SPIRO SHKURTI
PARATHëNIE
Rrethi i Sarandës është nga më të pasurit në veshje popullore. Në të kaluarën çdo rrethinë etnografike e tij ka pasur në përdorim veshjen e vet, të dallueshme nga të tjerat. Këto veshje deri tani nuk janë studiuar aq sa duhet dhe, në përgjithësi, janë njohur pak. Studimi i tyre ka rëndësi jo vetëm për të njohur kulturën e popullsisë, krijimtarinë e saj të pasur edhe në këtë fushë, por edhe për të parë kërkesat estetike të bartësve të saj, nivelin ekonomik e shoqëror etj.
Banorët e të gjitha rrethinave etnografike të Sarandës, ndonëse në kushte relativisht të vështira e në luftë të vazhdueshme për të siguruar kërkesat minimale për jetesë, e kanë dashur të bukurën dhe kanë luftuar ta materializojnë atë edhe në veshjet.
Në fund të shekullit të kaluar e në fillim të shekullit tonë në këtë rreth janë mbajtur kostume të shumëllojshme, si për gra, ashtu edhe për burra. Në mënyrë të veçantë të tërheqin vëmendjen veshjet e grave, të cilat janë të pasura jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Ato bartin vlera të rëndësishme artistike, gjë që dëshmon për shijen e hollë të popullsisë.
Në këtë punim bëhen përpjekjet e para për një analizë tërësore të veshjeve ceremoniale të përdorura nga të dy sekset në rrethin e Sarandës. Siç shihet nga materiali ilustrativ që po sjellim këtu, këto veshje kanë qenë më të arriturat e në një nivel më të lartë artistik.
Veshjet e përdorimit të përditshëm dhe ato të punës nuk po i trajtojmë, për shkak të vështirësive të mëdha që paraqet gjetja e tyre. Ato nuk janë ruajtur në atë masë që janë ruajtur veshjet ceremoniale.
Në hartën kostumologjike që po paraqesim,

Fig. 1. Harta kostumologjike për gra (fundi i shek. XIX, fillimi i shek. XX).
janë përfshirë vetëm veshjet e përdorura nga gratë, sepse veshjet e burrave kanë qenë pothuaj të njëjta për të gjitha rrethinat. Për to nuk mund të flitet për ndryshime relativisht të thella zonale, por vetëm për shtresëzim kohor dhe zëvendësim të njërës me tjetrën. Ndryshe qëndron problemi me veshjet e grave. Megjtihëse rrethinat kostumologjike janë afër njëra-tjetrës, kufijtë midis tyre kanë qenë të prerë qartë dhe prandaj këto veshje paraqesin shumë ndryshime. (Këto rrethlna kostumologjike i japim për periudhën që përfshin çerekun e fundit të shekullit të kaluar e deri në vitet `30 të shekullit tonë).
Në analizën e mëposhtme kemi përdorur edhe të dhëna për veshjen që i përkasin gjysmës së parë te shekullit XIX. Në përgjithësi këto të dhëna janë nxjerrë nga materialet e grumbulluara në ekspedita, nga studimet e kryera nga etnografët dhe nga udhëpërshkruesit e shekullit XIX (1) ).
Veshja, ashtu si edhe aspektet e tjera të kulturës materiale, përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga gjendja ekonomike e popullsisë, nga drejtimi kryesor dhe drejtimet ndihmëse ekonomike, nga forca e traditës e pastaj, në një masë më të vogël, nga kushtet natyrore e gjeografike, nga marrëdhëniet e ndërsjellta që ka pasur zona me krahinat e afërta ose të largëta dhe me tregjet krahinore e ndërkrahinore etj.
Nga materiali i mbledhur del se nga mesi i shekullit XIX e mbrapa rrethinat etnografike që përfshihen në rrethin e sotëm administrativ të Sarandës fituan kushte disi të veçanta ekonomike për shkak të zhvillimit jo të barabartë, gjë që solli pasoja edhe në veshjet popullore. Kjo është njëra nga arsyet që na shtyn të shqyrtojmë së pari shkurtazi pozitën gjeografike, kushtet natyrore e gjeografike, drejtimet ekonomike e lidhur ngusht me to, evoluimin e veshjeve popullore dhe karakteristika të tjera të përgjithshme, pa u ndalur në përshkrime të hollësishme të këtyre veshjeve.
Duke marrë në shqyrtim veças secilën nga këto rrethina, do të ndalemi kryesisht në veshjet e përdorura në fund të shekullit të kaluar e deri në çerekun e parë të shekullit tonë. Përsa lejon materiali, do të bëhen përpjekje për të analizuar veshjet e përdorura në gjysmën e parë të shekullit XIX, duke bërë edhe krahasime mbi afritë dhe dallimet midis veshjeve të vjetra e veshjeve më të reja.
Më poshtë po trajtojmë veshjet popullore të rrethit të Sarandës, duke i ndarë në dy grupe: në veshje grash e veshje burrash.
| (1) | Përveç të tjerave, janë konsultuar edhe këto materiale: A. Gjergji: Veshjet popullore shqiptare (monografi e përgatitur për shtyp), M. Tirta: Veshjet popullore të Labërisë (kumtesë e mbajtur në simpoziumin për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës 1978), Pouqueville: Voyage en Greece, Paris MD CCCXXVI, William Martin Leake: Travels in northeren Greece, London 1935, J. G. Hahn: Albanesische studien, Jena 1854.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani |



Leave a Reply