
Naser Kelmendi dyshohet për drejtimin e një nga rrugëve të mëdha të trafikut të drogës në Ballkan.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë
Naser Kelmendi mbetet në paraburgim të EULEX-it. [Savo Preleviç/RFE/RL]
Arrestimi i bosit të dyshuar të narkotikëve Naser Kelmendi është një hap i madh në luftimin e tregtisë së drogës në rajon, thanë analistët.
“Arrestimi i [Kelmendit] është një goditje e fortë ndaj mafies së narkotikëve në këtë rajon,” tha për SETimesVladimir Pivovarov, një profesor në Universitetin FON në Shkup.
Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës Ballkanike në Prishtinë, shkoi një hap më tej, duke thënë se arrestimi i Kelmendit jep shpresë se policia e Kosovës është në gjendje të luftojë krimin e organizuar.
“Luftimi i krimit të organizuar është një domosdoshmëri për Kosovën. Ajo mund të ishte gjithashtu një goditje për rrjetin rajonal kriminal,” tha Bytyçi për SETimes
Kelmendi, një shtetas i Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) me origjinë nga Kosova, u arrestua të dielën (5 maj) nga forcat e policisë speciale të Kosovës mbi një urdhër-arrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga zyrtarët e BiH-së.
Ai dyshohet për vënien në lëvizje të një grupi të madh që trafikon heroinë e kokainë në Evropë nëpërmjet Ballkanit.
Të martën, EULEX ndërhyri dhe e arrestoi Kelmendin pasi autoritetet e Kosovës nuk mund të zgjasnin paraburgimin e tij pas 48 orësh. Sipas misionit të BE-së, Kelmendi kërkohet nga Interpoli me dyshimin e përfshirjes në krimin e organizuar.
“Fakti që siguruam që të mbetej nën arrest flet vetë,” tha për SETimesFransuazë Lambert, krye-zëdhënëse e përkohëshme e EULEX-it.
Kelmendi është hetuar në BiH për 13 akuza, por nuk doli kurrë në gjyq. Policia e Sarajevës ngriti padi penale, që përfshinin akuzat për vrasje, tentativë vrasje e sulmi, gjatë pesë viteve kundër Kelmendit e djemve të tij Elvis, Liridon dhe Besnik.
Kelmendi është dyshuar për organizimin e vrasjes më 2007 të Ramiz Delaliçit, një kryesues e figurë e lartë krimi në Sarajevë që ishte përleshur me shqiptarët vendorë. Akuza të tjera përfshijnë që nga trafikimi i armëve dhe cigareve deri te huatë e paligjshme e zhvatjet
”Kelmendi është i dyshuari i parë në këtë rast dhe një nga shtyllat kryesore të krimit në Evropë. [Ai është] një nmga kriminelët më të mëdhenj, jo vetëm në këtë pjesë të botës, por gjithashtu në Evropë,” u tha gazetarëve në Sarajevë Prokurori i Shtetit i BiH-së Dubravko Kampara.
Autoritetet boshnjake ishin të paduruara që t’a kishin Kelmendin të ekstraduar në Sarajevë. “Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që Kelmendi të gjykohet në Sarajevë,” tha për SETimesMinistri i Sigurimit i BiH-së Fahrudin Radonçiç.
“BiH dhe Kosova nuk kanë lidhje diplomatike e marrëveshje dypalëshe, por kjo nuk duhet të jetë një pengesë në këtë rast. Megjithatë e gjitha varet krejtësisht nga organet gjyqësore e autoritetet në Kosovë. Deri tani kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Kosovën e shpresojmë se kjo do të vazhdojë,” tha për SETimesMinistri i Drejtësisë i BiH-së Barisha Çollak.
Vendet të tjera në rajon kanë pjesë në arrestim gjithashtu. Kelmendi, 55 vjeç, vëllai i tij, Beqiri e tre djemtë e tij kanë bizneset e tyre në BiH, Kosovë, Serbi e Malin e Zi.
Zyra e Prokurorisë së Shtetit e Malit të Zi ngriti akuza ndaj Kelmendit në maj 2012 lidhur me ndërtimin e paligjshëm të hotelit Caza Grande në Ulqin. Megjithatë, akuzat kundër tij ranë pas një marrëveshje të arritur midis prokurorëve dhe Kelmendit, i cili dhuroi 10,000 euro për një kopsht fëmijësh e një shkollë fillore.
Vanja Kaloviç, drejtor i OJQ-së MANS, tha se arrestimi mund të zbulojë lidhjet dhe partnerët e Kelmendit në Malin e Zi, veçanërisht në qoftë se ka lidhje me partinë qeverisëse.
“Dyshojmë nëse prokuroria malazeze do të ngrejë ndonjë akuzë të re kundër Kelmendit … autoritetet tona e shohin atë si një investitor e biznesmen, ndërsa pjesa tjetër e botës e sheh si një kriminel. Le të shpresojmë se hetimi do të zbulojë rrjetin e tij rajonal të partnerëve politikë e ekonomikë, duke përfshirë ata në Malin e Zi,” tha Kaloviçi për SETimes.
Korrespondentët Ana Lovakoviç dhe Anes Aliç në Sarajevë, Katica Gjuroviç në Beograd dhe Marina Stojanovska në Shkup kontribuan për këtë raport.
Si do të ndihmojë arrestimi i Kelmendit që të pakësohet krimi rajonal? Na thoni mendimet tuaja në komente.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply