Kërkimet për gjetjen e nëndetëses turistike Titan me pesë persona në bord morën një kthesë të zymtë të enjten kur Roja Bregdetare Amerikane tha se kishte gjetur mbetje në fund të oqeanit, pranë Titanikut.
Kërkimet për gjetjen e nëndetëses janë në një pikë kritike, pasi vlerësohet se sasia e oksigjenit në të mund të zgjasë vetëm pak orë. Po ashtu, ekziston edhe mundësia që në nëndetëse nuk ka më oksigjen.
Postimi në rrjetin Twitter i Rojës Bregdetare nuk përmbante detaje të tjera, si për shembull nëse zyrtarët besojnë se mbetjet janë të lidhura me Titanin.
Sipas njoftimit, mbetjet u zbuluan brenda zonës së kërkimit nga një robot nënujor me kamera që drejtohet në distancë nga një anije, dhe se ekspertët po i shqyrtonin ato. Ndërkohë që gjetjet do të bëhen publike gjatë një konference shtypi më vonë.
Sipas mediave amerikane mbetjet mund të jenë nga pjesa e jashtme e nëndetëses Titan.
Nëndetësja Titan, e cila operohet nga kompania private amerikane “OceanGate Expeditions”, u zhyt të dielën në orën 8 të mëngjesit në afërsi të brigjeve kanadeze. Ajo humbi kontaktin me anijen që e shoqëronte, në përfundim të asaj që duhej të kishte qenë një zhytje dy-orëshe në pjesën veriore të oqeanit Atlantik, për të parë mbetjet e Titanikut, që u fundos në vitin 1912.
Sipas kompanisë, nëndetësja kishte 96 orë oksigjen, që ka të ngjarë të përfundojë brenda ditës së sotme. Ekspertët thonë se shpejtësia me të cilën do të reduktohet oksigjeni varet nga disa faktorë, nëse nëndetësja ka ende energji, apo se sa të qetë janë personat në bord, duke supozuar që anija nuk është dëmtuar.
Megjithatë, edhe nëse nëndetësja gjendet në kohë, operacioni i shpëtimit për nxjerrjen e saj nga një thellësi prej 3218 metrash do të ndeshej me sfida të mëdha logjistike.
Roja Bregdetare amerikane njoftoi mëngjesin e së enjtes se një mjet nënujor i lëshuar nga një anije kanadeze kreu kërkime në dyshemenë e oqeanit.
Në zonën e kërkimit ka mbërritur sot edhe anija kërkimore franceze “Atalante”, e pajisur me një mjet robotik zhytës, të aftë për të arritur në thellësinë ku ndodhen mbetjet e Titanikut, rreth 3,810 metra nën sipërfaqen e oqeanit.
Roboti “Victor 6000” është i pajisur me krahë që mund të kontrollohen nga distanca, të cilët ndihmojnë në çlirimin e një anijeje të bllokuar ose mund ta lidhin atë me një anije për ta tërhequr. Marina amerikane njoftoi se po dërgonte një mjet të veçantë shpëtimi, që shërben për të ngritur objekte të mëdha nënujore.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply