Pas shumë grindjeve e kërcënimeve, pas shumë fjalëve që fillonin me “po” dhe pas shumë fjalëve që fillonin me “jo”, dhjetë miushët vendosën të shkonin e të dëgjonin fjalimin për miqësinë e vërtetë, që kësaj here do ta mbante macja Flo, që na ishte një mace e hirtë e me sy të shëllirët.Dhjetë miushët u ulën përdhe (por larg…), kurse macja Flo qëndroi e ulur në karrigë. Para se të fliste, mjaulliti plot tri herë. Miushët, në të vërtetë, u trembën, por nuk ikën… Si kureshtarë që ishin donin të dinin cilat do të ishin ato fjalë miqësie që do të dilnin nga goja e një maceje të vjetër.
Flo-ja e nisi fjalimin me pika:
– Mjauu, pika e parë… – O minj, të dashur minj, pse macet nuk doni t’i shihni me sy?! Ato janë të dashura dhe të mira. Historia ka treguar se shumë mace kanë dhënë jetën për minjtë.
– Mjauu, pika e dytë… – Macet i duan minjtë! Kjo është e vërtetë! Kjo është një fjalë e urtë. Fjala e urtë është si gjyshja. E kush nuk e do gjyshen! Të gjithë e duam gjyshen! Të rrojë fjala e urtë e të rrojë gjyshja e urtë!
– Mjauu, pika e tretë… – Minjtë vrapojnë dhe bëhen erë, sa herë që shohin një mace ose maçok. Pse kështu të dashur minj?! Ju jeni të mirë! Në jetë duhet të jesh trim. Trima minj, vetëm trima të jeni! Një trim është një hero! Dhe ju, jeni heronj!
– Mjauu, pika e katërt… – Ne, brez pas brezi u kemi shtrirë putrën e miqësisë, edhe pse putra jonë mban thonjë të mprehtë. Një gjë të tillë e bëjmë edhe sot e kësaj dite… Duam miqësinë tuaj! Kështu që, në emër të miqësisë, zgjatni bishtin, dhe ne, do t’ua përkëdhelim me dashuri!
– Mjauu, pika e pestë… – Ne jetojmë në kuzhinë. Ne ju duam kaq fort, sa u themi: – Ejani, ejani e jetoni me ne në kuzhinë! Se në kuzhinë ka plot ushqime për ne e për ju. Ejani, të bëhemi miq, miiq, miiiq! U forcoftë miqësia mes maceve dhe minjve!
Një mi, që ishte inteligjent, foli lehtë e nën zë. Diç i tha shokut që kishte pranë. Ky i tha tjetrit, ai tjetri i tha tjetrit… e kështu lajmi shkoi deri tek miu i fundit. Të gjithë u njohën me fjalët e miut zëulët e të zgjuar, të cilat ishin: “Flo-ja, në këto momente, është egërsuar! Të ikim sa më parë! Sa më parë… të ikim, se e pësuam keq!..”
Dhe… minjtë ikën rrufeshëm dhe u shpërndanë si era. Flo-ja, ngaqë e kishte mendjen te fjalimi me pika, vazhdonte të fliste për miqësinë e vërtetë. Në një çast hodhi sytë përreth, por nuk pa asnjë minj.
Macja Flo mjaulliti egër. Ishte e dëshpëruar dhe e vetmuar.
Minjtë, ndonëse vonë, e kuptuan hilenë e Flo-së. Ajo ishte dhe mbetet një mace, edhe pse ishte në një moshë të vjetër.
Shkodër, më, 09.05.2023 ( Xhahid Bushati )
CIKLI: Vizatime poetike për fëmijë
Burimi/Facebook


Leave a Reply