
Ekspertët thanë se sistemi i ri shënon një kthesë rrënjësore në luftimin e parandalimin e veprimtarisë kriminale.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë
Platforma e re lejon ADN-në të krahasohet automatikisht e të shkëmbehet informacion nga vende të tjera. [AFP]
Agjencia Mjeko-Ligjore e Kosovës është bërë një nga 265 laboratorët në më shumë se 40 vende që përdor CODIS, Sistemin e Kombinuar të Treguesit të ADN-ë, për të administruar një bazë të dhënash, një veprim që ekspertë thanë se do të revolucionarizojë luftën ndaj krimit të vendit.
“Shpresoj se … instalimi i sistemit dhe zbatimi i metodës së ADN-së, që mundëson identifikimin e sigurtë të personave nëpërmjet gjurmëve të tij, nëpërmjet copave të lëkurës, pjesëve të kockave, flokëve e madje gjurmëve të gjakut të tharë ose gjurmëve të spermës, të gjetura në skenën e krimit, do të shënojë një kthesë rrënjësore në luftimin e parandalimin e çdo forme të veprimtarisë kriminale,” tha Kolë Krasniqi, një profesor i shkencës së sigurisë në Universitetin Fama, për SETimes.
Zbatimi i metodës së ADN-së në identifikimin e personave mbështetur në gjurmën e tij/saj gjenetike shënon një kthesë pozitive në luftimin e krimit në përgjithësi dhe veçanërisht në hetimin e ndjekjen penale të krimeve të pazgjidhura.
Platforma e re e ADN-së konsiderohet shumë e rëndësishme për agjencitë e zbatimit të ligjit. Sistemi është një bazë të dhënash në të cilën janë vendosur profilet e ADN-së e mund të krahasohen automatikisht e të shkëmbehen me vende të tjera.
Sistemi i ri do të mundësojë ngritjen e një baze të dhënash të përparuar kombëtare për profilet e ADN-së, një krahasim automatik të profileve të ADN-së e shkëmbimin automatik të të dhënave me vendet rajonale e anëtare të BE-së.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i departamentit të mjekësisë mjeko-ligjore në ministrinë e drejtësisë, tha për SETimes se sistemi do të lejojë raporte më të shpejta e më të sakta mbi rastet penale që u janë dhënë prokurorëve.
“Kjo është shumë e rëndësishme për mjekësinë mjeko-ligjore. Kishim mjaft probleme me analizën e krimeve të dhunës seksuale e krime të tjera. Kosovës i duhet kjo, mund të ishte bërë më herët, por është ende në kohën e duhur për agjencitë e zbatimit të ligjit në vendin tonë,” tha Gërxhaliu për SETimes.
Blerim Olluri, drejtori i Agjencisë Mjeko-ligjore të Kosovës tha për SETimesse kur vjen puna te shkëmbimi i informacionit me partnerë rajonalë apo të BE-së, kjo bëhet një çështje politike.
“Platforma ofron mundësitë teknike për shkëmbimin e informacionit të profileve të ADN-së, por një marrëveshje ndër-shtetërore duhet [në raste të tilla],” tha Olluri.
Olluri tha se agjencia synon të bëhet më profesionale duke përdorur më shumë metoda mjeko-ligjore të ekspertizës, që kërkojnë pajisje e programe moderne si dhe personel të trajnuar e të specializuar.
“Hapat e mëtejshme ndaj profesionalizimit do të jenë zbatimi i ligjit mbi Agjencinë Mjeko-ligjore të Kosovës, rritja e kapaciteteve për të bërë ekspertizën mjeko-ligjore të audios, zërit, barutit, qelqit; e rritja e metodave cilësore të njohura sipas standarteve ndërkombëtare,” tha Olluri për SETimes.
Agjencia nisi analizat e ADN-së më 2009.
A do të ndihmojë baza e re e të dhënave të ADN-së që të zgjidhen më shumë krime në rajon? Na thoni se ç’mendoni në komente.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply