Menada Zaimi
Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, thotë se partia e tij është gati të pranojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si kusht që parlamenti të miratojë ndryshimet në kushtetutë, qoftë kur bëhet fjalë për përshirjen e pakicës bullgare, si komb shtetformues, të cilin e konsideron të panegociueshëm, ashtu edhe për përfshirjen në ligjin themelor, të fjalës ‘gjuha shqipe’.
Aktualisht në Kushtetutën e vendit, gjuha shqipe nuk përmendet, por nënkuptohet, si gjuhë të cilën e flasin, mbi 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Mazhoranca nuk i ka votat për t’i bërë këto ndryshime, që do të kërkonin mbështetjen e 80 ligjvënësve, ose të 2/3 të parlamentit.
Për zotin Taravari zgjidhja në këtë rast mund të ishin zgjedhjet e parakohshme, që do të ofroheshin në këmbim të këtyre ndryshimeve. Ai shton se partia e tij ia ka bërë tashmë këtë ofertë në rrugë jozyrtare partisë kryesore opozitare, VMRO-DPMNE-së.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës me gazetaren Menada Zaimi, zoti Taravari flet dhe mbi kërcënimin që kanë bërë së fundmi disa parti të vogla për t’u larguar nga koalicioni qeverisës, nëse nuk kryhen reforma zgjedhore.
Ato kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor, nga gjashtë njësi zgjedhore që ka aktualisht në vend, në një të vetme. Po kështu kërkojnë një sistem me lista të hapura, si dhe heqjen e pragut elektoral. Duket se kundërshtia më e madhe mes partive në koalicion mbi reformën, lidhet me njësitë zgjedhore. Aleanca për Shqiptarët thotë se ajo prej kohësh i mbahet qëndrimit për të rritur numrin e zonave zgjedhore, nga 6 aktualisht, në 8 të tilla.
Aktualisht mazhoranca, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate, ka 65 deputetë, në një parlament me 120 vende. Humbja e çdo deputeti, mund ta bënte edhe më problematike balancën e shifrave në parlament. Por zoti Taravari thotë i bindur se qeveria nuk rrezikon të humbasë shumicën në parlament dhe se mbi këtë çështje do të arrihet një marrëveshje.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply