Gazeta Flamuri nr. 27-28 Flaka alias Zef Pali
Isha 10 vjeç kur më thirri Dom Ndreu. Më tha: a ke qefë me luejt në teatër me burra?
E prita me kënaqësi fjalën e autorit të “Orës së Shqipnis”. Mu duk sikur u bâna dhetë vjet mâ i madh. Më caktoi pjesën e Pjerushit, nji nga tre djemt e Sokolit, që përfaqësonte burrin dhe burrninë Shqiptare.
I mbaj mend si sot provat në nji dhomë t’argjipeshkvisë. I mbaj mend edhe fjalët. Por, mâ tepër kujtoj poetin me sy të ndritshëm, që mallëngjehej e na mallëngjente sa herë përmendej fjala “Shqipni”. Kujtoj Dom Ndren, aq zemër vente mbi ato çuemje dhe ulje zâni, sa herë përsëriste pjesët dhe përpjekjet mes Shqiptarëve dhe trathtarëve, mes orëve e zanave.
Ishte vjeti 1920. Në Jug dhe në Veri, në Vlonë dhe në Shkodër, ushtoi me zâ pushkësh kushtrimi i Atdheut.
Fshelas (Fshehtas F.P.) Dom Nderu, na mësoi si tu përgjigjemi të huejve sulmuesa te “Vallja e Lumejve”. Kur në salonin e jezuitve, pa pritë ushtuen fjalët e Vijosës:
“Adries m’i thuej krenare
Valona âsht tokë Shqiptare!”
Gjithë shkodranët u çuen në kambë dhe me nji breshëni shuplakësh e brohoritjesh e thirrën në skenë autorin, që qante nga gëzimi.
Pak mâ vonë, atje te “Shkolla e Parrucës”, ishin mbledhë deputetë e ministra. Shkodra ishte në rrezik. Pësëri “Ora e Shqipnis” enthuziazmoi sokolat, u dha pushkën në dorë dhe zjarmin në gji.
Foli Drini ke “Vallja e Lumejve”:
“Rozaf o çerdhe Shqypesh
Qi burra ke nën roje,
Pse rrin e kqyrë me drole?
Çka ka Liqeni e Buna
Qi po lajmojnë potere
T’a dijë Jugosllavi,
Se Shkodra vdes me nderë”
Kohë mbas kohe Dom Ndreu i strukun nëpër famullin e Shkrelit e të Sheldis, qiste zânin e zemrës me vepra të reja të nxjerruna ndër faqe të historis sonë, që aq mirë zotnonte.
Kështu u këndue “Rozaria”, “Rrethimi i Shkodërs”, “Ruba e Kuqe”.
Këtu u ndal. Këtu e pashë në skenë për herën e fundit. Foli tue zbrazë ato fjalë-flake për Flamurin, për flamurtarët.
Epi, Dom Ndre, bërtitshin pa zâ nxanësit e rritun.
Dhe gjama e Dragobis, na ngriti ndër zemra të zharituna nji Flamur të rrëzuem në kufi të Kosovës.
Na tha Dom Ndreu:
“Maje Shkambit, maje gurit,
veton syni i Bajram Currit”
***
Ndër skena të tjera mori pjesë Dom Ndreu, kur robnia kaloi mbi trupin e Kapterr Mujos.
Çoi zânin, prefi pendën, kur nji Cordignano kërkoi të na qesi të huej në tokë tonë.
U betue si antar i Ballit Kombëtar te Qela e Serreqit. Mbi Flamur, mbi pushkë… Pse nuk ishte vetëm kohë pende tashma…
Qendra e botimeve të fshehta të “Balli” ishte katundi Juban. Mbas nji zjarri, që ra papritë në shtëpinë e botimeve klandestine të Jubanit, qendra u bart në Sheldi, ke Qela e Dom Ndreut. Ke Qela e Dom Ndreut u fsheh edhe nji pjesë e Komitetit Krahinor të “Ballit” të Shkodrës, kur Kol Biba, Ministër i Mbrendshëm, i egërsuem për humbjen e Duces, dha urdhnin e arrestimit. Atëherë, më bien ndër mend si sot, ndërsa n’Itali mori fund fashizmi në nji çerek ore, milicët me urdhën të Kolës, bastisën dyqanet e Tiranës e të Shkodrës, për të detyrue Shqiptarët të vejnë ndër mure fotografitë e Duces së zhdukun!…
U poqa me Dom Ndren në Sheldi në verën e vjetit 1942, ishte bashkë me Dom Zef Shestanin, Mustafa Dervishin e disa të tjerë. Sa shum u kënaq tue pamë të bashkuem në “Ballin” e përpjekjeve për Atdhe, të Krishtenë e Muslimanë, gegë e toskë!
Por, mâ shum i ndritën sytë kur na pau në Vjeshtën e Parë të 1944-s, tue u ndalë te Qela mikpritse me çetën e “Mustafa Dervishit”. Mustafa i ynë i kishte falë gjakun, i kishte falë emnin çetës së rinis, që ngjalli me kangë e pushkë detyrën e kryengritjes.
U ndal si i ngrimë, si i rrëmbyem mbi ballet e qelesheve të bardha, ku hapte krahët Shqiponja. Shetiti për të ngimë sytë e dishruem mbi sytë e luftarëve, mbi pushkët, mbi mitralozat…
Nuk di au kujtue kur çeta “Mustafa Dervishi” këndoi kangën e tij:
“Mbi shkamb e gur
Valo Flamur!
Nji Komb petrit
Nuk të korit!
S’Të lshojmë aspak!
Të mprojmë me gjak!”
***
Nji ditë të vjetit 1945, u mblodhëm në Kishen e Santa Maria di Leuca, ne, mërgimtarët e shkretnuem. Përkujtuem Dom Ndren e vramë nga milicët e Moskës.
E kujtuem me shum mallë ne, që e njoftëm. E njoftën ata, që u bashkuen te plaga e zemrës së Kombit.
Ndre Zadejen me ballë të përgjakun e kujtoi “Balli” i mija dëshmorve.
“Ora e Shqypnis” kështu e desht!…
Burimi/Facebook


Leave a Reply