
Ataturku është babai i Turqisë moderne. Qëllimi im nuk është që t’i marrim kujt këtë figurë që s’ka bërë për Shqipërinë aq sa ka bërë për Turqinë, po të vë në dukje etnicitetin e tij. Turqit, në ndryshim nga disa kombe të tjera, ia kanë ditur për nder Shqiptarëve për kontributin që ata kanë dhënë për shtetin turk.Ataturku rrjedh nga një familje shqiptare nga Dibra që ishte shpërngulur në Selanik, i cili në atë kohë banohej ashtu si dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë nga shqiptarë. Ai lindi në Selanik dhe rininë e kaloi në Shqipërinë e kohës. Pati lidhje me çetat shqiptare të Bajo Topullit dhe të Mihal Gramenos. Ataturku është me origjinë shqiptare nga nëna dhe babai dhe fakte për këtë na japin autorët e kohës së tij turq apo të huaj. Kështu, Harold Armstrong për origjinën e nënës së tij shkruan: “Zybejdeja qe një vajzë e një katundari nga Shqipëria e Jugut dhe nënën e kishte nga Maqedonia”
Po të njëjtën gjë thotë edhe një shkrimtar arab Azir Hanki që ka qenë ambasador në Ankara: “Zybejdeja që vjen nga një baba shqiptar dhe një nënë maqedonas. Mustafa Qemalit i ziente në damar gjaku i Aleksandrit të Madh dhe Mehmet Aliut të Kavallës”. Pra nga këto të dhëna del se nëna ishte shqiptare.
Ndërsa nga i ati, ishte shqiptar me origjinë nga Dibra. Të dhënat për këtë na i jep një gazetar dhe historian turk i quajtur Murat Sertologu i cili në 1970 shkroi se “Dikur për të mësuar biografinë e Ataturkut, e sidomos prejardhjen e tij, kisha vajtur deri në Selanik dhe kisha bërë hulumtime. Së pari, shënoj se Ali Bej Efendiu ka qenë njerku i Ataturkut. Babai i vërtetë i Mustafa Qemalit është Beqir Agai, që quhej Beqir Aga Shqiptari. Ai kishte vrarë një kaçak dhe kishte rënë në burg ku edhe vdiq. Zybejdeja pati me të dy djem, Surenë dhe Mustafanë dhe një vajzë. Zybejdeja pasi u martua me Ali Rizanë të tre fëmijët i regjistroi në emrin e tij. Unë këtë shënim vazhdon autori, e bëra që t’i shërbej historisë.”. Pra, sipas të dhënave të këtij historiani që për të ditur origjinën e saktë të Ataturkut ka ardhur deri në vendlindjen e tij, babai i Ataturkut është shqiptar.
Kur Asaf Xhaxhuli ambasador i Shqipërisë në Turqi i paraqiti letrat kredenciale Mustafa Ataturkut filloi t’i lexojë ato në frëngjisht. Ataturku e ndërpreu e i tha: “Të lutem mos më fol frëngjisht, por turqisht ose shqip se unë kuptoj edhe shqip”.
Çfarë ka bërë Ataturku për Turqinë ?
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore Turqia doli humbëse, dhe tokat e saj u pushtuan nga forcat fituese të Antantës, pra kështu ajo humbi sovranitetin. Për të shpëtuar vendin në Ankara u formua një qeveri paralele me atë të sulltanit, me në krye Qemal Ataturkun i cili së pari, krijoi ushtrinë kombëtare. Kështu, vendi hyri në një luftë civile midis Sulltanistëve dhe Qemalistëve në një kohë kur ishte i pushtuar nga forcat e huaja, përfshirë edhe ato greke.
Të dy ushtritë brenda vendit hynë në veprime ushtarake të drejtpërdrejta dhe fituan forcat ushtarake të Mustafa Qemalit. Forcat greke në kushtet e anarkisë përparuan më në lindje dhe trupat e huaj zotëronin ngushticat. Në këto kushte, në 1919, sulltani nënshkroi marrëveshjen e paqes me anë të së cilës humbte dhe tokat e fundit të perandorisë dhe ç’ishte më e keqja, Turqisë i mbetej shkretëtira e Anadollit, dhe ca territore në detin e Zi se të tjerat do i mbante Antanta, që do i jepte edhe ca Greqisë. Në këto kushte duhej një dorë e fortë që të luftonte me Antantën e cila sapo kishte fituar Luftën e Parë Botërore dhe kishte pozita të forta në botë.
Grupimi politik i Ataturkut organizoi zgjedhjet dhe mori situatën në dorë. Në vitin 1921 në jug të vendit forcat ushtarake të Ataturkut mundën forcat franceze dhe italiane dhe këto fuqi të mundura nënshkruan marrëveshje paqeje dhe u larguan nga Turqia. Lufta u drejtua ndaj grekëve të cilët kishin përfituar nga gjendja kaotike brenda vendit dhe nga përkrahja ndërkombëtare, dhe ishin futur thellë në trojet turke. Kështu Ataturku i theu grekët në vitin 1921, por sulmi përfundimtar u krye në vitin 1922 dhe përfundoi me disfatën e grekëve, të cilët pas kësaj lanë përfundimisht Anadollin e Turqinë.
Në vitin 1923 Turqia me marrëveshjen e paqes që nënshkroi me fuqitë e mëdha ruajti territoret e saj dhe kjo u arrit në saj të luftës që organizoi Ataturku.
Ai në histori njihet si shembulli më i mirë i përqafimit të reformave dhe institucioneve perëndimore. Shpalli Turqinë Republikë dhe vet u zgjodh president, sepse nuk pëlqente formën monarkike të qeverisjes, se po të kishte dashur ishte bërë edhe mbret, pasi me reputacionin që kishte do ta kishin përkrahur të gjithë. Ai i dha vendit një kushtetutë moderne që ishte shumë kur dihet se vendi qeverisej me sheriatin dhe populli e pranoi. Ai realizoi një kod të ri civil që rregullonte sipas mënyrës moderne marrëdhëniet në pronësi dhe familje, të cilat deri në atë kohë ishin rregulluar me Kuran.
Vendosi disa ligje të çuditshme, por po të marrësh parasysh etnicitetin e tij, nuk janë se shqiptari është dalluar në shekuj për tolerancë fetare dhe përqafimin e modernizmit.
Kështu ai vuri ligj, që të përdorej kapelja, dhe jo më shamitë që mbanin burrat. Vendosi kalendarin dhe numrat ndërkombëtarë. Regjistroi popullsinë dhe shpalli të drejtën e votës për të gjithë, kështu ai u bë nga të parët në botë që i dha të drejtën e votoës gruas, po të kihet parasysh se për shembull, Shqipëria këtë të drejtë grave iu dha në 1945.
Vendosi alfabetin me germa latine duke hequr ato arabe, për ta sjellë vendin sa më afër perëndimit. Përveç këtyre, mori dhe masa të rrepta ndaj fesë, pasi mbylli gjyqet fetare. Ai u vendosi turqve mbiemra, sepse ata deri në atë kohë kishin mbajtur vetëm tituj feudalë.
Ndau fenë nga shteti, pra laicizoi pushtetin politik që më parë kishte pasur tipare teokratike, pasi sulltani e mbante veten si kalif, pra si udhëheqës i myslimanëve të botës, por laicizmi nuk godiste fenë myslimane vetëm sa e ndante nga shteti. Reformat që ndërmori ishin perëndimore dhe moderne të cilat nga vende të ndryshme të botës nuk ishin pranuar si nga Kina dhe vendet e tjera aziatiko-myslimane. Në histori ky lloj reformimi njihet me emrin Qemalizëm, që konsiston në përqafimin e modernizimit në ekonomi dhe institucionet politike perëndimore.
Këto reforma ishin perëndimore dhe nuk kishte guxuar asnjë drejtues i një populli mysliman t’i ndërmerte, jo atëherë por as edhe sot, por ishin të domosdoshme të ndërmerreshin sepse Turqia ishte afër Evropës dhe nuk mund të rrinte e pareformuar.
Turqia në bazë të reformave të Mustafa Qemalit është vendi më i reformuar mysliman dhe po të njihet mirë besimi fetar mysliman, ata kanë braktisur shumë nga traditat e tyre fetare për të arritur deri këtu, dhe kjo është për t’u vlerësuar, sepse është një sakrificë e madhe, por perëndimorët, do bënin mirë, që të lexonin Kuranin për të kuptuar se sa ka bërë Turqia. Për ato që ka bërë për Turqinë e kanë quajtur at të turqve dhe heroin e tyre kombëtare, dhe që e ka merituar plotësisht.
GAZETA VOTRA
Per”Globi – Shqip” shkodrani


Leave a Reply