Armand Mero
Në Shqipëri Gjykata e posaçme pritet të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj zotit Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha. Zoti Malltezi u arrestua të shtunën nën dyshimet për të paktën dy vepra penale që lidhen me procedurat e privatizimit të ish klubit sportive Partizani dhe ndërtimin në sipërfaqen e tij të një kompleksi pallatesh. Gjykata do të shyrtojë po ashtu dhë masën e detyrimit për paraqitje për ndërtuesin Fatmir Bektashi, ndërkohë që rasti i ish kryeministrit Berisha pritet të shqyrtohet në një seancë tjetër duke qenë se ai nuk ka firmosur dokumentin për marrje dijeni të vendimit të gjykatës për masat e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Zoti Berisha edhe sot hodhi poshtë akuzat ndaj tij duke e konsideruar vendimin e Gykatës dhe Prokurorisë si një kosh me gënjeshtra dhe manipulime
Për Jamarbër Malltezin, Prokuroria thotë se ai dyshohet për “korrupsion” të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, duke qenë se sipas saj, duke shfrytëzuar pozitën e kreut të qeverisë, ka marrë përfitime gjatë procesit të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, ndërsa ka arritur të përfitojë në formën e fitimeve të kompanisë, e cila hyri në marrëdhënie për ndërtimin e kompleksit të pallateve afro 5.4 milionë euro. Sipas prokurorisë ai është paraqitur si investitor në punimet e ndërtimit të pallateve pa investuar, dhe ka kryer veprime financiare e transaksione për të fshehur origjinën e parave të përfituara.
Seanca e sotme e Gjykatës për shqyrtimin e masës së sigurisë arrest me burg u shty disa herë, me kërkesën e avokatëve për t’u njohur më mirë me dosjen. Në këtë seancë do të vlerësohet dhe masa e detyrim paraqitje dhe ndalim për largim nga vendi, për ndërtuesin Fatmir Bektashi, kompania e të cilit realizoi punimet.
E paqartë mbetet situata me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili nuk ka pranuar të fimosë aktin me të cilin vërtetohet se ka marrë dijeni për vendimin e gjykatës. Ndaj tij po ashtu është vendosur detyrim për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. “Ky është një proces i parregullt ligjor. Në momentin që zoti Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar si vendim, ai nuk është pjesë e këtij procesi. Këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ata që e krijuan”, deklaroi avokati i tij, Genc Gjokutaj.
Për zotin Berisha prokuroria dyshon se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore” duke ndërhyrë për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që favorizuan familjet e pronarëve të tokës, mes të cilëve dhe dhëndri i tij, se ka nxitur kontrolle për të ushtruar presion për përfundimin e procedurave të privatizimit apo se strukturat shtetërore janë vënë në dispozicion të dhëndrit të tij për realizimin e procedurave të privatizimit.
Vendimi i gjykatës është një dokument 200 faqesh, për të cilin zoti Berisha deklaroi sot se “është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”.
Zoti Berisha përdori një gjuhë të ashpër dhe me epitetet të shumta ndaj prokurorëve dhe gjykatës së çështjes, duke këmbëngulur se “nuk janë në gjendje të japin as dhe një provë, fakt apo dokument të vetëm se në procedurat e privatizimit të klubit Partizani është shkelur ndonjë ligj, normë apo praktikë ligjore”
Kur kanë kaluar gati 48 orë nga zbatimi i vendimeve të Gjykatës, sot për herë të parë për këtë rast u shpreh publikisht dhe zoti Gazmend Bardhi, i cili gëzon mbështetjen e një grupi jo të vogël deputetësh demokrat, e që së fundmi u afrua me zotin Berisha dhe grupin e tij, pas kundërshtive për rizgjedhjen e zotit Lulzim Basha si kryetar i PD-së. Zoti Bardhi i mëshoi tezës se Prokuroria e Posaçme do të duhej të kishte kërkuar autorizimin e parlamentit për masat e sigurisë ndaj ish kryeministrit. “Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së zotit Sali Berisha, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK-ut”.
Ai, sikundër dhe vetë zoti Berisha, i referohen nenit 73, pika 2 e kushtetuës, e cila në fakt nuk flet për kufizim të lirisë, por përmend vetëm rastin e heqjes së lirisë apo kontrollit të banesës së një deputeti, si kushte për të kërkuar autorizim nga parlamenti.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply