Nga “Ajios Saranda” te Saranda
S’di pse qyteti i lindjes e joshte si të qe një sy Çirçeje. Porsa ditët e një muaji mbylleshin, e zinte malli dhe ia mbathte në Sarandë. Qysh kur mëkonte shpresat dhe qeshte e këndonte si i çmendur brigjeve të saj, qysh kur griste këpucët pas të dashurave (veç me një bisht syri), qysh kur iu hodh mbi shpinë udhës së dijes në gjimnaz e më pas në universitet dhe fluturoi jetës për të ngritur strehën e vet, qyteti sakaq rritej, frymonte, ndryshonte. I dukej dikur krejt i tij, i bartur si zhgualli i breshkës a kërmillit; e merrte me vete në shi e në zheg. Si breshka e kërmilli kishte ecur dhe qyteti pasi Onhezmi i dikurshëm humbi farë e nishan.
Errësira dhe heshtja pllakosën mbi qytetin e vjetër. Kur turqit ia mbërritën e quajtën Sarandoz. Pastaj venecianët mbi hartat e tyre të vjetra i vunë emrin italian Santi Quaranta. Koloneli anglez William Martin Leak gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës thoshte se ekzistonte një qendër banimi me emrin Skala a Skaloma aty ku shtrihet sot Saranda. Në reformën osmane të vitit 1867 njësia urbane e Sarandës (mudurluk) ishte pjesë e kazasë së Delvinës, ndërsa gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) figuronte si një qendër e vogël thuajse pa banorë rezidentë dhe pa asnjë institucion të organizimit komunitar. Qe thjesht njësi tregtare. Saranda si mudurluk u krijua nga perandoria otomane me funksionin e një porti në vartësi dhe shërbim të pushtetit vendor të Janinës e Prevezës. Një pjesë kohe, e pushtuar nga trupat greke, Saranda u përfshi në të ashtuquajturën Republika Autonome e Epirit të Veriut, por më pas sipas Protokollit të Firences më 17 dhjetor 1913, nga strukturat e brishta e pa peshë të shtetit shqiptar, edhe pse qyteti ishte pjesë integrale e njësisë territoriale autonome të Epirit të Veriut, gjithsesi ishte pjesë e pacenueshme e shtetit shqiptar. Kjo buronte nga formula politike e kompromisit të arritur, konjukturës politike, e ofruar si një zgjidhje e përkohshme historike. 1916-1920 Saranda u përfshi në Protektoratin italian të Shqipërisë së Jugut. Gjithsesi pas vitit 1912 ajo filloi të shëronte disi plagët e shekujve.
Më 1913 hapet në Sarandë e para shkollë shqipe. Më 1920 kishte të regjistruara 25 fise-familje. Në qytet u bënë të njohur disa tregtarë si Mihal Llambro, Koço Harito, Miho Gjini, Stavro Lezo, Xhevdet Selfo, Bektash Beu, Harallamb Papa etj. Funksiononin 3 konsullata: italiane, greke dhe rumune. Në periudhën e Monarkisë, Ansambleja Kombëtare ia dhuroi qytetin mbretit Zog, për këtë shkak Saranda u quajt Zogaj. Më vonë erdhën ushtritë e Duçes. Benito Musolini i dha emrin e bijës së tij të madhe dhe e quajti Porto Edda. Mbarimi i Luftës II Botërore ia riktheu emrin Saranda, pa përcaktorin “Shën”. Varrimi i kujtesës së qyteteve ishte i vjetër sa koha. Gjatë komunizmit e kishin pësuar më pas edhe disa qytete të tjerë. Kuçova ishte quajtur “Qyteti Stalin”, Tropoja u quajt “Bajram Curri”, madje edhe Pukës donin t’ia vinin emrin “Migjeni”. Dhe kulmi ishte kur kryeqytetit, Tiranës, pas vdekjes së Enver Hoxhës, një kokëqyp i byrosë politike kishte propozuar t’ia vinte emrin “Enver Hoxha”.
E humbur nga hartat e qyteteve, e harruar si Onhezmi dhe “40 shenjtorët” (Ajos Saranda), kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë qyteti kishte vetëm 110 banorë. Më shumë ishte një han ku hynin e dilnin fshatarë, karvane me kuaj, blinin e shisnin produkte ushqimore e sende të tjera. Në censusin e vitit 1927 ajo u rrit në mënyrë të befasishme, arriti 810 banorë. Në vitet ’30 popullsia u dyfishua, u ndërtuan godinat e para publike dhe u hapën rrugët kryesore; më 1939 ajo i kaloi të dymijë banorët. Qyteti kishte tri rrugë kryesore, paralele, që bashkoheshin teksa e përpjeta niste drejt Qafës së Gjashtës. Dhe shkallaret që hipnin e zbrisnin pjerrinave nga deti në këmbët e malit. Pastaj nga tre u bë me gjashtë rrugë paralele, hipur mbi kurrizin e njëra-tjetrës, ndërsa rruga e përpjetë drejt Qafës së Gjashtës i rrëmbente të gjashtë rrugët në rrembin e vet si të ishte një lumë i madh si Nili, ku derdheshin përrenjtë e vrullshëm, zhurmat e makinave, frymët, bisedat, aventurat.
Pasi u ngrit shteti shqiptar në vitin 1920, bashkia e Sarandës e krijuar një vit më pas më 1921 kishte pajtuar me rrogë një urbanist austriak, Kaizer quhej. Ai projektoi shtatë shtëpitë e para dy dhe tri katëshe, banesën ku rrinte dikur Miho Xhani, një vilë dykatëshe pranë agjencisë, një tjetër te rruga e parë, bar restorant “Butrinti”, grupin e banesave pas hotelit të vjetër buzë detit që u shemb, një banesë dy katëshe mbi xhami, sikundër krijoi konceptin urban të ndarjes së qytetit në tri rrugë dhe tri rreshta shtëpish. Tullat dhe tjegullat do t’i blejmë nga Korfuzi, i propozoi ai kryetarit të bashkisë. Pse nga Korfuzi? Që qyteti të duket i bukur zotëri, të tërheq vëmendjen e turistëve. Zbritja me shkallë nga sipër drejt detit do të krijojë korridoret ajrore dhe nga deti qyteti do duket si një amfiteatër, kishte shpjeguar urbanisti. Rob i ligjit siç qe, austriaku Kaizer nuk lejonte të prekej asnjë centimetër nga plani urban i zhvillimit të qytetit. Mirëpo njerëzit, të pabindur, grabitqarë e gjysmë bandit, me psikologjinë e beut dhe hyzmeqarit, i kërkonin favore duke i ofruar nën dorë para, sende të vyera. Austriaku nuk pranonte. Një nga këta të fortë donte të ndërtonte një vilë mu buzë detit. Urbanisti nuk e hidhte firmën. Atje ai kishte menduar një shëtitore. Më në fund e thërret kryetari i bashkisë dhe e urdhëron që të hedhë firmën. Jo firmose, jo nuk e firmos, gjersa kryetari ia kishte veshur me shpullë fytyrës. Por austriaku Kaizer nuk hoqi dorë, rob i ligjit si përherë. Atëherë “beu” a i “forti” i qytetit, sigurisht edhe me bekimin e kryetarit të bashkisë, i kishte vënë pas ca hamenj porti, të cilët e kishin rrahur të gjorin urbanist dhe e kishin bërë petë. E prapë se prapë ai nuk firmosi. Dha dorëheqjen, bëri denoncimin në qeveri dhe u largua në Austri. Kështu flitej për “Kaizerin”. Kaizer ishte një titull e funksion pushteti, që do të thoshte “Mbret”. Në fakt, edhe ky Kaizeri i Sarandës ishte vërtet një “mbret” i konceptit urban të qytetit, një “mbret” i ndershmërisë qytetare prej profesionisti…
Qysh tek ajo firma e pahedhur e urbanistit austriak, Saranda paçka se e vogël e në shpërgaj, e kishte ruajtur rregullsinë e vet, konceptin urbanistik si prej qyteti bregdetar italian, spanjoll a grek. Vit pas viti u ndërtuan mjaft shtëpi guri e vila të bukura, që shtoheshin me shpejtësi. Solli ndërmend se kur kishte lindur më 1950, familja e tij jetonte në një shtëpi përdhese, gjysma me gurë, gjysma me dru e kallama, e kredhur në një gjelbërim të fortë e të dendur, ngritur sipër një muri me gurë të latuar, mu në qendrën e qytetit, bri ish Komisariatit të Policisë. Ishte e një grekeje. E quanin “Qiratasi”. Në fakt duhej shqiptuar Qiria Anastasia, por siç shqipja dhe fëmijëria i ha rrokjet dhe i shkurton emrat, edhe Anastasisë ia kishin ngrënë ca rrokje, ndërsa titullit etik “qiria” (zonjë) ia kishin gëlltitur nja dy germa e theksa. Punë e madhe, ku merrnim vesh ne, fëmijë qemë! E kishte në sy fytyrën e shëndoshë e të rrumbullaktë të qiria Anastasisë, shtatin e shkurtër, flokët e bardhë dhe… dhe… ndonjë karamele që i jepte. Mbante mend bardhësinë, murin e lyer përherë me gëlqere. Mbante mend po ashtu një man dhe një dredhëz aq të dendur, që varej nga degët e atij mani dhe krijonte ndoca qoshe e kthina, ku ai shkonte shpesh dhe fshihej, flinte aty me qenin e shtëpisë, ndoshta dhe ëndërronte. Poshtë asaj barake të qiria Anastasisë u bë një fushë volejbolli, besoj e para e këtij lloji. Më pas ajo u zhvendos në disa vende: në fushëzën prapa ish Komitetit të Partisë së Rrethit (sot shatrivani), në oborrin e poshtëm të shkollës 8 vjeçare përbri Maternitetit, gjersa u vendos përfundimisht në stadiumin e lojërave me dorë në fund të viteve ‘70.
Në vitin 1953, në rrugën kryesore të qytetit u ndërtuan disa ngrehina njëkatëshe me gurë, 6 gjithsej, 5 nën rrugë dhe vetëm njëra mbi rrugë, banesa ku familja e tij u strehua pasi ikën nga qirija Anastasia. Ngjanin si kapanone ushtrie. I kishte mbetur në sy një shkrim në gazetën “Zëri i Popullit” me titullin “Ndërtime të reja në Sarandë”. E zinte e qeshura tek e kujtonte atë entuziazëm të gazetarit për zhvillimin dhe përparimin e jashtëzakonshëm të qytetit?! Por e dinte se për kohën dhe prindërit e tij ato ngrehina njëkatëshe e të stërzgjatura si kapanone ishin vërtet një mrekulli, jo aq se qenë ndërtimet e para pas luftës, të reja dhe me gur të skalitur, por edhe sepse familjes së tij iu dha një strehë ku ata jetuan. Vëllezërit dhe motrat e tij kaluan aty fëmijërinë, rininë, gjersa u martuan. Saranda ishte e vogël, pak shtëpi prej guri, ndonjë ngrehinë e madhe, të tjerat s’qenë veçse baraka me mure gurësh pa llaç, çati llamarinash e me letra katrama, shpesh mbuluar me letra thasësh çimentoje, copëra eternitesh, gardhe me kallama, thupra e shkopinj. Në një apartament, në shumicën e rasteve, jetonin dy, nganjëherë dhe tre familje. Sot është e pakonceptueshme se si ia bënin, sidomos gratë: banjat e vogla dhe vendgatimet e përbashkëta. Zot, nuk e mendon dot! Të larët, zhurmat e fëmijëve, grindjet dhe sherret, zjarri me dru, tymi, prania dhe bezdia e tjetrit, pritja për të shkuar në banjë, ngrohja në dimër me mangalle e qymyr. I vetmi faktor që i mbante bashkë këto familje ishte dashuria, solidariteti dhe moraliteti social. A i bën dot bashkë sot këto? Bah!… Sot njerëzit gëzojnë “gurët”, dje i gëzoheshin njëri-tjetrit – një parfum njerëzie dhe miqësie i “padekretuar” urban ky, që sot, mbase dhe nesër, dhe askurrë më, nuk ka për t’u përsëritur dhe as të imagjinohet dot. Eh, kohë moj kohë!…



Burimi/Facebook


Leave a Reply