante të tjera. Thamë se banesa me kullë ishte parapëlqyer nga shtresat e pasura kundrejt kullës së përdorur si banesë, sepse siguronte një komeditët më të madh për pronarin e familjen e tij. Por ky tip banesë nuk mund të arrinte shkallën më të lartë të komoditetit dhe njëkohësisht të sigurisë. Kështu që feudalët e mëdhenj në vend të kullës përdornin një mur rrethues kalaje të pajisur me parapet e frëngji. Kjo lloj mbrojtjeje, përveç komoditetit në trajtimin e banesës. që ndodhej brenda rrethimit, siguronte edhe pjesëmarrjen e një muri më të madh njerëzish të armatosur në mbrojtje në rast të ndonjë rreziku. Kështu është rrethuar me një mur të trashë banesa e feudalëve toptanas të Tiranës.
Ami Bue (vizitor i shek. XIX) përmend një banesë të tillë në qytetin e Elbasanit, jashtë kalasë, të rrethuar me mur dhe me hendek, skarpatet e të cilit ishin veshur me lëndë druri. Kohët e fundit, gjatë punimeve për hapjen e themeleve të Pallatit të sportit në Elbasan, u zbuluan gjurmët e një muri me gjerësi 1,60. Nga ndjekja e gjurmëve të zbuluara u hetua se kemi të bëjmë me një fortifikim që ka pasur nga njëra anë, së paku një gjatësi prej 60 m dhe përforcohej me kulla këndi katërkëndëshe. E. Çelebiu, që vizitoi rreth vitit 1670 Elbasanin, nuk e përmend këtë fortifikim, i cili do t´i binte patjetër në sy, pasi ndodhej pranë pa-zarit. Ai duhet të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.
Të njëjtin karakter ka pasur dhe e ashtuquajtura «kala e Kavajës», ku përfshiheshin sarajet e familjes feudale të Alltunsve. Gjithashtu bejlerët e Plasës (rrethi i Korçës) i kishin banesat e tyre të fortifikuara me mure rrethuese dhe hendeqe. Vlen të përmendim edhe sarajet e fortifikuara të Këlcyrës, rrënojat e të cilave akoma ruajnë një pamje impozante.

Fig. 179 — Sarajet e fortifikuara të Këlcyrës.
Banesa e fortifikuar në fshat, ndryshe nga kulla e mirëfilltë, bashkon elemente të banesës së zakonshme drejtkëndëshe dhe të kullës.

Fig. 180 — Banesë e fortifikuar në krahinën e Matit.
Nga kjo e fundit huazohen frëngjitë dhe çikmatë (mashikula), që vendosën në muret ballore apo në këndet e banesës. Takojmë rrallë, në disa zona, edhe një tip tjetër banese të fortifikuar, mbi çatinë e së cilës ngrihet një kat me përmasa më të vogla, që përbëhet në fakt nga një kthinë e vetme, e cila luante rolin e një kullë vrojtimi dhe mbrojtjeje.

Fig. 181a — Banesë me kullë. Koçaj, Peshkopi. Pamje.

Fig. 181b — Banesë me kullë. Koçaj, Peshkopi. Preje terthore.
Por përkryerjen më të madhe e arrin banesa e fortifikuar gjirokastrite (5) ,

Fig. 182 — Banesë e fortifikuar, Gjirokastër.
e cila, për shkak të karakterit të saj të veçantë qytetar, është quajtur dhe «kullë qytetare».
Banesa gjirokastrite është zakonisht trekatëshe, me një ndarje të qartë funksionale sipas kateve. Kati i parë shërben për sterën e ujit dhe për depot, në katin e dytë zhvillohet jeta e përditshme e familjes, ndërsa në katin e tretë ndodhet dhoma e miqve. Karakteri mbrojtës i kësaj banese shfaqet në karakterin e mbyllur, në kompozimin e theksuar vertikal, në përdorimin e gjerë të frëngjive si dhe në përdorimin e mureve rrethuese të një karakteri të veçantë. Nga muret rrethuese formohen zakonisht dy dhe nganjëherë tri oborre të lidhura me dyer njëra me tjetrën, të cilat e forcojnë karakterin mbrojtës të banesës. Portat mbroheshin nga frengji, që hapeshin në muret rrethuese anash tyre.
Muret rrethuese pajiseshin edhe me bedena dhe kullëza.
Në anën e mbrapme, ku terreni ishte më i ngritur, strehët ishin të gurta, për të evituar vënien e zjarrit.
Duke filluar që nga kati i parë deri tek i treti, masat mbrojtëse shkojnë duke u dobësuar. Kështu, ndërsa në katin e parë kemi vetëm frëngji, në të dytin hapën dritare të vogla, ndërsa në të tretin, ndodhet çardaku dhe dritaret janë më të mëdha. Banesa siguronte ujin nëpërmjet sterës dhe kishte vend për rezerva të mëdha ushqimore, që mund të shërbenin gjatë një konflikti që do të vazhdonte për një kohë relativisht të gjatë. Të gjitha këto masa ishin të nevojshme në një mjedis pasigurie dhe anarkie, që ushqenej nga rivaliteti i feudalëve gjirokastritë. Për këtë arsye, Pukëvili shkruan se në Gjirokastër «shtëpitë janë si kala dhe kanë rreth e rrotull frëngji; këta njerëz rrojnë gjithnjë në luftë». Banesa të fortifikuara qytetare kishte dhe në Prizren, ndërsa në Gjilan ishte ndërtuar një lagje më vete me banesa të tilla, e njohur si «mëhalla e bejlerëve» (6) .
Një kategori tjetër ndërtimesh, që do të shqyrtojmë në këtë kapitull, është dhe kulla e përdorur si banesë e fortifikuar. Me kulla të përdorura si banesë do të kuptojmë ato ndërtesa të larta, me plan katërkëndësh, që i. ngjajnë shumë kullave të një kalaje, ku çdo kat formohet nga një mjedis i vetëm, ku çdo gjë i shërben mbrojtjes, ndërsa komoditeti lihet në plan të dytë.
Këto lloj ndërtimesh duhet të kenë gjetur një përhapje më të gjerë që nga shek. XV, kur pas pushtimit turk ndryshon edhe koncepti që ekzistonte deri atëhere lidhur me banesën, për shkak të pasigurisë dhe akteve arbitrare të pushtuesve. Një nga arsyet e tjera ishte dhe ekzistenca e institucionit të gjakmarrjes.
Banesa të fortifikuara të tipit kullë, të shekujve XV-XVI, nuk ruhen si dëshmi fizike, por ato përmenden në burimet e kohës.
Në dëfterin e regjistrimit të tokave të zonës së Përmetit dhe Korçës, përmenden dy persona, të cilëve në vitin 1453-54 u hiqet timari në fshatin Vërloçisht, pasi nuk kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe kishin qëndruar të mbyllur në kullat e tyre. Gjithashtu, përsa i përket Shqipërisë së Veriut, nga relacioni i Frang Bardhit i vitit 1638 (7) mësojmë se uratorja e misionit të Gashit ishte ndërtuar në kullën e rrënuar të birit të Pjetër Spanit, që dikur kishte qenë zoti i Pultit; kulla ndodhej mbi një vend mbizotërues.
Kushte për përhapjen e banesës së tipit kullë, së paku nga shek. XVI, ka pasur edhe krahina e Mirditës, e cila, siç dihet, kishte rreth vitit 1570 një lidhje të fuqishme ushtarake midis fshatrave për t´i rezistuar turqve dhe për shkak të kryengritjeve të tyre të herëpashershme dhe mosbindjeve, thirreshin nga këta të fundit «haina» dhe rabelë (8) .
Por kullat më të hershme, të ruajtura, të këtij tipi i takojmë në Shqipërinë e Jugut, megjithëse janë më të pakta në numër. Ato i gjejmë të përhapura sidomos rreth zonës së Gjirokastrës dhe Delvinës, si dhe në fshatrat e bregut të detit, si në Dukat, Dhërmi e Vuno. Kullat e Dhërmiut e të Vunoit i përkasin parisë së fshatit. Ato dallohen për trajtimin arkitektonik, krejt të mbyllur dhe mungesën e elementeve në fasadë, përveç dritareve dhe dyerve, të mbuluara me hark rrethor.
Një banesë-kullë e tipit klasik ndodhet në fshatin rrënojë të Kamenicës. Kulla është krejt e veçuar, trikatëshe dhe me plan katërkëndësh. Dy katet e para kanë lartësi të barbarta 2 m, ndërsa kati i tretë është 1 m më i lartë. Hyrja e vetme e kullës ndodhej në katin e parë dhe sigurohej me katarah. Kati i dytë është pajisur me oxhak dhe me një sqoll (për larje), por mund të ketë pasur dhe një qoshk.
Kullat më të hershme në Shqipërinë Jugore e kanë pasur hyrjen në katin e dytë. Në to hyhej nëpërmjet një shkalle të ngushtë të vendosur 1,50-2,00 m larg hyrjes, mbi të cilën mbështetej një urë e lëvizshme.
Ekzemplarë të ruajtur të këtij tipi kullash janë të paktë. Për to bën fjalë albanologu J. G. Han, kur përmend kullat mbrojtëse pranë banesave, në mjaft krahina të Shqipërisë së Jugut. Një kullë e tillë, me urë të lëvizshme, ruhet në Butrint. Megjithëse ajo ka një karakter tjetër, pasi nuk është përdorur si banesë e fortifikuar, por si një post ushtarak për kontrollin e kanalit të Vivarit, paraqet interes për t´u përshkruar për shkak të elementeve që ruan. Kulla

Fig. 183a — Kulla pranë Kanalit të Vivarit, Butrint. Pamje.

Fig. 183b — Kulla pranë Kanalit të Vivarit, Butrint. Planimetria.
përbëhet nga dy kate me planimetri katrore 6×6 m, që ngrihen mbi një bazament të pjerrët me lartësi 4,30 m i cili përfundon në pjesën e sipërme me një kornize guri e tullash. Muret e kullës, me trashësi 1 m ngrihen duke ruajtur një pjerrësi të lehtë në anën e jashtme. Kati i parë i kullës, me lartësi 4,60 m përbëhet nga një kthi-në e vetme katërkëndëshe që mbulohet nga një qemer i kryqëzuar i ndërtuar me tulla. Kthina e katit të parë është pajisur me një dritare, që bie nga ana e kanalit te Vivarit dhe dy frëngji për armë zjarri. Në mesin e murit lindor hapët porta e kullës. Në këtë të fundit hyhet nëpërmjet një palë shkallëve prej guri, të vendosura 1,60 m larg hyrjes dhe të një ure të lëvizshme, që lëshohej nga ajo në këtë të fundit. Ura mbështetej në një anë mbi sheshpushimin e shkallëve dhe në tjetrën mbi dy gurë gëlqerorë monolite, të punuar e të dalë në formë konsoli nën nivelin e pragut të portës. Në pjesën e sipërme të këtyre gurëve është gdhendur një kanal tërthor me seksion gjysmërrethi dhe diametër 15 cm, mbi të cilin mbështetej boshti rrotullues i urës. Përveç urës së lëvizshme, hyrja mbrohej edhe nga dy kanata që hapeshin nga brenda dhe siguroheshin me katarah.
Shkallët janë ndërtuar me disa kthesa. Kjo është bërë për të zgjatur kohën e afrimit deri tek porta dhe për t´ju ekspozuar mbrojtësve në pozicione të ndryshme të trupit, me qëllim që të goditej më lehtë nga të gjitha frëngjitë.
Kati i parë lidhej me të dytin nëpërmjet shkallësh të brendshme prej druri.
Kati i dytë ka gjithashtu një dritare nga ana e kanalit dhe dy frëngji anash saj. Dy nga muret e këtij kati janë pajisur me nga katër frëngji secili, ndërsa në murin që bie nga ana e portës janë hapur pesë frëngji. Frëngjia e mesit, e cila ndodhet në një nivel më të ulët, ka qenë hapur posaçërisht për mbrojtjen e portës. Prej saj mund të lëshohej dhe ujë i valuar mbi kundërshtarin, që kishte arritur deri tek porta. Kulla mbulohej me çati druri me katër kullime e mbuluar me tjegulla ose me plumb.
Në Shqipërinë e Jugut takojmë edhe një tip tjetër kullë, atë të çlifligarëve në fshatrat çifligje.
Këto kulla lidhen me një funksion të përcaktuar qartë. Në to, çifligari qëndronte përkohësisht për të kontrolluar vjeljen e produkteve bujqësore nga bujqit çifçinj. Nganjëherë kullat shërbenin edhe si hambare të grumbullimit të këtyre produkteve.
Shkaku i ndërtimit të këtyre kullave ishte frika nga revolta popullore. Ndërtimi i tyre lidhet dhe me një periudhë të caktuar historike, me atë të përhapjes së sistemit të çifligut në Shqipëri në shek. XVII-XVIII, e cila ishte një formë e re e zotërimit të tokës, që i jepte mundësi feudalit të shfrytëzonte drejtpërdrejt punën e fshatarit të shpronësuar nga toka si dhe të ngrinte rentën feudale nëpërmjet një rruge më të sigurtë (9) . Kullat në fjalë i takojmë në zonat fushore, atje ku u përhap edhe më shpejt sistemi i çifligjeve. Deri tani, kulla të tilla janë ruajtur apo dokumentuar nga të dhëna historike, në fushën e Korçës në luginën e Dropullit, në fushën e Tiranës (Laprakë), në fushën e Domosdovës, Delvinë, Çamëri, në Sulin e Poshtëm, në Zadrimë, Kosovë, etj. Këto lloj kullash shërbenin edhe për verim si dhe si banesa për qehallarët. Në kontrast me kullën dhe banesat e fortifikuara të çifligarëve, banesat e bujqve cifçinj, sidomos në zonat fushore, ndërtoheshin me materiale të dobëta dhe ishin njëkatëshe. Në të shumtën e rasteve, ato nuk kishin as oxhak dhe as dritare, pasi për secilën prej tyre bujku ishte i detyruar të paguante taksë.
Në fushën e Korçës ruhen në gjendje të mirë tri kulla në fshatrat Turan, Malavec dhe Dishnicë.
Nga ana arkitektonike, ato përfaqësojnë tipin klasik të kullave: me planimetri katrore, me nga një kthinë në çdo kat dhe me theksimin në lartësi.
Volumi i tyre i mbyllur, strehët e gurta e të pazhvilluara, mungesa e dritareve dhe lakonizmi në elementet arkitektonike, flasin vetëm për mbrojtje.
Kulla e Turanit

Fig. 184 — Kulla e Turanit. Korçë.
është ndërtuar në një terren të sheshtë në skajin lindor të fshatit. Ajo ka një lartësi prej 15 m dhe planimetri katërkëndëshe që i afrohet shumë katrorit (4,60×4,46 m nga ana e brendshme). Kulla ka një hyrje të vetme të vendosur në anë të fasadës perëndimore, e cila mbulohet me dy harqe guri dhe komunikon me katin e parë. Për të arritur pragun duheshin ngjitur disa këmbë shkallë të drunjta, të cilat nuk ruhen më. Kulla ndahet në katër kate, ku secili kat formohet nga një kthinë e vetme, me përjashtim të katit të parë, i cili ndahet në dy kthina, që mbulohen me qemer cilindrik guri. Katet e tjera ndaheshin nga njëri-tjetri me dysheme druri, ndërsa mbulesa është realizuar me një kupolë sferike të mbështetur mbi katër trompa dhe mbi të është vendosur një çati me katër kullime e mbuluar me rrasa guri. Muret e katit të parë kanë një trashësi prej 1,15 m, ndërsa në katet e tjera, me përjashtim të katit të katërt, ato ngushtohen 10-15 cm për çdo kat, për të mbështetur trarët e dyshemesë. Ngjitja për në katin e dytë realizohej me anë shkallësh të gurta, ndërsa katet e tjera komunikonin me shkallë druri. Ky dallim, si dhe mbulimi me qemere i katit të parë, është bërë për ta siguruar këtë nga rreziku i zjarrit, pasi aty grumbulloheshin përkokohësisht prodhimet bujqësore. Kati i dytë ishte vendi kryesor i luftimit, i errët, pak më i ulët se katet e tjera dhe pa asnjëfarë komoditeti; ai është pajisur më së miri me frëngji për armë zjarri.
Në katin e tretë ndodhet ambienti kryesor i banimit. Ai përbëhet nga një kthinë që ndriçohet nga tri frëngji. Në një qoshe të kthinës ndodhet një ambient sanitar, dyshemeja e të cilit mbështetet mbi një konsol, që formohet nga disa radhë gurësh, që dalin me shkallëzime nga faqja e brendshme e murit të kullës. Konsoli fillon në katin e dytë të kullës dhe përfundon në nivelin e dyshemesë së katit të tretë. Megjithëse kati i tretë ishte vendi kryesor i banimit, në të nuk dallohet asnjë gjurmë oxhaku apo e ndonjë vendi tjetër për ndezjen e zjarrit. Kati i katërt i mbuluar me kupolë është pak më i lartë se katet e tjera. Në të hapeshin dy dritare të mëdha, të mbuluara me hark me majë, të cilat nuk kishin kanata, megjithatë kjo kthinë është pajisur me oxhak, pasi ai përdorej për të gatuar gjatë stinës së verës.
Kulla e Malavecit ndodhet e veçuar në lindje të fshatit me të njëjtin emër. Ajo ndahet, ashtu si dhe kulla e Turanit në katër kafe, por të gjitha katet janë me dysheme druri. Kulla e Malavecit është më e thjeshtë dhe më e varfër në elemente arkitektonike. Frëngjitë ndodhen vetëm në murin jugor të kullës nga është edhe porta, ndërsa muret e tjera nuk kanë as dritare dhe as frëngji. Frëngjitë janë shpërndarë në këtë mënyrë: kati i parë nuk ka frëngji, i dyti dhe i treti kanë nga një, ndërsa i katërti ka dy frëngji të vendosura në pjesën e sipërme, të cilat shërbenin vetëm për ndriçim. Kulla mbulohet me një kupolë sferike, e cila nuk mbështetet mbi trompa si në Turan, por mbi disa trekë-ndësha të formuar nga trarë të vendosur horizontalisht në të katër qoshet e mureve. Siç duket, kulla e Malavecit shërbente më tepër si një hambar i grumbullimit të produkteve bujqësore dhe për ruajtjen e tyre, se sa për të qëndruar atje, qoftë dhe për një periudhë të shkurtër kohe.
Ky ndryshim me kullën e Turanit është i lidhur edhe me largësinë e kullave nga banesa e fortifikuar e çifligarit. Po t´i besojmë traditës se këto kulla u përkisnin bejlerëve të Plasës, problemi del më i qartë.
Kulla e Dishnicës ruhet deri në katin e dytë dhe është përshtatur në banesë. Nga gjurmët që ruan, ajo duket se ka ngjashmëri më të madhe me kullën e Malavecit se sa me të Turanit.
Ndërtime të këtij lloji takohen edhe në fushën e Dropullit e sidomos në fshatin Goranxi, ku janë gjurmuar 25 objekte të tilla (10) .
Vetë fshati, në të kaluarën, thirrej «kulla Goranxi».
Kullat e Goranxisë

fig. 185a — Kullë në fshatin Goranxi, Gjirokastër. Pamje.

fig. 185b — Kullë në fshatin Goranxi, Gjirokastër. Preje terthore.
trikatëshe, me planimetri drejtkëndëshe të përzgjatur, janë ndërtuar me gurë të thatë të palidhur me llaç dhe mbulohen me një çati dy kullimesh me rrasa guri. e cila përfundon në anët e ngushta me kallkan. Me gjithë planimetrinë katërkëndëshe të përzgjatur, tek kullat e Goranxisë spikat qartë kompozimi vertikal. Ngritja në lartësi dhe mungesa e dritarëve në të dyja katet e para flasin qartë për tiparet mbrojtëse të tyre. Kati i dytë i këtyre kullave, i ndriçuar dobët, shërbente për depozitimin e produkteve bujqësore, ndërsa ne katin e sipërm qëndronte çifligari. Ky kat shpesh ndahej në dy kthina: ajo e banimit dhe ajo e gatimit. Në kthinën e banimit dilte dhe një lloj qoshku prej druri. Ndryshe nga kullat e fushës së Korçës, ato të Goranxisë nuk kanë frëngji, prandaj ato shërbenin vetëm për një mbrojtje pasive. Këto kulla janë ndërtuar gjatë shek. XVIII ose më herët, nga çifligarët që banonin në Gjirokastër, të cilët kishin çifligje në të gjitha fshatrat e fushës.
Në përgjithësi, kullat në fshatrat çifligje i përkasin të njëjtës periudhë, sidomos fillimit të shek. XVIII, kur Shqipëria ndodhej në një atmosferë kryengritjesh të drejtuara kundër pagimit të taksave, të cilat përfshinë territoret që shtriheshin që nga Kurveleshi deri në Malësitë e Mbishkodrës. Edhe duke mos pasur të dhëna burimore për shtrirjen e këtyre revoltave në disa krahina të Shqipërisë, vetë ndërtimi i kullave tregon jo vetëm rezistencën e bujqve çifçinj, por dhe që vetë jeta e çifligarit nuk ishte e sigurtë. Në Shqipërinë e Veriut dhe deri diku në të Mesmen (11) , kullat të përdorura si banesë e fortifikuar kanë një përhapje më të gjerë, sidomos gjatë shek. XVIII-XIX dhe dallohen për larminë e tyre me elemente arkitektonike, megjithëse programi është pothuajse i njëjtë. Për sa i përket kullave të vona që ruhen deri në ditët tona, në Shqipërinë e Veriut, ndryshe nga Jugu, vërehet një shfaqje masive e tyre, që përfshin edhe shtresa të gjera të fshatarësisë. Kjo shfaqje është më e dukshme sidomos në kullat e krahinës së Matit

Fig. 186a — Kullë në krahinën e Matit. Pamje.

Fig. 186b — Kullë në krahinën e Malit. Planimetria.
ku tipi kullë i banesës, zëvendësoi tipat e tjerë të pafortifikuar.
Një përhapje të gjerë të kullave kemi dhe në krahinën e Kosovës, etj. si dhe në ndonjë fshat në Shqipërinë e Jugut, si në Kardhiq. ku thuajse të gjithë banesat fshatare janë të fortifikuara. Në mesin e shek. XIX, në fshatin e Baba Lloçit, që ndodhet gjatë rrugës Gjakovë-Pejë, ndërtimi i kullave kishte marrë përpjesëtime të tilla sa të 60 shtëpitë që përbënin këtë fshat ishin të fortifikuara, të pajisura me frëngji të shumta dhe ishin në gjendje të përballonin një rrethim pa artileri (12) . Të njëjtin karakter ka pasur edhe fshati i Kardhiqit (Gjirokastër), ku banorët janë kujdesur të ndërtojnë dhe një mur rrethues nga ana më pak e mbrojtur e fshatit. Kjo është një shenjë e sigurtë, që tregon për një mbrojtje të organizuar të të gjithë banorëve të fshatit kundër lakmisë dhe shpërdorimeve të feudalëve. Përhapja masive e kullave në disa zona, kryesisht malore, është e lidhur me mbizotërimin e fshatarësisë së lirë, ku sistemi i çifligut nuk ishte përhapur. Por ka edhe raste të tilla, kur kulla është ndërtuar edhe nga çifçinj të pasuruar, që ishin kthyer në pronarë të vegjël të pavarur, si në Kosovë, nga ku lindi dhe shprehja «kulle begu e kullë çifçija nuk dihet kush asht zotnija» (13) Kjo shprehje tregon gjithashtu për një pëhapje të gjerë të banesës së fortifikuar të tipit kullë në Shqipërinë e Veriut, sidomos gjatë shek. XIX. Kulla e Matit arriti përsosmërinë e llojit të vet nga ana arkitektonike dhe funksionale. Banesat-kullë ndërtoheshin zakonisht në vende të dukshme, ku kishin një shesh pamje të lirë e për këtë arsye nuk pajiseshin me mure rrethuese. Muret e tyre ishin të forta, të ndërtuara kryesisht prej guri. Këto ndërtesa kanë zakonisht 3 kate me nga një kthinë në çdo kat. Kati i parë përdorej për strehimin e bagëtisë, në katin e dytë zhvillohej jeta familjare ndërsa në të tretin priteshin miqtë. Banesa ka një hyrje të vetme në katin e parë, i cili lidhet me katet e tjera me shkallë të brendshme druri.
Karakteristike për ambientin e katit të tretë janë çikmatë (mashikula), të cilat janë disa dalje të vogla në formën e ballkoneve të mbyllura prej guri dhe të pajisura me frëngji anash dhe poshtë.
Çikmatë janë vendosur në pika të tilla nga mund të kontrollohen të gjitha anët e ndërtesës, por përveç mbrojtjes ato shërbenin edhe si kënde për ndejtje. Në të shumtën e rasteve, njëra nga çikmatë vendoset përmbi hyrjen, të cilën e kontrollon dhe e mbron jo vetëm së largu, por edhe nëpërmjet të vrimës së hapur në dyshemenë e çikmasë, prej së cilës mund të hidhet ujë i valuar mbi kundërshtarin.
Me frëngji janë pajisur jo vetëm muret e çikmatë, por edhe kthina sanitare, që del në formë konsoli jashtë ndërtesës, e mbështetur mbi ancakë guri, si edhe vendi i larjes së duarve, që formohet nga një e thelluar drejtkëndëshe apo rrethonë në mur.
Kur nevojat e familjes kërkonin zgjerimin e sipërfaqes së banimit, ndërtohej ngjitur me kullën ekzistuese një kullë tjetër, e cila, sipas rastit, ishte një kat më e lartë ose më e ulët.
Kulla të përdorura si banesa të tipit të Matit takohen edhe në krahina të tjera të Shqipërisë Veriore, si në Mirditë, Dibër, Lurë, Pukë, etj. Në disa kulla të zonës së Pukës, hyrja ndodhet në katin e dytër në të cilin të çojnë shkallë të jashtme druri; edhe në to, kati i tretë është pajisur me çikma, porta vendoset në anë të fasadës dhe mbrohet nga një çikma. Kthina sanitare, që del në formë konsoli, është pajisur me frëngji anësore, ndërsa në ballë ka një dritare të vogël.
Banesat kulla të Malësisë së Gjakovës janë gjithashtu zakonisht trikatëshe dhe të varfëra me kthina ndihmëse. Ato kanë të njëjtën vendosje kthinash si kullat e Matit dhe të Pukës. Por kthina e katit të tretë në këto kulla, në vend të çikmave, ka një të dalur në formë konsoli, të cilën e quajnë dyshekllëk. Dyshekllëku shërben për ndejtje, por edhe për luftim. Ai është pajisur me dritare të vogla, që i ngjajnë frëngjive. Në banesat e vjetra, dyshekllëku ka qenë ndërtuar me dru lisi 8-9 cm të trashë që nuk mund të shpohej nga plumbi, ndërsa, më vonë, muret e tij u ndërtuan prej guri. Hyrja në këto kulla ndodhet në katin e dytë, ku të çojnë shkallë druri. Kjo e bën më të mbrojtur banesën dhe për më tepër më komode, pasi e veçon nga vendi i kafshëve. Por nga ana tjetër, hyrja në katin e dytë ka disavantazhe se është më e ekspozuar nga larg. Kërkesat për komoditet në këto kulla janë në përgjithësi më të mëdha se sa në kullat e Matit, ku gjithçka është parë me syrin e mbrojtjes. Dyshekllëku në banesat e Malësisë së Gjakovës na paraqitet me shtrirje në disa variante: ai mund të zërë një kënd të banesës, krejt, murin ballor dhe gjysmën e njërit nga muret anësore ose murin ballor dhe dy gjysmat e mureve anësore. Një kullë e këtij tipi, me dyshekllëk prej druri është edhe ajo e heroit të Lidhjes së Prizrenit Mic Sokoli (14) ,

Fig. 187 — Kulla e Mic Sokolit. Bujan, Tropojë. Pamje.
e cila është restauruar kohët e fundit. Kulla është trikatëshe dhe është pajisur me 40 frëngji të shpërndara në të trija katet, të cilat kontrollojnë të katër drejtimet e kullës. Banesa e tipit kullë është përhapur edhe në Malësinë e Krujës, megjithëse në një kohë të vonë dhe me ndikime nga kullat e krahinave fqinje të Matit dhe të Mirditës.
Një tip kullë me mjaft interes na shfaqet në Shqipërinë e Mesme. Ajo njihet me emrin «shtëpia me telize» dhe ka qenë mbizotëruese në krahinat e Çermenikës, Martaneshit dhe Shëmilit, por takohet edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Mesme malore si në Malësinë e Tiranës, të Peshkopisë, Krujës dhe Librazhdit. Kjo lloj banese dallohet për praninë e një galerie të mbyllur prej druri (telize), që rrethon nga jashtë katin e sipërm të banesës, pjesërisht apo tërësisht, duke dalë në formë konsoli.

Fig. 188a — Banesë me «teliz» e tipit kullë. Çermenikë, Librazhd. Pamje.

Fig. 188b — Banesë me «teliz» e tipit kullë. Çermenikë, Librazhd. Planimetria.
Karakteri mbrojtës në këtë tip banese theksohet në banesat trikatëshe që thirrën edhe «kullë». Karakteristike për to janë: ekzistenca e një kthine për çdo kat, mungesa në përgjithësi e dritareve në katin e parë, ekzistenca e çikmave dhe frëngjive si dhe varfëria në kthinat ndihmëse. Megjithëse banesa me telize nuk është aq e fortifikuar sa kulla e Matit, ajo përfaqëson një nga tipat e vjetër të banesës së fortifikuar, e ndikuar drejtpërdrejt nga arkitektura ushtarake. Ajo sigurisht ka lëvizur në kohë, duke i shtuar ose pakësuar cilësitë e saj mbrojtëse, por edhe duke ruajtur gjithnjë elementin kryesor të kësaj arkitekturë, telizin. Po të vërejmë edhe tipat e tjerë të banesave të fortifikuara, do të shohim se ndikimi i arkitekturës ushtarake aty është i padiskutueshëm. Çikmatë nuk janë gjë tjetër veçse mashikulat që ndërtoheshin në kullat dhe mbi muret e kështjellave, sidomos mbi portat e tyre. Siç kemi parë edhe në kapitujt e mëparshëm, këto kanë qenë mjaft të përhapura gjatë shek. XV.
Në përgjithësi mashikulat ndërtoheshin prej druri dhe vetëm vonë u ndërtuan prej guri. Shembullin më të hershëm të një mashikule guri, ndoshta e kemi mbi portën e kështjellës së Lezhës dhe në kalanë e Prezës, ku ato nuk janë më të hershme se fundi i shek. XV ose shek. XVI. Për banesën me teliz, ne gjejmë një shembull të hershëm identik në nië nga kullat e Petrelës, që e kemi përmendur më sipër.
është pikërisht Shqipëria e Mesme, ku takojmë një përdorim të gjerë të mashikulave prej druri në kështjellat tona. si në Petrelë, Bashtovë, Durrës, etj. Këtë traditë e vazhduan për një kohë të gjatë banesat e fortifikuara të këtyre zonave dhe të tjera në afërsi me to, derisa, pothuaj para syve të brezave tanë, çikmatë e drunjta u zëvendësuan me ato prej guri, por edhe këto të fundit ndryshuan vetëm materialin, por jo formulimin arkitektonik. Kështu shpjegohet që ndryshe nga shumë krahina të Greqisë Jugore në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut nuk takojmë kullëza rrethore nëpër qoshet e banesave, që janë një ndikim i sigurt perëndimor.
Një nga arsyet e përhapjes së banesave-kulla, ishte rezistenca kundër pushtuesve turq dhe shpërdorimeve të administratës osmane. Këtë mund ta ndjekim që nga fillimet e pushtimit në shek. XV, kur timarlinjtë në krahinën e Korçës refuzuan të kryejnë shërbimin ushtarak dhe u mbyllën në kullat e tyre; pastaj rreth mesit të shek. XIX, kur Dervish Aliu, një nga udhëheqësit e kryengritjes, banonte në një shtëpi të fortifikuar dhe së fundi kemi ndërhyrjen e administratës otomane, në vitet 1911-12 për të zmadhuar dritaret e çikmave, në mënyrë që të ulnin aftësinë mbrojtëse të kullave në Shqipërinë e Veriut.
Arsyeja e dytë ishte ekzistenca e zakonit të gjakmarrjes, i cili nxitej edhe më tepër nga klasat sunduese. Vetëm gratë përjashtoheshin nga gjakmarrja. Kjo dha mundësi që me zgjerimin e pjestarëve të familjes, shtëpia e bukës të shpërngulet në një kthinë përdhese në oborr. Jeta në kulla ishte e vështirë, e ashpër dhe luftarake. Krahas ashpërsisë kundrejt armikut dhe gjaksit, besa dhe mikpritja mbeti një zakon i përhershëm për shqiptarin. Në kullat e varfra të fshatarëve kthina më e mirë u rezervohej miqve.
| (1) | A. Meksi, E. Riza. Ndërtimet në fshatin rrënojë të Kamenicës. Monumentet 7-8, 1974, fq. 139-153. |
| (2) | E. Riza. Arkitektura dhe restaurimi i kullës të Dervish Aliut në fshatin Dukat (Vlorë). Monumentet 17, 1979 (në shtyp). |
| (3) | E. Riza. Banesa e fortifikuar gjirokastrite. Monumentet l, 1971. |
| (4) | L. Suli. Banesa e vjetër e zonës së Konispolit. Monumente historike në vendin tonë, Tiranë 1978. |
| (5) | E. Riza. Vep. Cit. Monumentet l, 1971. |
| (6) | L. Mile. Aspekte të mënyrës së jetesës në fshatin shqiptar (fundi i shek XVIII – vitet 70 të shek. XIX). Studime historike 3. 1977, fq. 125. |
| (7) | Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. III. Tiranë 1962, fq. 196. |
| (8) | Serbët dhe shqiptarët, Tiranë. Bot. 1926. fq. 91-92. |
| (9) | S. Naçe. Çeshtje të çifligut feudal në Shqipëri në shek. XVII-XVIII. Bul. i shk. shoq. 3, 1960, fq. 91-113. |
| (10) | E. Riza, Th. Kamberi Kullat në fshatin Goranxi. Monumentet 3, 1972, fq. 179-183. |
| (11) | Për kullat në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, shih P. Thomo, Arkitektura e banesave fshatare në Shqipërinë e Veriut gjatë shek XIX. Monumentet 12, 1976. 159-171. B. Strazimiri. Banesat e Malësisë së Krujës. Monumente të Kulturës në Shqipëri, 1975, II, fq. 86-90. B. Strazimiri, P. Thomo. Kulla e Matit. Monumentet l, 1971, fq. 149-165. A. Muka. Arkitektura popullore e Shqipërisë së Mesme (banesa me telize). Monumentet 12, 1976, fq. 199-209.Janë përdorur dhe materiale të pabotuara të L. Sulit, për kullat në rrethin e Pukës. |
| (12) | L. Mile. Vep. cit. 124. |
| (13) | M. Krasniqi. Gjurmime albanologjike, folk. etn. 2, 1972, fq. 39. |
| (14) | L. Suli. Restaurimi i Kullës së Mic Sokolit. Monumentet 15-16, 1978.
Per”Alba – Dansk” shkodrani |



Leave a Reply