Promovim i librit “Gruaja arbëreshe dje,sot,nesër”
DY PROMOVIME TEK VËLLEZËRIT KOSOVARË
Hyjmë në Kosovë që nga Bujanovci, një qytet serb, i banuar në pjesën më të madhe nga shqiptarë. Kemi udhëtuar gjatë nëpër Serbi dhe kemi kaluar një natë në kryeqytetin e saj, Beograd. Në hyrje të Beogradit na pat lënë shije të keqe, gdhendja me shkronja të mëdha në një urë mbi autostradë: “Kosova është Serbi”. Ashtu siç na bëri përshtypje që në qendër të Beogradit ishin lënë me qëllim disa ndërtesa të shkatërruara gjatë bombardimeve që NATO bëri mbi Beograd. Serbët kanë vënë një pankartë të madhe ku shkruhet: “Këto janë dëshmi e krimeve të NATO-s ndaj Serbisë”. Por këtë përshtypje sikur e fshin ai fllad i freskët që duket se na përcjell valëvitja e flamujve shqiptarë që nga Bujanovci në drejtim të qyteteve kosovare. Duket si një kundërpërgjigje e heshtur: “Kosova është shqiptare”.
Kalojmë një sërë qytetesh, si Gjilani, Ferizaj, Suhareka, Prizreni e derisa hyjmë në Gjakovën e bukur. Gjatë gjithë rrugës na shoqëron historia dhe atmosfera e mrekullueshme shqiptare. Aty-këtu varreza të shumta, dëshmi e krimeve serbe mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Ndjen dhimbje për këto masakra, por nga ana tjetër të gëzon fakti që gjithë këto qytete i ngjajnë një kantieri të madh ndërtimi. Rrugët janë në shtrim e sipër. Mbi gërmadhat e luftës ndërtohen shtëpi të reja e ndihet që Kosova po rilind në tërë sipërfaqen e saj. Është vitaliteti i një kombi që kurrë nuk u përkul përgjatë historisë.
Në mikpritjen gjakovare
Edhe Gjakova pati shkatërrime gjatë luftës së fundit. Ky qytet që është shkatërruar e djegur disa herë, ka ditur të ngrihet si feniksi nga hiri i vet. Luftës së fundit ajo i dha gjakun e 200 dëshmorëve, të qindra viktimave dhe gërmadhat e qindrave shtëpive të djegura. Lagja karakteristike, Çarshia e Vjetër është rindërtuar e ka rifituar vlerat e saj, që e kanë bërë gjithnjë tërheqëse për turistët e shumtë. Moza nuk ndalet së fotografuari përgjatë rrugëve të qendrës së qytetit.
Në qendër të Gjakovës na presin çifti i intelektualëve të spikatur të këtij qyteti, profesoresha Migena Arllati dhe bashkëshorti i saj, muzikant e studiues i pasionuar e i njohur, profesor Behar Arllati. Migena është marrë me organizimin e promovimit të librit “Gruaja arbëreshe dje,sot, nesër”, të katër autoreve arbëreshe, Emilia Blaiotta, Flavia D’Agostino, Lucrezia Lindia e Lucia Martino, që do të bëhet të nesërmen. Ata na shoqërojnë për t’u sistemuar në shtëpinë mikpritëse të Fatime Boshnjakut në lagjen Çarshia e Vjetër dhe, pas sistemimit, na drejtojnë për tek restoranti “Jeta”, pronë e një burri fisnik e intelektual, Zef Osmani. Lokali është mjaft i bukur e karakteristik dhe darka e ofruar prej tij shpreh më së mirë bujarinë dhe traditën shqiptare të mikpritjes. Gatime tradicionale të kuzhinës së mirënjohur gjakovare, shoqëruar me një verë shumë të mirë. Por mbi të gjitha një atmosferë e ngrohtë në muhabet, ku Zefi, me origjinë nga Lekbibajt e Tropojës, di të flasë jo vetëm për traditat, por edhe për historinë e për figura të ndryshme të shquara. Ai ka përgatitur edhe monografinë “Rrugë jete” mbi familjen e njohur të Gjon Mak Imerit, të cilën na e dhuron me një autograf të ngrohtë e vëllazëror.
Pas darkës, Migena thotë që e kanë në traditën e familjes së tyre për t’i ftuar mysafirët në shtëpi. Hyjmë në një shtëpi të bukur, moderne e mikpritëse në qendër të qytetit, ku dy bashkëshortët kanë punuar me shumë shije për të krijuar ambiente që reflektojnë personalitetin e dy intelektualëve, por edhe ngrohtësinë ndaj mysafirëve. Djali i tyre i vogël, Argeni, është shumë i dashur dhe i komunikueshëm e u lidh aq shumë me Mozën. Ndonëse është ende në moshë të vogël e nuk ka hyrë në shkollë, bota e tij janë librat. Ka mësuar të lexojë dhe dhurata më e çmuar për të janë librat. Natyrisht, dardha nën dardhë bie. Bisedojmë sa për librat, aq për muzikën e në një moment Behari na fton në studion e tij. Një studio që ai e ka me merak dhe ku çdo centimetër katror është shfrytëzuar me efikasitet për të vënë librat, instrumentet, disqet e çmuara muzikore, fletoret e muzikës. Për të çdo objekt ka një vlerë të pakrahasueshme dhe ai flet me dashuri e me detaje për secilin. Në fund na dhuron monografinë për këngëtarin Xhavit Xhepa (bashkëshorti i artistes së madhe Margarita Xhepa) dhe diskun e tij që do të na bënte shoqëri nëpër udhëtimet tona nga Kosova në Shqipëri. Ndërsa Migena na dhuron librin e saj me poezi “Një prehër për dashurinë”. Koha fluturon shpejt e duhet të lëvizim, sepse ata do të presin edhe Lucien me grupin arbëresh, që do të arrijnë gati në mesnatë që nga Tirana. E zonja e shtëpisë ku jemi sistemuar, Fatimja, krijon klimë të ngrohtë për mysafirët jo vetëm me shurupin e trëndafilit që e përgatit nga tëndafilat e oborrit të saj, e me ëmbëlsirat e ndryshme që nuk i mungojnë kurrë, por edhe me bisedat e një niveli të ngritur e me shumë njohuri në fushën e historisë, kulturës e deri tek politika.
Dita e nesërme do të ishte shumë e ngjeshur. Migena bashkë me shoqatën e intelektualëve “Jakova” i kanë menduar e programuar me hollësi e deri në detaje të gjitha. Në fillim janë programuar bisedat në televizionin e Gjakovës e në radio, ku stafi dhe gazetarët na presin me shumë ngrohtësi e në mënyrë vëllazërore. Lucia Martino me mënyrën e saj të gjallë të komunikimit në gjuhën arbëreshe dhe këngëtari Marco Moccia me këngët e përzgjedhura arbëreshe, krijojnë një atmosferë të veçantë.
Në hyrje të bibliotekës janë renditur nxënës e studentë, të veshur me kostume kombëtare e me lule në dorë, të cilat u dhurohen zonjave të grupit të ardhur për këtë promovim.Salla “Teki Dervishi” e bibliotekës së bukur të qytetit është e mbushur plot me qytetarë e dashamirës të artit e kulturës nga të gjitha moshat. Ka edhe disa intelektualë të spikatur e me tituj shkencorë. Vëmendja e të gjithëve është e përqëndruar tek grupi arbëresh. Takimin e hap Migena. Pastaj mysafirët i përshëndet kryetari i shoqatës “Jakova”, Prof.Dr. Ruzhdi Sefa, i cili uron mirëseardhjen dhe i dhuron grupit librin – album “Gjakova ndër vite”. Duke qenë përkthyes i librit në gjuhën shqipe, fola mbi vlerat e këtij libri, ku pasqyrohet bota e bukur e gruas arbëreshe. Në fund recitova edhe një poezi të një biri të Gjakovës, mikut e kolegut tim Prend Ndoja, i cili jeton e punon në Amerikë, por ka dhënë një kontribut të veçantë si për botimin e librit, ashtu edhe për organizimin e këtij promovimi. Poezia krijoi emocion dhe u duartrokit nga të pranishmit.
Pastaj folën edhe njëra nga autoret, kryetare e shoqatës “Vorea” në Frascineto të Kalabrisë, Lucia Martino dhe kostumografja Zamira Qeraxhiu, e cila kishte veshur kostumin e gruas arbëreshe dhe u ndal në vlerat e veçanësitë e këtij kostumi. Atmosferën në sallë e ndezi këngëtari Marco Moccia, i cili, nën tingujt e kitarrës këndoi disa këngë të zgjedhura arbëreshe. Publiku ndiqte me emocion të veçantë e me duartrokitje. Të rinj të përgatitur nga Migena recituan disa poezi të autorëve arbëreshë, si Jeronim De Rada, Vorea Ujko etj.
Ishte një takim i organizuar shumë bukur dhe që na mbushi me mbresa të veçanta.
Me shkrimtarët e artistët e Kosovës
Menjëherë pas përfundimit të promovimit në Gjakovë, do të niseshim nxitimthi për në Prishtinë, ku na prisnin anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Edhe ky një takim i organizuar nga Migena. Shkrimtarët kosovarë na presin me shumë ngrohtësi. Kryetari i Lidhjes, Prof.Dr. Shyqyri Galica mban fjalën e përshëndetjes. Duke përshëndetur si përkthyes i librit, mes të tjerash, thashë: “Është nder dhe kënaqësi e madhe për ne të jemi sot midis jush, midis ajkës së inteligjencies dhe të artit kosovar. Shkrimtarët dhe artistët e Kosovës kanë qenë gjithnjë në pararojë të artit e të letërsisë sonë kombëtare. Mbaj mend kohën kur arti dhe letërsia në Shqipëri vuanin nga një kontroll, censurë dhe persekucion i rreptë, ushtruar nga regjimi komunist. Në atë kohë sytë tanë ishin të drejtuar tek Kosova, ku bëheshin botime cilësore, të guximshme e moderne, që ishin një tabu për realitetin tonë të mbyllur në kornizat e ngurta të realizmit socialist. Ju kishit një mentalitet më të hapur e një vështrim më të gjerë drejt botës. Herë-herë kishte ndonjë shkëmbim grupesh artistike e letrare. E këto grupe, ndonëse nën kontroll e sitë të hollë, përpara një ndarjeje absurde nëpërmjet një kufiri me tela me gjemba, transmetonin një mesazh: Nuk ka kufi e tela me gjemba që mund të ndalojnë dashurinë e vëllait për vëllanë, apo të motrës për motrën”.
Me interes u prit edhe fjala e Lucies, pastaj sërish i takoi këngëtarit Marco të elektrizonte sallën me këngët e tij. Në takim e morën fjalën kryetari i shoqatës “Papa Clementi XI” në Suedi, Fetah Bahtiri, shkrimtarja Flora Brovina, poetja Rabije Bytyçi, zëvendëskryetari i Lidhjes, Xheladin Mjeku, gazetari dhe reporteri i luftës Zeqir Zogaj, luftëtari Habib Zogaj e të tjerë.
Në një atmosferë shumë të ngrohtë e vëllazërore, shumë nga krijuesit në sallë na dhuruan vepra nga krijimtaria e tyre.
Në mbrëmje jemi sërish në Gjakovë, në një restorant të bukur në lagjen Çarshia e Vjetër, ku çifti Arllati ka organizuar darkën e përcjelljes.
Largohemi nga Kosova përmes një mëngjesi me shi të dendur, madje majave bie dëborë. Por me vete ndjejmë ngrohtësinë e këtyre takimeve, dashurinë e vëllezërve e motrave kosovare, mikpritjen tipike të Gjakovës, ku na ftuan për të ardhur sërish në promovime të tjera.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook
Leave a Reply